Firenze, Siena, Pienza, Montepulciano, Cortona, Castellina in Chianti, Monteriggioni, Colle di Val d’Elsa, San Gimignano, Volterra, Grosseto, Castiglione della Pescaia, Arezzo, Livorno, Pisa, Lucca, Viareggio, Pietrasanta, Massa Carrara, Pistoia, Prato e Fiesole.
Një projekt i shtëpisë botuese Betti Editrice – nën përkujdesjen e shkrimtarit dhe gazetarit Paolo Ciampi dhe parathënie të shkrimtarit Marco Vichi. Një libër që mbledh si një kuti dëshirash, fjalë që nuk kishim shkruar ndonjëherë, duke vendosur brenda pafundësinë e emocioneve që kemi përjetuar gjatë muajve të izolimit të plotë, prapa dritareve. Italia ishte tronditur rëndë. Trishtimi kishte hyrë në shtëpitë dhe kockat e të gjithëve; në kisha, besimtarë dhe jobesimtarë; kishte arritur të priste edhe linjat paralele të trenave që nuk preken kurrë. Stola e piaca bosh, maska mbi buzë të paputhura. Nëpër parqet ku luanin fëmijët, mbizotëronte heshtja. Njerëzit largoheshin për në banesën e fundit, pa asnjë lamtumirë, drejt një rruge pa kthim. Në këto momente të vështira, përsa i përket edhe raporteve njerëzore, më dukej sikur koha rrinte me sitë në dorë… Duhej të gjenim një vend – për t’u rigjetur përsëri me njëri-tjetrin, një vend ku të ndaleshim për të terguar e për të ndarë emocionet e asaj periudhe, dhe një vend më të bukur se faqet e një libri, nuk ka.
Janë rreth 250 shkrepje nga dy fotografët senezë, Luca Betti dhe Luciana Petti të cilët dëshmojnë për vendet e shpirtit të tyre, qytetet dhe piacat e Toscanës, duke fotografuar mungesa dhe heshtje, sheshe bosh, diellin që nuk gjente kalimtarë për të krijuar hije. Të gjitha në mënyrë rigoroze bardh e zi, në shenjë respekti për një zi, që i përket të gjithëve. Asaj që është thelbësore për syrin e fotografëve, i parangjiten tekstet e gazetarëve dhe shkrimtarëve që jetojnë pikërisht në Toskanë: Tito Bardini, Paolo Ciampi, Denata Ndreca, Massimiliano Scudeletti, Oreste Verrini, Michele Cocchi, Michele Taddei, Alessandra Cotoloni, Carolina Taddei, Massimo Bertozzi, Enzo Brogi, Marco Ceccarini, Marzia Greenage Dati, Damiano Fedeli, Giovanni Macchia, Luca Martinelli, Gianni Marucelli, Gabriele Masiero, Dianora Tinti, Kulla Elena Torre Helen.
Kur më kërkuan të bashkëpunoja në këtë reportazh, ndjesia që provova, ishte se pas shumë vitesh, më në fund, ndihesha në shtëpi…kufizimi i lirisë, mua nuk më gjeti të papërgatitur… Ndër mend më riktheheshin ngjarjet e 1997, të cilat u bënë shkak për largimin tim nga Shqipëria. Në mënyrë të pavetëdishme kërkoja zhurmën e plumbave, sepse fjalës “luftë” me të cilën bombardonin lajmet dhe gazetat, nuk arrija t’i gjeja një justifikim. Më ishte e vështirë që heshtja të më friksonte. Edhe formula e re që duhej të aplikohej në ditët tona, për shkak të emergjencës Covid19, në një farë mënyre më dukej e njohur. Në fund të fundit, si shqiptare që jam, me “distancat sociale”, jam e mësuar, tashmë xhepat i kam plot… Nganjëherë mjafton të thuash nga vjen, dhe largësia mes njerëzve, ndodh në mënyrë automatike. Prandaj kemi nevojë – për libra pa kufi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.