Ambrogio Bellizzi nga Firmo, Kalabri mbajti një kumtesë bazuar në përvojën e tij të mësimdhënies në shkollat e Kalabrisë. Bellizzi theksoi përgjatë kumtesës së tij paraqiti mënyrën si janë angazhuar fëmijët në procesin e mësimdhënies së gjuhës arbëreshe. Ai theksoi se përgjatë viteve janë prodhuar materiale të ndryshme mësimore, disa prej të cilave janë mbledhur në botime/vëllime të botuara. Ndër këto: vepra kushtuar lojërave të së shkuarës, Lojërat dhe lodrat në traditën popullore të Fermës dhe vëllimi “Kujtimet. Si qemë një herë”, si dhe ai nënvizoi rolin e teatrit si instrument për mësimin e arbërishtes te fëmijët e shkollave fillore.
Ndërsa Fernanda Pugliese nga Montecilfone, Molise mbajti kumtesën e titull: Gjuha arbëreshe në bashkësitë arbëreshe të Molise-s. Prof. Pugliese analizoi programet dhe strategjitë që duke përfshirë sferën institucionale dhe publike, mund të futen në përdorim për të ngjallur kuriozitet dhe interes, në mënyrë që gjuha e etërve të bëhet bartëse e vlerave të lashta të përfshira në transformimet e vazhdueshme. Shtysa erdhi nga një studim i kryer nga profesorë të Universitetit të Monpellier si prof. Ksenija dhe Leo Lèonard, ku rezultoi se gjuha arbëreshe në bashkësitë shqipfolëse të Molise-s është ende e përhapur në popullatën e moshës madhore që praktikon përdorimin e saj gojor, por që përdorimi i saj është i rrezikuar ndër brezat e rinj.
Në ditën e dytë të Kuvendit, ka ligjëruar edhe dr. Edmond Cane nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët. Ai vijoi me kumtesën me titull: Përcaktimi i niveleve të përdorimit të arbëreshëve, transmetimi i tij midis brezave dhe prioritizimi i faktorëve, si parakusht për zhvillimin e politikave gjuhësore.
Dr. Cane paraqiti të dhënat parësore të marra nga puna në terren e kryer në kuadër të ekspeditës në komunat arbëreshe në qershor 2022. Këto të dhëna parësore që vijnë nga kërkimi sasior me studimin e variablave si numri i komunave, pesha specifike e popullsisë së këtyre komunave, shtrirja gjeografike si dhe tipologjia e tyre, të dhëna këto të kombinuara me vëzhgimin e drejtpërdrejtë në terren çuan në përfundimin që gjuha arbëreshe është në kufijtë e mbijetesës në komunitetet e këtyre kantundeve arbëreshe në Kalabri.