Kur nuk kanë kaluar ende 3 muaj nga dalja në rumanisht e “Kalorësit me skifter” shtëpia botuese “Humanitas” sjell një tjetër vepër të shkrimtarit Ismail Kadare. Si të gjitha veprat e tjera edhe ky roman është sjellë në gjuhën rumune nga përkthyesi i njohur Marius Dobresku.
Lajmin për këtë prurje jubilare e dha vetë Drejtorja e shtëpisë botuese “Humanitas” Denisa Komënesku e cila u shpreh: “Ismail Kadare është nga të rrallët shkrimtarët evropianë që meriton prej kohësh të nderohet me çmimin “Nobel”. Është i kandiduar prej vitesh të tëra edhe në listat e basteve letrare, ndaj shpresojmë që ai të marrë këtë çmim, ndoshta vitin që vjen në 85-vjetorin e tij”.
Ky është edicioni i tretë i botimit të këtij romani. Botimi u krye në kuadër të serisë me titull “Rafti i Denisës”.
Dy botimet e tjera kanë dalë në vitin 2002 ku sërish ishte shtëpia “Humanitas” ndërsa 10 vjet më parë ishte shtëpia botuese “Polirom” (2010) që e kishte botuar.
Në kopertinën e “Gjeneralit” të 2020-ës shtëpia botuese ka veçuar një cilësim që gazeta amerikane “Nju Jork Taims” i ka bërë shkrimtarit tonë: “Ismail Kadare, një romancier i madh i botës”. Ndërkohë edhe në njoftimin për daljen e romanit, shtëpia botuese sërish ka veçuar dy qëndrime që kritika britanike dhe ajo franceze kanë bërë për shkrimtarin e madh shqiptar:
“Independent on Sunday” shkruan: “Kadare është krahasuar me Gogolin, Kafkën dhe Oruellin duke pasur në të njëjtën kohë një zë unik, universal por dhe thellësisht të ligjëruar nga origjina e tij”
Ndërsa nga “Le Monde” citon: “Ajo që bën përshtypje që në fillim është ironia e hollë e autorit: gjenerali i tij italian nuk është karikaturë. Ka virtyte, kryesori ishte që nuk beson përveçse përgjysëm në misionin e tij. Dhe ka më shumë të meta: sidomos atë që tregon një indiferencë të papritur për çdo gjë”.
Por ardhja e një libri në duart e lexuesve është një ngjarje emocionale edhe për atë që e ka mundësuar sjelljen në gjuhën e rumunëve, përkthyesin vetë.
Marius Dobrescu (Marius Dobresku) është i vetmi specialist i gjuhës shqipe që gëzon besimin dhe miratimin nga shkrimtari Ismail Kadare për të përkthyer veprën e tij. Duke ja vlerësuar punën, shkrimtari i shquar është shprehur se ai është: “përkthyesi më i mirë dhe më besnik i tij”.