Një vlerësim i shkurtër për librin “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar, shkruar nga Dr. Vaxhid Sejdiu
Mësuesi Vaxhid Sejdiu që është edhe autor i shumë shkrimeve të llojeve të ndryshme këto ditë nxjerr nga shtypi një libër studimor shumë interesant, si rezultat i studimeve të tij të thella në fushën e arsimit shqip. Libri titullohet: “Shkolla Shqipe në Kantonin e St.Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar”. Në këtë libër që përbëhet nga 10 kapituj, janë përfshirë pothuajse të gjitha të dhënat nga puna e gjatë në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe të shoqëruara me fjalë e fotografi të shumta. Ndarja e punës në libër në periudha të ndryshme që nga fillimi i organizimit të mësimit shqip duke filluar nga “Motrat Qiriazi”, shoqatë kjo e themeluar nga Këshilli prindëror që kishte moton: “Me laps nëpër Evropë”, nga hapja e shkollës së parë shqipe në Glarus me 20 shtator 1990, me hapjen e paraleleve në Sarganserland me mësues: Adnan Mehmetin, hapja e paraleles në Rebstein me 21 Nëntor 1992 dhe deri në ditët e sotme dëshmon përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe në këtë pjesë të Zvicrës. Në hapjen e këtyre paraleleve pati vështirësi të shumta organizative, programore, por edhe të kuadrove. Nga organet tona dhe ato Zvicerane me 30 tetor 1995 u pranua Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, me emrin “Naim Frashëri”.
Në këtë libër paraqitet puna reale e bashkatdhetarëve tanë, të bashkëpunëtorëve, arsimtarëve e prindërve tanë të organizuar nëpër shkolla, klube e shoqata për të ruajtur e kultivuar gjuhën tonë, kulturën e traditat tona dhe identitetin tonë. Vlen të theksohet që shqiptarët kudo që janë kanë qëllim ruajtjen e gjuhës sonë, prandaj edhe kërkohet angazhim nga se ruhet kombi ynë që është edhe themel i godinës sonë shtetërore. Sa më i fortë që të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina. Libri: “Shkolla Shqipe në kantonin e St.Gallenit”, vatër e bashkimit kombëtar”, paraqet fakte historike për trojet tona, për migrimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.
Autori i librit në parathënie paraqet angazhimin e dëshmuar të popullit tonë për ruajtjen e gjuhës duke theksuar se asimilimi në disa treva e vendbanime erdhi nga mungesa e komunikimit kombëtar. Prandaj edhe kontributi i mërgatës sonë vlen të vlerësohet nga se ndihmoj në rilindjen e përpjekjeve kulturore, arsimore duke mos ndenjur duarkryq, por aty ku ishte e mundur u angazhua. Sa bukur e përshkruan autori në fjalë humbjen e gjuhës me fjalët: “humbja e gjuhës vë në pikëpyetje edhe identitetin kombëtar, kështu është fakt i gjallë dhe i vërtetuar në të gjitha pikëpamjet se nuk është humbje definitive nëse ndokush largohet nga atdheu qoftë edhe me familje, por humbje përfundimtare është kur e harron gjuhën”.
Për të arritur këtë lypset një angazhim i gjithanshëm i yni. Historikun e shkollës shqipe e ndanë në tri periudha:1990-1995 hapat drejt pavarësimit të shkollës shqipe, 1995-1999 hapja e shkollës shqipe në mbarë Zvicrën dhe 1999 gjer sot. Ku përfshihen shumë emra të aktivistëve, mësuesve, nxënësve dhe shkollave shqipe, me tekst dhe foto të shumta. Dr. Vaxhid Sejdiu librin e ka konceptuar mjeshtërisht edhe me nëntituj të shumtë. Në libër përfshihen edhe artikuj, tekste e materiale ndihmëse për mësim, fotografi të figurave tona kombëtare dhe punime e biografi të ndryshme. Duhet theksuar që për ta lexuar këtë libër lypset një angazhim, përqendrim dhe reflektim nga se pas leximit do të kuptojmë sa mall e dashuri, sa angazhim e mobilizim kishte dhe ka ende për shkollën dhe mësimin shqip. Theksoj që ka ende angazhim nga se autori në fjalë vazhdon pa ndalë në hapjen e paraleleve shqipe përveç kantonit të St.Gallenit edhe në kantonin e Cyrihut dhe më gjerë. Në fund e falënderoj Dr. Vaxhid Sejdiun për këtë libër e shkrime tjera duke i dëshiruar shëndet e suksese tjera shkencore.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.