Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në Shqipëri, OSBE ka deklaruar se ka përshtatur punën e saj për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të institucioneve shqiptare, shoqërisë civile dhe grupeve të cenueshme.
Së fundmi, OSBE ka dhuruar për Policinë Kufitare pajisje dhe dezinfektantë për mbrojtjen nga COVID-19, të cilat do të shpërndahen në të gjitha pikat e kalimit kufitar, në porte dhe në aeroportin “Nënë Tereza”.
Policia e Shtetit bën me dije se sasia e dhuruar e pajisjeve mbrojtëse si termometra me infra të kuqe, maska plastike për fytyrën, doreza, kostume, alkool dhe dezinfektantë, kap shumën 20 mijë euro.
Donacioni iu dorëzua Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga Shefi i zyrës politike në Prezencën e OSBE-së në Tiranë, Laurentiu Stinga dhe nga Këshilltarja për Asistencën Policore dhe Manaxhimin e Kufijve, Mira Xhamallati.
”Këto ndihma vijnë në momentin e duhur dhe përkojnë me hapjen e kufijve. Kjo është pjesë e asistencës dhe kontributit të vazhdueshëm që prezenca e OSBE-së në Shqipëri ofron për Policinë Kufitare. Duam t’ju sigurojmë gatishmërinë tonë për të ndihmuar Policinë e Shtetit në përmbushjen e detyrave të saj”, tha Laurentiu Stinga.