Aeroporti i Rinasit vijon të jetë i mbyllur pas protestës së kontrollorëve të trafikut ajror, ndërkohë që një pjesë e këtyre të fundit janë shoqëruar në polici.
Sakaq, policia e Tiranës ka nisur hetimet për “shpërdorim detyre” ndaj tyre. Ky veprim erdhi pas kallëzimit të bërë nga AlbControl.
Një ngjarje e paprecedentë, e para në historinë e aviacionit civil në Shqipëri ndodhi ditën e djeshme. Aeroporti më i rëndësishëm në vend, ‘Nënë Tereza’ ka anuluar të gjitha fluturimet për një kohë të pacaktuar. Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në AlbControl kanë ndalur punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën e tyre duke pezulluar fluturimet.
Për këtë ngjarje të rëndë pati reagime shumë të ashpra nga autoritetet shtetërore. Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e kanë cilësuar si një grusht shteti që ka prapavijë politike dhe se është i nxitur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Më herët vetë Rama u bëri thirrje kontrollorëve që të ndahen nga organizatorët e grevës që i futën në këtë lojë të rrezikshme dhe t’i rikthen punës.
Në lidhje me çështjen edhe presidenti Ilir Meta tha se kontrollorët duhet të nisin punën dhe të mos e ndërpresin atë, ndërsa u bëri thirrje qeverisë, institucioneve dhe ambasadorëve në vendin tonë që të uleshin në dialog për të zgjidhur këto tensione.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.