Tridhjetë vite më parë, Bari i Italisë ishte një nga “dyert” hyrëse për eksodin e shqiptarëve pas rrëzimit të komunizmit. Qindra e mijëra shqiptarë nisën të ndërtojnë jetën e tyre në këtë qytet e në të gjithë Italinë nisur nga zero, ku as diplomat shqiptare nuk njiheshin. Por shumë prej atyre që u larguan me anije në vitin ’90 sot janë integruar më së miri në shoqërinë italiane e madje me kontribute në shoqërinë italiane në fusha të ndryshme duke u bërë pjesë e tyre.
Por rrënjët nuk harrohen kurrë dhe edhe pse janë larg prej vitesh sytë janë nga Shqipëria, se si mund të ndihmojnë apo kontribuojnë për vendi e tyre. Pikërisht duke pasur këtë në mendje, për të qenë një urë lidhëse mes Italisë dhe Shqipërisë u krijua në Bari shoqata “Shqiponja e Mëndafshta” , që mori jetë falë nismës së grave dhe vajzave shqiptare që jetojnë atje.
Zv. Presidentja e shoqatës, Eva Meksi tregon rrugëtimin e kësaj shoqate në një intervistë për “Diaspora Shqiptare” dhe planet për të ardhmen.
– Dy vajza morën iniciativën një vit më parë për tu bërë bashkë me miq shqiptarë e me një ftesë zinxhir mblodhi mjaft vajza e gra në karrierë në Bari. Prej atje nisi ideja e lindjes së shoqagtës “Shqiponjat e Mëndafshta”. Cilat janë arsyet që çuan në krijimin e saj?
E vërtetë, shoqata jonë ka lindur në mënyrë shumë natyrale. Ne jemi një grup vajzash, tashmë e konsoliduar në një shoqatë, të cilat jetojmë e punojmë në një nga qytetet më të rëndësishme të Italisë, si Bari. Disa nga ne kanë emigruar në fillim të viteve ‘90, të tjera vite më vonë. Dikush për arsye pune, të tjera akoma per arsye studimi. Tashme secila gjendet e realizuar në rrugën e ndërtuar. Ajo ç’ka na bashkon është sakrificat e shumta për arritjet e fituara. Janë situata dhe vështirësi që përjeton vetëm kur gjendesh jashtë vendit tënd. Nga një njohje në një tjetër, nga një përputhje eksperiencash, lindi dhe dëshira për të krijuar një hapësirë tonën, të thjeshtë por të përkujdesur për të mundur të përpunojmë idetë dhe bashkëpunimet tona ne te ardhmen.
– Pse ky emër “Shqiponjat e mëndafshta”?
Për sa i përket emrit në ditën e formimit të shoqatës ndër pikat e diskutimit kishim edhe një listë e përbërë nga emra të ndryshëm (ide që kishim mbledhur secila nga ne). Por asnjë emërtim i listës nuk ishte i bindshëm. Ne jemi një shoqatë e gruas dhe për gruan, por mbi të gjitha themelueset e kësaj shoqate janë shqiptare. Qëllimi jonë që në themelimin e saj ka qenë dhe është edhe rrëfimi e demostrimi i historisë së gruas shqiptare, të rolit të saj në të shkuarën, pa harruar të tashmen që jemi ne. Pra, nga kemi ardhur, ku jemi dhe çfarë përfaqësojmë. Pikërisht edhe emri duhet të përmblidhte të gjitha këto aspekte të rëndësishme.
Kështu që emri “Shqiponjat e mëndafshta” ka qenë një dashuri me dëgjim të parë. Një emër i propozuar nga Alda Kushi, një nga themelueset e kësaj shoqate dhe një element i rëndësishëm për komunitetin tonë këtu në Bari. U quajtëm kështu sepse e ndjemë që na përkiste, Shqiponja është forca dhe vendosmëria që na karakterizon ne shqiptarëve dhe krahas saj të vendosësh delikatesën dhe elegancën e mëndafshin…elemente këta që na përkëdhelën shpirtin dhe u ndjemë të plotësuara.
Kështu ndodhi ku për herë të parë emri “Shqiponjat e mëndafshta” është shkruar në statutin e shoqatës.
Mbas një muaji të themelimit emri u plotësua dhe nga logo e krijuar dhe realizuar nga artisti shqiptar Tani Nebi. Interpretimi i duarartit Nebi ka qenë pikërisht kjo: “ kthetrat e shqiponjës me ngjyrë kuq e zi, kuptimi i forcës dhe vendosmërisë, që mbledhin e përqafojnë një lule vjollce delikate dhe elegante”.
– Flasim për një shoqatë të grave dhe vajza si një zë i fuqishëm i shoqërisë dhe shqiptarët në Bari kanë ndihmuar mjaft këto vitet e fundit vendin e tyre që nga situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe në kohën e pandemisë. Cila është rruga e “Shqiponjave” përveçse kontributit për shqiptarët në Bari?
Të faleminderit që përmend disa nga kontributet e dhëna nga ne, siç është ajo lidhur me situatën e tërmetit në 2019. Është një ngjarje qe na ka prekur thellësisht dhe për të cilën krenohemi për faktin që kemi qenë pjesë aktive në ndihmë.
Për t’u rikthyer tek pyetja, shoqata jonë është e përbërë nga gra dhe në funksion të gruas dhe rolit të saj në shoqëri. Aktualisht numërojmë mbi 20 anëtare, kryesisht me origjinë shqiptare por kemi edhe të kombësive të tjera, sepse një nga pikat kryesore të statutit tonë është ajo e mos vënies së limitit të kombësisë. Tashmë ne jemi konkretizuar në territorin ku jetojmë me anë të punës që vazhdojmë të bëjmë dhe e të qenurit pjese aktive e ngjarjeve të ndryshme këtu në Bari.
Qëllimi i shoqatës tonë është ajo e shërbimit si një urë lidhëse midis dy realiteteve të ndryshme por dhe të ngjashme midis tyre, siç është vendi jonë Shqipëria dhe vendi tjetër ku ne jetojmë, Italia. Të jesh urë lidhëse nuk është e thjeshtë, sepse duhet shumë punë, ide, përpunim idesh në projekte dhe realizimi i tyre. Të jesh urë lidhëse kryesore është të fillohet nga pika e parë, që në këtë rast është gjuha. Pa njohjen e gjuhës nuk mund të kalojmë në nivele të tjera. Pa njohur gjuhën nuk njohim dot historinë, kulturën, traditat dhe pa ruajtur të gjitha këto arrihet në një pikë ku dimë ku jemi por kemi harruar nga kemi ardhur.
Pikërisht për këtë arsye pika jonë qendrore është themelimi i një shkolle të gjuhës shqipe këtu në Bari, sepse është nje institucion që mungon.
Rruga tjetër që ne kemi si synim të ndjekim është promovimi i kulturës dhe librit në veçanti. Për këtë arsye ajo ç’ka duam të ndërmarrim është promovimi, njohja dhe mbështetja e autorëve/shkrimtarëve të rinj shqiptar. Këtu në Itali kemi shumë bashkëkombës që kanë publikuar libra. Ne si grup në 2019 kemi ftuar në Bari dhe promovuar librin e autorit Darien Levani, pranë librarisë “La Feltrinelli”.
E rëndësishme është edhe mbajtja e lidhjeve dhe komunikimi me pjesë të tjera të diasporës shqiptare. Kjo si për lindje bashkëpunimesh por edhe për shkëmbim idesh dhe eksperiencash.
Ne jemi shoqatë e krijuar vetëm pak muaj më parë e në mes të një pandemie ndërkombëtare që vështirëson çdo aktivitet por nuk jemi shkurajuar, përkundrazi, kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë, mjetet e komunikimit për të qenë aktivë e për të realizuar me hapa të vogla dhe me vetëdijshmërinë që duhet shumë punë dhe të qënurit sistematik.
– Eva keni shkuar në Bari të Italisë 30 vite më parë dhe tashmë e konsideroni si qytetin tuaj. Na tregoni pak për rrugëtimin tuaj atje, karrierën dhe përshtatjen me mjedisin italian.
Këtë vit bëhen plot 30 vjet që nga ardhja ime në Bari me të “famshmin” eksod masiv të gushtit ’91 me anijen Vlora. Është shkruar e treguar shumë për këtë eksod. Unë vetë jam një nga protagonistët e disa dokumentarëve, emisione televizive e artikuj të ndryshëm ku kujtoj e tregoj si erdhëm e fillimet tona të vështira në një vend të huaj.
Ky eksod shënoi jo vetëm përballjen më të madhe të shtetit italian me problemin emigracion por edhe kthesën e marrjen e masave të rrepta për ta kundërshtuar e rregulluar atë me ligje më të rrepta. Nuk u pritëm me krahë hapur si eksodet e disa muaj më parë por urdhri ishte kthimi mbrapsht.
Në një farë mënyre e me ndihmën e qytetarëve të thjeshtë të Barit unë arrita të qëndroj në Itali e mbas një viti të vështirë si “clandestini” arrita të marr dhe lejen e qëndrimit.
Kjo bëri të ligjshëm qëndrimin në Itali por për integrimin e vërtetë na janë dashur shumë vite, sakrifica e punë.
Për vite me radhë shqiptarët shiheshin si e keqja vetë. Radio, televizioni e artikujt në gazeta përcillnin vetëm lajme ku shqiptarët ishin protagonistë të episodeve negative. Megjithatë unë kurrë as kam mohuar e as kam fshehur të qënit shqiptare, përkundrazi, kam insistuar të tregoj që shqiptaret jemi ne që sakrifikohemi e punojmë ndershmërisht.
Kur ika nga Shqipëria sapo kisha mbaruar studimet universitare në degën ekonomik por në Itali nuk njihej e kam bërë edhe punët më të thjeshta, duhet të sakrifikoja për të jetuar me dinjitet e pa i shtrirë dorën askujt. Më vonë fillova të punoj si përkthyese për ndërmarrje italiane që kishin lidhje me Shqipërinë apo në kurse specializimi për shqiptarë, por nuk arrita të bëj konvertimin e diplomës në Itali.
Nuk mohoj që për vite me radhe nuk e ndjeja veten në shtëpinë time, më mungonte familja, miqtë edhe pse në Bari kam hasur gjithmonë njerëz që me kanë dashur e respektuar pa paragjykime.
Fillova ta ndjej e ta jetoj Barin si shtëpinë time kur u bëra nënë. Në mënyrë paralele me rritjen dhe edukimin e vajzës time në Itali, u forcua tek unë dhe ndjenja e përkatësisë dhe e identifikimit tim në shoqërinë italiane. Vajza ime, që sot është studente universitare, është rritur me frymën e ndërgjegjësimit e të krenarisë që është shqiptarë, duke mësuar të flasi gjuhën shqipe krahas italishtes, duke lexuar e mësuar për Shqipërinë përmes librave që në moshë shumë të vogël.
Integrimi i plotë erdhi kur mora shtetësinë italiane. Kjo më hapi dyert e më dha mundësinë që të kandidoja edhe në zgjedhjet bashkiake të Barit në 2019.
Pasioni im për fotografinë shton tek unë çdo ditë e më shumë lidhjen me Italinë e Barin në veçanti. Fotografia të bën më të ndjeshme më të kujdesshme për ambientin që të rrethon, vlerëson gjëra që një sy i shkujdesur as nuk i sheh.
– Sa i konsoliduar është komuniteti shqiptar në Bari?
Qytetarët shqiptarë apo me origjinë shqiptare në Bari përbëjnë një fetë të rëndësishme të popullsisë në Bari e në provincat e tij, janë të integruar në mënyrë perfekte tashmë por për mendimin tim nuk bëjnë mjaftueshëm komunitet midis tyre.
Duhet promovuar organizimi e forcimi i komunitetit shqiptar sepse do të jetë ndihmë për vetë atë dhe pasurim i mëtejshëm për shoqërinë shqiptare.
Në një farë mënyre integrimi ynë perfekt në territorin italian ka ardhur si rrjedhojë edhe e këtij “difekti” që kemi për të mos krijuar rrjet mes nesh (për arsye të ndryshme që nuk është ky vendi për t’i shpjeguar) por ka ardhur momenti e janë pjekur të gjitha kushtet për ta thurur e forcuar këtë rrjet, për të konsoliduar me krenari e gjithmonë e më shumë komunitetin shqiptar./ diasporashqiptare.al
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.