Një nga figurat e Diasporës shqiptare në Itali dhe Europë, sipërmarrësi dhe bamirësi, Muharrem Salihu është nderuar dje, nga Presidenti i Shqipërisë, me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.
“Jemi mbledhur sot për të nderuar një figurë emblematike të Diasporës sonë kombëtare”, tha në ceremoninë e rastit, Presidenti Ilir Meta.
I lindur në Tupallë, pjesë e komunës së Medvegjës, në Luginën e Preshevës, Muharrem Salihu është detyruar të emigrojë si shumë shqiptarë të tjerë, por ai nuk e ka harruar kurrë vendlindjen e tij.
Në Venecia, rajoni Veneto i Italisë, ai ka ngritur një biznes të suksesshëm (ndërmarrja e tij është shpallur ndër 10 më të mirat, midis më shumë se 1 milion bizneseve të rajonit).
Suksesin e tij nuk e ka përdorur për lukse personale por për të ndryshuar jetën e shqiptarëve që mbetën pas në trojet tona autoktone në Serbi.
“Muharremi ka financuar kërkimin, studimin e valleve, e kostumeve popullore të Medvegjës dhe ka realizuar një konferencën shkencore mbi trashëgiminë kulturore”, tha Presidenti Meta. “Ky kontribut është një trashëgimi, që ne të dëshmojmë botërisht gjurmët e ekzistencës sonë të hershme kombëtare në Medvegjë, komunën më të madhe në Luginën e Preshevës, që sot po mpaket, po tkurret. Por Muharremi nuk dëshiron ta lejojë këtë. Dhe Muharremi na ka bërë thirrje dhe ne t’i bashkohemi ndërmarrjes së tij kombëtare”.
“Nëse ne nuk shkojmë të shohim ato vende të mrekullueshme, Banjën e Sijarinës, një mrekulli natyrore, Medvegjën e gjeneral Veli Dedit, Tupallën e akademikut Idriz Ajeti, nuk do të kuptojmë Muharremin, rrënjët e Muharremit, rrënjët tona, gjakun tone”, tha Presidenti Meta gjatë ceremonisë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group