Në ditët e fundit të marsit (më 27 mars 2024), në mjedisin e Shtëpisë Botuese “Elkistis” në Selanik u bë promovimi i dy librave në gjuhën greke të shkrimtarit, poetit dhe publicistit emigrant, Edmond Shallvari, “Në urbanin e fantazive: Dhanai dhe Orfea” dhe “Njëmbëdhjetë ditët e rrëfimit plus Një”.
Në këtë takim letrar merrnin pjesë miq të autorit, dashamirës të librit dhe krijimtarisë së tij, njerëz të penës, shqiptarë dhe grekë. E pranishme gjithashtu edhe zëvendës konsullja e Shqipërisë, znj. Iliada Paci.
Mbi librat
“Në urbanin e fantazive: Dhanai dhe Orfea”
Në urbanin e qytetit, Dhanai, një grua e bukur, njihet me shkrimtarin Orfea. Pas herës së parë, takimet në urban shtohen në ditët e javët në vazhdim, duke krijuar një afinitet përtej një miqësie të zakonshme. Dhana i zbulon Orfeas sëmundjen e saj të pashërueshme, por që nën kujdesin mjekësor, terapinë, etj, nuk përbën rrezik serioz për jetën. Sëmundja ka krijuar ftohtësi, deri në pragun e ndarjes, me burrin e saj, por dashuria mes tyre ende nuk i ka çuar tej pragut. Megjithatë, marrëdhëniet janë në krizë dhe Dhanai fajëson më tepër veten se burrin. Ajo ndjen se sëmundja është shkaku i ftohjes seksuale me të shoqin. Njohja me Orfean i ringjall ndjenjat dhe ajo guxon ta verë veten në provë erotike, por këtë radhë me Orfean. Edhe Orfea është i martuar dhe tepër i dashuruar me gruan e tij. Çfarë ndodh në vazhdim mes Dhanait dhe Orfeas? Enigmën mund t’jua zbulojë vetëm leximi i këtij libri të veçantë erotik.
“Njëmbëdhjetë ditët e rrëfimit plus Një”.
Shkrimtari Andrea, i emigruar në vendin fqinj me familjen e dy djemtë e tij, vendos një çast të jetës ku ndjehet mëkatar, të bëjë jetën e murgut në një manastir të Malit të Shenjtë (Agjio Oros). Rrëfimet në manastir për jetën e tij, përbëjnë njëkohësisht librin e ri, të cilin e boton me shpresën se pasi të lexohet nga gruaja dhe fëmijët, ata do ta falin e pranojnë të kthehet pranë tyre. Çfarë ndodh në të vërtetë në manastir dhe mes faqeve reale dhe ireale të librit? Kush është rrëfimi plus një, veç 11 ditëve të rrëfimit të Andreas në manastir? Të fshehtat zbulohen ne faqet e librit.
Mbi autorin
I lindur në qytetin e Korçës më 1957, Edmond Shallvari përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën Ekonomist për Industrinë. Prej vitit 1997 jeton në Selanik, Greqi nga ku edhe vazhdon të punojë si shkrimtar dhe krijues. Ai është anëtar i Lidhjes së krijuesve emigrantë “Dega e Gjelbër” e Selanikut dhe Klubit te Shkrimtareve Drita ne Athine. Krijimtaria e tij është e njohur nga lexuesit përmes librave te botuar dhe faqeve letrare te gazetave e revistave letrare ne Greqi dhe Shqipëri si dhe internetit. Është vlerësuar me çmime te ndryshme mes te cilave, Çmimi “Kadare” ne vitin 2012 dhëne nga Klubi Drita për romanin “Facebook- koobecaF”, Çmimi letrar “Frang Bardhi” 2015 për tregimin e shkurtër, etj. Botimet e tjera veç atyre te njohura këtu, përfshijnë, romanin “Facebook- koobecaF”, i cili është perkthyer dhe botuar ne gjuhen greke me titullin “To kastro ton skion” (Keshtjella e hijeve), libri me poezi “Absurditet apo…” etj.
Librat mund ti gjeni edhe ne Amazon:
https://www.amazon.com/s?k=Edmond+Shallvari&rh=n%3A154606011&ref=nb_sb_noss