Mjeku shqiptar i urgjencës në Londër, Adrian Fandi ka publikuar përmes një grafiku të thjeshtë protokollin për trajtimin e COVID-19 që po ndiqet në Angli aktualisht.
Duke folur për situatën e pandemisë atje, mjeku Fandi ndalet në një prononcim për “ABC News“ tek mënyra e trajtimit të koronavirusit tek të sëmurët.
Sipas tij arsyeja se pse është ulur numri i të vdekurve në valën e dytë është për shkak se është përmirësuar mënyra e trajtimit.
“Në valën e parë ishin të papërgatitur. Unë u shtrova në spital në prill vetëm për të marrë oksigjen. Në valën e parë kishim shumë të vdekur sepse nuk dinim çfarë ndodhte. Tani jo se kemi gjetur ilaçin, por mënyrën si të trajtojmë të sëmurët. Nga mesi i tetorit ka filluar numri i lartë i të sëmurëve, jo të infektuarve”, tha ai.
Më tej mjeku tha se në Shqipëri të sëmurët po trajtohen gabim. Sipas tij mjekët në Shqipëri fillojnë direkt me antibiotikë gjë që nuk është e nevojshme.
“Unë isha në Shqipëri dhe kam kontakte me kolegët atje. Në Shqipëri fillojnë direkt me dhënin e antibiotikëve pa kriter. Japin antibiotikë që ne i përdorim në infeksione shumë të rëndë. Ilaçi i shtrenjtë nuk është ai që të shëron, por ilaçi i duhur. Antibiotiku nuk shëron virusin. Kur fillon inflamacioni aty hyn puna e mjekut. Por mjeku duhet ta dijë është problem viral”, tha Fandi, ndërsa shtoi se skaneri dhe analizat e tjera duhet të bëhen 5 ditë pasi kanë filluar simptomat e para.