Në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve aktiviste të Lidhjes së Gruas Shqiptare në Greqi zhvilluan një vizitë në kampin e refugjatëve në Eleona (Athinë). Një vizitë simbolike për të kujtuar vështirësitë e largimit nga vendlindja dhe integrimin në një shoqëri të huaj.
Vizita e Lidhja e Gruas Shqiptare ishte pjesë e organizmit të lëvizjes “O Allos Anthropos”, një organizatë sociale e cila ofron vakte falas për njerëzit në nevojë.
Kjo nuk është hera e parë që Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi ndërmerr nisma sociale. Një vit më parë, ne qendër të Athinës u organizua “Festivali i Parë i Gastronomisë Shqiptare” ku u prezantuan tradita dhe kultura shqiptare. Aktiviteti u zhvillua me rastin e festës ndërkombëtare të Nënës.
I gjithë aktiviteti ju dedikua kulturës, traditave dhe zakoneve shqiptare, duke sjellë për të pranishmit ushqime tradicionale shqiptare, valle popullore nga krahina të ndryshme, punime dore si dhe subjekte artizanale nga atdheu.
Aktiviteti tërhoqi vëmendjen e komunitetit shqiptar në Greqi, por edhe shumë vendas. Në sallën e ndodhur në zonën më të lashtë e historike të vendit, në “Monastiraki” nuk munguan dhe turistë të shumtë, të cilët shijuan recetat shqiptare.