Mbi tre milionë shqiptarë me të drejtë vote pritet ti drejtohen ditën e sotme kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Në garë janë dy koalicione dhe dhjetë parti dhe risi e këtyre zgjedhjeve është se krahas partisë qytetarët mund të zgjedhin dhe kandidatin e preferuar të asaj partie.
Në zgjedhje garojnë 1.841 kandidatë për deputetë, ku 39,76 për qind e tyre janë femra, në 12 zona zgjedhore që korrespondojnë edhe me qarqet e vendit si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Kukës dhe Lezhë.
Fushata për zgjedhjet parlamentare zyrtarisht filloi më 25 mars, ndërsa ajo u karakterizua nga takime në formate të ndryshme nga mitingjet elektorale të zgjedhjeve të kaluara, për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19.
Procesi i votimit nisi në orën 07.00 dhe mbyllet në orën 19.00.
Në çdo Qendër Votimi do të votohet vetëm me një fletë votimi, ku janë emrat e partive dhe koalicioneve, si dhe numrat, që iu korrespondojnë kandidatëve. Në disa qarqe, konkurrojnë dhe kandidatë të pavarur.
Me qëllim që vota të jetë e vlefshme, qytetari duhet të votojë me një nga tre mënyrat e bëra publike, votuesi mund të zgjedhë vetëm partinë ose koalicionin me shenjën e X ose + në kuadratin e bardhë; mund të zgjedh partinë ose koalicionin dhe vetëm njërin prej kandidatëve të asaj partie, që ai ka zgjedhur, me shenjën X ose + te kuadrati i numrit të kandidatit; votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat, pra të bëjë shënimin vetëm në një prej numrave, që i korrespondon kandidatit që ai parapëlqen, me shenjën X ose + në kuadratin e numrit, pa qenë nevoja të vendosë shenjë te kuadrati i partisë apo koalicionin, që ky kandidat i përket.
Sakaq për herë të parë në këto zgjedhje do të zbatohet dhe projekti pilot i votimit elektronik, në njësinë nr. 10 në Tiranë. Për të rezultati pritet të dalë në orën 8.00 të mëngjesit të së hënës.
DIASPORA DHE ZGJEDHJET
Në zgjedhjet e 25 prillit diaspora shqiptare nuk mundi të votojë për shkak të ngecjes pezull të miratimit të akteve nënligjore.
Këshilli Koordinues i Diasporës në ditën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit doli me një prononcim ku zotohet për angazhimin maksimal edhe në vijim për mundësimin e votës së Diasporës edhe pas 25 prillit.
Lexo edhe- Reagimi i KKD: Nuk do ndalemi deri në sigurimin e votës së Diasporës
Gjithashtu KKD u bën thirrje shtetasve shqiptar në territorin e Shqipërisë si dhe atyre që gjenden jashtë vendit të cilët e kanë mundësinë të udhëtojnë për në Shqipëri qё tё marrin pjesё nё votim nё zgjedhjet e 25 Prillit.
PROCESI I GJATE I REALIZIMIT TE VOTES
Diskutimet për realizimin e votës së shqiptarëve jashtë vendit nisën mes palëve dhe grupeve të interesit në Diasporë që prej janarit të këtij viti, sipas përcaktimeve të Kodit të ri Zgjedhor.
Aktet normative për zbatimin e tyre nuk mundën të zbatohen në zgjedhjet e 25 prillit, kjo për shkak të afatit të shkurtër kohor por edhe mbajtjes pezull nga ana e opozitës së propozimeve që duhej të paraqiteshin për vijimin e procesit.
Sakaq, nga shqiptarët jashtë vendit regjistrim ishin kryer vetëm 3400 adresa për të pasur kështu dhe të drejtën e votës. Megjithatë hapi i rëndësishëm ishte pikërisht ndryshimi i Kodit e që KQZ tashmë do të ketë më shumë kohë në dispozicion për realizmin e këtij procesi.
Lexo edhe- Vota e Diasporës, Majko: Hapi i parë u hodh, ndryshoi Kodi Zgjedhor
“Aktualisht ne arritëm të regjistronim 3400 adresa, po nuk janë aq votues, sepse në bazë të ligjit kryefamiljari bën regjistrimin e të gjithë familjarëve. Pastaj është KQZ që bën filtrimin. Mendoj se dhe kaq ishte mjaftueshëm që të futeshim për të aplikuar të drejtën e votës sepse imagjinoni një opozitë kaq mosbesuese e cila shikon te çdo veprim i maxhorancës një hile se si do të ndiheshin kur ti thoshim ka 100 mijë vetë të regjistruar. Dhe për këto 3400 adresa e bllokuan vendimamrrjen e KQZ-së. Që nga janari nisi diskutimi, u mblodhëm dy herë me përfaqësues të opozitës. Do doja të më përgënjeshtronin ata të opozitës. Na kërkuan 48 orë kohë, pritëm, pritëm, pritëm dhe kjo nuk ishte diskutim e lojës politike mes maxhorancës dhe opozitës. Në tavolinë kanë qenë dhe përfaqësues të organizatave të diasporës, më të interesuarit, dhe përgjigja ishte heshtja. Mendoj se kjo u konsiderua si një sukses i maxhorancës, po në fakt ishte sukses i përbashkët. Pavarësisht se dikush mendon lojë politike e dyanshme, e vëreta e vëretë është që pala tjetër që është ende jashtë sistemit ishte e kontraktuar. Do ishte sukses i përbashkët, dhe jo i PS. Megjithatë mendoj që dhe kështu sic rodhën gjërat është bllokim i përkohshëm. Dhe kështu KQZ është i detyruar të nxjerrë aktet nënligjore dhe brenda 5-6 muajve dhe unë jam shpresëplotë që votimin ne do ta kemi nuk diskutohet se si, por vetëm se kur”, është shprehur më herët ministri Majko.
SHQIPTARET NGA MAQEDONIA E VERIUT DHE GREQIA NE KARANTINE
Në krye të javës Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi karantinë dy javore për shtetasit shqiptarë që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Kjo për shkak se shtohet fluksi i lëvizjeve për festën e Pashkëve në fillim të Majit.
“Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, theksoi se të gjithë personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia do të qendrojnë në karantinë dy javore dhe kjo masë do të jetë në fuqi deri më 3 maj: “Sfida e komitetit tonë në këtë moment është pikërisht përmirësimi i indikatorëve duke parashikuar faktorët që mund të ndikojnë në rritjen e tyre dhe të propozojmë masat në vijim. Mosrespektimi në tubimet elektorale mund të jetë faktor që ndikon në rritjen e numrave. Po ashtu afrimi i ditës së Pashkëve është shoqëruar me lëvizje të qytetarëve nga vendet fqinje. Duke pasur parasysh dhe situatën tonë lokale, ku vendin e parë siç e tha dhe profesoresh Fico e zë Gjirokastra dhe Korca, mendojmë që duke nisur nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë 2 javore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia deri më 3 maj dhe do ta rivlerësojmë në varësi të dinamikës së situatës”, u shpreh zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Lexo edhe- Komiteti Teknik:Të ardhurit nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut karantinë 2 javore
Ndërkohë shoqatat shqiptare në Greqi kërkuan lehtësim të masave në mënyrë të që mund të votojnë në zgjedhjet e kësaj të diele.
Një sërë organizatash të minoritarëve greke, si dhe organizata e komunitetit shqiptar në Greqi kanë drejtuar kërkesë qeverisë greke për lehtësim të qarkullimit të votuesve në pikën kufitare tokësore Kakavijë.
Lexo edhe- Komuniteti shqiptar në Greqi kërkon lehtësim në kufi
Në kërkesën konstante për lejimin e qarkullimit të votuesve kërkohet nga qeveria greke të caktojë kushtet përkatëse për këtë fundjavë të veçantë. Deri tani nuk ka asnjë reagim nga zyrtarët grekë apo referim paraprak nëse do të shqyrtohen kërkesat e ditëve të fundit.
VEZHGUESIT NDERKOMBETAR NE TERREN
Në kuadër të vëzhgimit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor ndërkombëtarët do të jenë sot në terren. Sipas agjendës së siguruar mësohet se ambasadori i BE, Luigi Soreca do të jetë në në Tiranë, shkolla “Dora D’Istria”, rreth orës 08:30, në Elbasan rreth orës 11:00 tek Teatri Skampa, në Kavajë dhe në Durrës.
Ndërkaq ambasadori Britanik, Duncan Norman në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve do të jetë në Durrës, Elbasan, Fier dhe Peqin.
Lexo edhe- Zgjedhjet 25 prill, vëzhguesit ndërkombëtarë në terren
Ndërsa ambasadorja Ursula Gacek e cila kryeson Misionin e Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, do të jetë në Tiranë ku pritet që të japë një deklaratë për shtyp ditën e zgjedhjeve.
PROTOKOLLI NE QENDRAT E VOTIMIT
Gjatë ditës së zgjedhjeve do të jenë në fuqi masat aktuale kundër COVID-19. Në fuqi do të jenë masat për mbajtjen e maskës, ruajtjes e distancës, ndalimi i grumbullimeve masive, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitetit të restoranteve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.
Qendrat e votimit rekmandohen të jenë në katin e parë dhe me ajrim të mjaftueshëm.
-Salla duhet të ketë hyrje dhe dalje të veçantë për të mundësuar distancimin fizik të votuesve.
-Në hyrje te qendrave të votimit do të jenë të vendosura shenja dalluese për orientimin e votuesve lidhur me masat kundër COVID-19.
-Pranë hyrjes në sallën e votimit do të ketë shenja dalluese për të orientuar votuesit për të ruajtur distancën e nevojshme.
-Në hyrje të çdo qendre votimi do të vendosen dezinfektues për duart.
-Çdo votues ditën e diel duhet të jetë i pajisur me maskë. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët e komisioneve dhe për vëzhguesit e akredituar.
-Kutitë e votimit do të vendosen dy metra nga vendqëndrimi i anëtarëve të komisionit, po kështu dhe dhomat e fshehta.
-Mjediset e qendrave të votimit duhet detyrimisht të dezinfektohen një ditë para procesit të votimit dhe më pas në intervale të rregullta.
-Një person përgjegjës do të caktohet në hyrje të qendrave të votimit për të kontrolluar zbatimin e masave anti-COVID.
-Përpara futjes në qendrën e votimit anëtarët e KQV-ve dhe vëzhguesit duhet të deklarojnë se nuk kanë temperaturë ose shqetësime të tjera të lidhura me COVID-19 , të bëjnë dezinfektimin dhe të kenë vendosur maskat.
– Anëtarët e KQV-ve dhe vëzhguesit duhet të ulen në vendet respektive duke ruajtur distancën fizike 1.5 metra nga njëri-tjetri.
-Në sallën e votimit nuk lejohet prania e më shumë votuesve se numri i dhomave të fshehta për votim, plus dy persona që regjistrohen.
-Dhomat e fshehta për votim duhet të ruajnë largësinë 1.5 metra nga njëra tjetra.
-Përpara qendrave të votimit nuk duhet të ketë grumbullime dhe mes votuesve që presin duhet të ketë një distancë fizike prej 1.5 metrash.
-Votuesi i cili përfundon procesin e votimit duhet të vijoj të mbajë një distancë prej 1.5 metra me votuesit që vijojnë procesin.
-Votuesi pas procesit të votimit dezinfekton duart.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.