Jetojmë në një kohë ku teknologjia është e pranishme kudo, ku njeriu tenton t’i orientohet gjithnjë e më shumë për të lehtësuar jetesën, luftuar distancën dhe për t’u informuar në çdo moment. Ajo çka mungonte deri më tani në Shqipëri ishte ajo e të paturit audio të gjeneruar automatikisht për një tekst të shkruar, apo e thënë ndryshe shërbimi i konvertimit të tekstit në zë. Google e ofron diçka të tillë përmes Google Translate, por për gjuhën shqipe ky shërbim nuk egziston.
Aplikacioni “Zëri” mundëson tashmë që lajmet të dëgjohen përmes ekranit, jo vetëm të lexohet. Inxhinieri shqiptar Festim Peposhi, punonjës i një kompanie teknologjike në Gjermani, tregon për “Diaspora Shqiptare” se si i lindi ideja për të krijuar diçka të tillë së bashku me kolegun Klodian Zyberi, target grupin që është orientuar më shumë drejt aplikacionit, si dhe pritshmëritë.
****
Si lindi ideja për të krijuar aplikacionin “Zëri”?
Gjatë punës në një projekt për krijimin e një sistemi që grumbullon dhe i prezanton lexuesit me artikujt informativ më të fundit nga gjitha lajmet shqipfolëse, u mendua si mundësi për të ndihmuar lexuesin në dëgjimin e informacionit, pra gjenerimin audio të informacionit përmes integrimit të një shërbimi të tillë. Në këtë mënyrë lexuesi mund të ndiqte lajmin duke ecur, ngarë makinën, vrapuar si dhe informacioni do të ishte i aksesueshëm dhe nga personat me aftësi të veçanta në të parë.
Ka nisur si projekt rreth dy vite më parë, por ka vetem tre javë që është prezantuar. Si është pritur dhe nga kush është përdorur më shumë?
Me “Zërin” kemi kohë që punojmë, dhe përpos studimit, testimit dhe kodimit, kemi arritur që të regjistrojmë afro 100.000 fjalë në gjuhën shqipe, gjë e cila ka marrë shumë kohë për t’i siguruar. Sigurisht që jemi kujdesur që të bashkëpunojmë me profesionistë të fushës, dhe kemi pasur fatin të punojmë me profesorët më të mirë të zërit në Shqipëri. Me gjithë këto zëra të regjistruar dhe të përpunuar, është e mundur të kemi një mbulim të mbi 80% të fjalëve më të përdorshme të gjuhës shqipe.
Ka qenë e vështirë krijimi i këtij aplikacioni, dhe jeni bazuar ndokund për t’i dhënë formë?
Pas një pune kërkimore të gjatë në shumë artikuj dhe publikime të ndryshme, fillova që ta konsideroja zhvillimin e një shërbimi që më mundësonte audio zanore të materialeve të shkruara në gjuhën shqipe. Sigurisht që nuk ishte aspak i lehtë projektimi i një ideje të tillë. Sa më shumë lexoja aq më shumë sfida paraqiteshin si në planin profesional, eksperiencë, kohë apo burime.
Çfarë prisni nga ky aplikacion?
TTS është revolucion sepse mund ta kthejë tekstin në audio. Kjo do të thotë që ndërfaqet e përdoruesve që më parë ishin të kufizuara në ndërveprime me tekstin, tani mund të mbështesin ndërveprime audio duke bashkuar TTS me njohjen e zërit. Si përshembull Siri, Asistent Google dhe Alexa i Amazon lejojnë përdoruesit ta bëjnë këtë me pajisjet e tyre. Në dy vitet e ardhshme, shërbimet e text to speech do të fillojnë ta mbizotërojnë këtë fushë. Këtu e shikojmë dhe ne “Zërin”, të implementuar në shumë fusha duke ju ofruar përdoruesve më shumë mundësi dhe duke ju lehtësuar atyre përditshmërinë.