Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ditën e sotme ka zhvilluar një takim online me Drejtorin ekzekutiv të AJC ( American Jewish Committee ) në New York, David Harris dhe Drejtoren e AJC në Jerusalem Avital Leibovich.
Gjatë takimit u diskutua për vendosjen e një linje komunikimi ndërmjet strukturave përgjegjëse shqiptare për zhvillimin e marrëdhënieve me Diasporën me përfaqësuesit e AJC me qellim vendosjen e urave të bashkëpunimit mes palëve.
David Harris vlerësoi punën që është bërë nga shteti shqiptar për afrimin e Diasporës me vendlindjen si dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën, çka sipas tij do të çojë në një lidhje më të fortë mes Diasporës dhe vendlindjes.
Ndërsa Ministri Majko pas prezantimit të politikave shtetërore për Diasporën u ndal te Diaspora hebreje si një model i suksesshëm i integrimit të Diasporës me vendin e origjinës.
Një nga pikat mbi të cilat u ndal biseda ishte edhe organizimi i Samitit të tretë të Diasporës Shqiptare.
Sikurse e ka theksuar dhe me herët Ministri Majko tha se Samiti i Tretë i Diasporës do të zhvillohet jashtë Shqipërisë duke lënë të hapur mundësinë e organizimit të tij në Kosovë. Maqedoninë e Veriut ose Diasporë.
Ky takim, siç u dakordësua mes pjesëmarrësve do të vijojë me tej me takime të tjera në varësi të situatës së krijuar nga Covid 19, online ose në Tiranë, New York ose Izrael.