Kufijtë e Bashkimit Evropian do të jenë të mbyllura për Shqipërinë të paktën deri në fund të korrikut. Këshilli i BE-së po diskuton sot mbi përditësimin e listës së vendeve me të cilat do të lejohen udhëtimet.
Në takimin në nivel ambasadorësh mësohet se, Shqipëria nuk do të ketë asnjë mundësi që të përfshihet në listën e vendeve të sigurta sa i takon pandemisë së COVID-19.
Vendimi i parë për hartimin e listës me 15 vende të konsideruara si të sigurta u mor në fund të muajit qershor dhe do të përditësohet me të dhënat më të fundit të vendeve sa i takon ecurisë së pandemisë. Deri tani kësaj liste nuk pritet t’i shtohet asnjë vend i ri.
Ndërkohë Bashkimi Europian do të heqë edhe Serbinë dhe Malin e Zi nga lista e vendeve që do të lejohen të udhëtojnë në BE, sipas burimeve nga Këshilli Europian.
Lista mbetet një rekomandim, jo detyrim. Kjo bën që vendet e BE-së do të vendosin vetë nëse duan ta zbatojnë. Deri tani, masat janë marrë në mënyra të ndryshme, sipas vendeve përkatëse.
BE do ta rishikojë listën e vendeve të treta çdo dy javë, dhe Këshilli mund ta përditësojë pasi të ketë konsultuar me Komisionin dhe agjencitë përkatëse të BE-së.