Manastiri i Shën Jovan Bigorskit i cili njihet edhe si manastiri i Mbigurit apo i Shën Gjon Pagëzorit, është një manastir ortodoks, i cili ndodhet në pjesën perëndimore të Maqedonisë, në afërsi të rrugës e cila lidh Dibrën me Gostivarin.
Në këtë Manastiri ndodhet libri origjinal i Dhiatës së re, të përkthyer në shqip me gërma latine në vitin 1872 nga Konstandin Kristoforidhi, një nga figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare.
Pavarësisht përmbajtjes fetare libri ka një domethënie të madhe historike për shqiptarët, sepse është një pararendës i gjuhës letrare shqipe, që do të shkruhej me Alfabetin e njëhsuar, të miratuar dekada më vonë në Kongresin e Manastirit.
Vëllazëria e murgjve në këtë manastiri kujdeset më së miri për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore në rajon.
Manastiri ka qenë edhe një pikë e rëndësishme historike në periudhën e Skënderbeut, duke qenë një vatër shqiptare e asaj kohe që përfshinte zonën e Dibrës së Madhe dhe Ohrit.
Disa vite më parë manastiri u dogj duke humbur kështu një pjesë e dëshmive historike të shqiptarëve të trevave të Rekës së Gostivarit, një zonë e populluar tradicionalisht me shqiptarë ortodoksë.
*Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i materialit pa cituar burimin “Diaspora Shqiptare”.