Athanas Tashko dhe gazeta e tij “Shkopi”

E shtunë, 27 Prill, 2024

Shoqëria shqiptare e Misirit të befason me aktivitetin e saj, me idealizmin, me përkushtimin për çështjen e lirisë, të mahnit me plejadën e atdhetarëve, publicistëve, shkrimtarëve, folkloristëve, që do të shkëlqenin në lëvrimin e gjuhës shqipe, në përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, mbledhjen e trashëgimisë popullore, etj. Por jo vetëm kaq, siç pohon dhe studiuesi Stilian Adhami, në fund të shek.XIX dhe në dekadën e parë të shekullit tonë, Misiri u bë qendra e shtypit shqiptar si nga numri i gazetave, ashtu dhe nga përhapja e tyre; si gazeta “Besa- Besë”, e M. Duçit, gazeta ”Toska” nga Vruho e Duçi, “Besa”, “Shqipëria”, “Pellazgu” etj. Gazetat dhe revistat të cilat u botuan në Egjipt, në gjysmën e parë të shek.XX, ishin sa të larmishme aq dhe të pasura në përmbajtjen e tyre.Titujt evokonin zërin e kushtrimit ndaj çështjes shqiptare, që ishte në procesin e gjetjes së zgjidhjes e të shtetformimit.
Një nga këto ishte dhe gazeta “Shkopi” nën drejtimin e Athanas Tashkos, në bashkëpunim të ngushtë me kolegun e tij Jani Vruho. Athanas Tashko ka hyrë në historinë e jetës politike dhe kulturës shqiptare, veçanërisht me publicistikën e tij plot mendime të thella dhe të rëndësishme, në shërbim të kohës kur ai shkroi dhe botoi. Publicistika e tij është me gjerë, por ky organ prej të cilit kemi vetëm 4 numra ishte iniciativë e Athanasit, i cili jo vetëm kontribuoi me shkrimet e tij, e mbështeti vetë financiarisht dhe akoma më tepër e përhapi falas me shënimin:”Kush të dojë sa të sojë”. Sipas autorit të librit mbi jetën dhe veprën e tij, E.Koço, kjo gazetë ka vlerën e kontributit të tij sa personal të Tashkos, aq edhe misionar. Artikujt pa emër, anonimë të gazetës (sipas J.Vruhos) ishin të tijat: ”Sa shkrime me shënim “Dora” patën qënur mendimet e tij. Të katër numrat e “Shkopit” do të pasqyrojnë veprat e atdhetarit të madh, i cili kurrë nuk mendohej për punët vetjake aqë sa mendohej për ato të përbashkëtat”.
Shkopi u botua në Kajro dhe u shtyp në shtypshkronjën “Mrodhësia” të Kristo Luarasit në Sofje. ”Shkopi” gjeti përhapje përveç Egjiptit dhe Evropës edhe në Amerikë e deri në Siberi.
Po ashtu, në nr.3 të “Shkopit”pohohet se:”Të gjitha ato artikulla që janë pa nënshkrim janë të direktorit të “Shkopit”, zotit Dora, të tjerët janë të bashkëpunëtorëve të “Shkopit”. A. Tashko i nënshkruante artikujt e tij me psedunimin ”Dora”.
Sipas F.Tarifës “Si titulli i gazetës ashtu dhe pseudonimi i editorit të saj kishin një kuptim alegorik domethënës;”Shkopi” nënkuptonte armën e kritikës e të ndëshkimit kundër armiqve të kombit shqiptar. “Dora” ishte ajo që mbante dhe drejtonte shkopin”.
Kjo gazetë kishte idenë e të qëlluarit me shkop për të gjithë ata që nuk kontribuonin apo pengonin çështjen shqiptare, prandaj dhe në krye të gazetës, në numrin e parë të saj deklarohet: “Mpron të drejtat e kombit shqiptar. Lëvdon ata që janë për të lëvduar dhe qorton ata që janë për të qortuar në punëra kombësie, me mërira të veçanta nuk ngatërrohet. Direktor Dora e redaktor çdo njeri me mend e pa mëri të veçantë”.
“Shkopi” e deklaron që në fillim veten si gazetë satirike, duke hapur kështu siparin e së parës gazetë satirike shqiptare:” Gazetë shqip satirike, del kur të mundet në Kajro të Egjiptit shpërndahet pa të holla”. Duke lexuar këtë citim të habit vizioni i këtij njeriu për shkrimin publicistik e gazetarinë në përgjithësi, këtu e një shekull më parë. Sinqeritet i tejskalshëm por edhe gazetari e pastër, pa mllefe personale, shembull i një ndërgjegjeje të pakorruptuar, jo vetëm kombëtare, vetjake, por edhe profesionale. Një model për t’u marrë shembull edhe për gazetarinë, shpesh here, plot mllefe personale të kohëve tona. I gjallë, dinamik, entuziast, njeri i veprimit, A.Tashko siç ishte në jetën shoqërore, ashtu e transmente këtë vrull, energji dhe dinamizëm edhe në shkrimet e tij.
Nëpërmjet pseudonimit “Dora”, ai kërkonte që mendimet e tij të arrinin misionin. Ai nuk pëlqente anonimatin për kauflim, por sepse çështjet që shtronte në artikujt e tij kërkonte t’i përhapte në masë të gjerë, jo vetëm si mendimet e një njeriu të vetëm, por të çdo patrioti dhe misionari të dedikuar për kauzën e kombit, duke u rekur t’i shndërronte ato në mendime kolektive.
Akti i tij ishte ai i një idealizmi e përkushtimi të përkryer, përderisa sakrifikonte buxhetin e vet të emigrantit për botimin e gazetës, që sigurisht kishte kosto të lartë, por edhe rast i rrallë ky, në ato vite që gazeta shpërndahej falas, madje mbulonte me shpenzimet e tij edhe dërgimin me postë. Pra, qëllimi i Tashkos ishte të mbillte farën e shqiptarisë ndër shqiptarë, pa marrë marasysh sa kostonte kjo. Ka disa dëshmi të tilla nga Noli, Sotir Kolea, lexues të tjerë emigrantë, që vërtetojnë këtë të fundit.
Në një letër të një emigranti shqiptar në Amerikë shkruhet: “Mi gazetat e tjera që kam kënduar, jam habitur e që më ka ngritur leshrat e kokës, është gazeta juaj e nderçmja “Shkopi”. U habita më tepër kur pashë që e shpërndani pa të holla”. Numri i parë i gazetës doli në vitin 10.3.1907 dhe vazhdoi deri më 1908, kur do të vijonin punën dy gazetat satirike të Jani Vruhos;”Rrufeja” dhe “Sëpata”.
“Shkopi” ishte një gazetë e karakterit satirik dhe satira ishte elementi kryesor i përshfaqjes së një mendimi të fortë fshikullues dhe shpesh herë i karaketerit polemik. Nëpërmjet satirës kjo gazetë trajtonte kryesisht çështjet më të nxehta politike të kohës, që kishin të bënin me gjendjen e Shqipërisë së asaj kohe. Megjithëse doli vetëm në katër numra, kjo gazetë ishte nga më goditëset dhe më luftaraket e kohës, fshikulla e satirës dhe e sarkazmës së të cilës nuk linte pa prekur asnjë dukuri negative ndër Shqipëri e ndër shqiptarë.
Në gazetën “Koha” të drejtuar nga Grameno, në Xhejmston, me rastin e vdekjes së Tashkos shkruhej: ”Gazeta ”Shkopi” që përndaheshe pa të holla ishte e Thanas Tashkos edhe shërbimet që ai solli janë pemët e sotme! Përpara Atdheut nuk njiheshin në Thanas Tashkoja hatëri e miqësia, ai dhe vëllanë e godiste rreptësisht po të ishte kundër atdheut!
Sipas Eno Koços satira dhe sarkazma ishin tipare të vërteta të Tashkos, tipare këto që mëshiroheshin edhe në qenien e tij, por dhe që u transmentuan në gazetën e tij.Tipari kryesor që manifestohet në të gjitha shkrimet e kësaj gazete është atdhedashuria dhe siç shprehet vetë Tashko në një letër drejtuar S.Koleas te “Liri e Shqipërisë”: ”Atdhedashuria ime nuk është për rekllamë, për qejf, a për interes, është detyrë njeriu me ndjenja të njerzinjta.”
Që në krye shënohej që do të përdoreshin për gazetën të dy gjuhët; shqip dhe greqisht, por artikujt greqisht erdhën gjithnjë dhe duke u tkurur deri ne numrin e fundit. Ndërkohë, me transparencën më të plotë ai bën me dije se: ”Çkopi dalë nga dalë do të përbotojë emrat e gjithë mëmdhetarëve të flaktë, po më tepër të atyre grekomanëve e të turkoshakëve të fëlliqur që të dijë e varfra Shqipëri me kë ka punë”. Dhe e mban fjalën. Në numrin e parë të gazetës, ai flet për vrasjen e Spiro Kosturit: “Të dërguarin Spiro Jovan Kosturë na e vranë grekëtë me të pabesë se pse shpirtmadhi përpiqeshe për kombin shqiptar, d.mth grekët na vrasën po të punojmë për vathënë tonë. Të na vrasin shënjt papa Kriston, të na vrasënë dhe bandillë Spiron, që mezi e kishëm. Spiro, Spiro hap qiejtë dhe lësho rrufet përmbi krerët tona, po të mos marrëm hakën! As fare të mos të të vinjë keq, diqna si u dogje dhe ti o shpirt i bukur për ne! Diqna dhe përvëlona po të heshtimë! Ndjesë pastë shpirti yt o burrë shqiptar dhe ndjesë mos pastë shpirti i atij shqiptari që do të heshtnjë. Amin!”. Prej ketyre toneve panegjirike që shkojnë deri te identifikimi i dëshmorit me me një shenjtor që lëshon rrufetë nga qielli, del adhurimi i tij për ata që përpiqen për çështjen shqiptare, ashtu siç del dhe neveria për grekomanët të cilët nuk ua kursen sulmet e drejtpërdrejta: ”Më i madhi, më i ligu, më i poshtri shqiptar këtu në Misir është Vani i Godesë dhe ky qen ka pjesë në vrasjen bashkë me Vanin e Mongolecit të dhëndrin…”. Natyrisht, që duke i shpotitur njerëzit drejtpërdrejt, ishte e natyrshme që kjo gazetë t’i sillte Tashkosh sa shumë miq. aq edhe armiq. Një nga këto raste shprehet dhe në një shkrim drejtuar gazetës “Shpresa” që e sulmonte “Shkopin”, duke e quajtur botuesin e saj “Rrogëtarë pa rrogë” dhe A.Tashko me mendimin e tij të drejtpërdrejtë dhe sulmonjës i përgjigjet:”Shkopi me të vërtetë është rrogëtar pa rrogë, po jo vetëm i cave, po i gjithë kombit”.
Si në shkrimin për Spiro Kosturin e në shumë të tjera, por edhe në artikuj dhe letra të tij, duket se marrëdhëniet më të vështira shqiptarët e Misirit i kanë pasur me komunitetin progrek, të cilët nuk donin që Shqipëria të njihej si komb më vete dhe të lëvronte gjuhën e saj. ”Grekët na e vranë Spiron si njeri që përpiqeshe për gjuhën e vet të cilët grekët e kanë halë në sy dhe duan ta shuajnë nga faqja e dheut me çfarëdo mënyre”, ndërsa në artikullin “Shkopi ka dalë nga xheneti”, po të nr.1 të revistës thuhet: “Sa për grekomanët duhet një tjetër përorje, kundër këtyre të fëlliqurve ndyracakëve s’duhet bërë gjë tjetër veçse turpërimi, prandaj themi se “Shkopi” i ep lejë çdo atdhetari t’i përdorë këto të pakta porosi mbi fytyrat e çnderuara të spiunëve grekomanë”, artikull ky nga Jani Vruho, i nënshkruar me pseudonimin “Qaf’ e Sinjes”. Po e njëjta antipati është edhe për ata shqiptarë, idhtarë të Turqisë, të cilët janë një lloj me grekomanët. Në artikullin “Çështë Turqia?, Ç’janë shqipëtarët”, duke mos kursyer lumin e sharjeve për Turqinë dhe turqit, duke zbuluar të vërteta në mënyrë të drejtpërdrejtë, me një kurajo të pastër e vetëdije të kthjellët kombëtari, ai i quan turqit të pabesë, pa mëmëdhe dhe të pagdhendur. Me një paralelizëm ngjethës ai më pas vazhdon të shtjellojë idenë se ç’janë shqiptarët që i ndjekin ata. Satira vazhdon për të gjithë ata shqiptarë që shesin për interesat e të huajve veten dhe kombin. Sipas tij, ky është shkaku pse nuk bëhet Shqipëria: “Për besët e tyre shqiptarët nuk vriten.Vriten për kryetarët e besëve të tyre, porsa që pagahun mirë”, dhe sikur të mos mjaftonte ky rrebesh poshtërimesh mbi këtë soj tradhtarësh, jo rrallë, në të katër numrat e “Shkopit” gjejmë dhe vargje të karakterit të bejteve, që përforcojnë më shumë idetë e artikujve dhe rrisin ndjeshëm notat e satirës dhe sarkazmës që arrijnë deri në grotesk. Edhe pse vargjet nuk shquhen për nivel artistik, ideja dhe mesazhi përcillet qartë dhe është plotësisht brenda natyrës satirike të revistës: “O zagarë, o gomarë, / pse u bëtë për të vrarë?, /Ata vetë grekët thonë, / na vjen turp prej njerëzisë, / që të quhemi Elinë”, /Këto punë do ti kishit kupëtuarë me hop, / me nder e jo me shkop”. Po me një vjershë satirike e përshëndet “Shkopin” dhe Mihal Grameno: “Të fëlliqur xhuxh majmunë, / na hëngri të gjithë…në, / U erdh “Shkopi” i Shqipërisë, / O kafshat e Perëndisë, / jetër herë mos pëllisni, / që me grekërit ju ngjisni”. Me sa duket puna, qëllimi dhe misioni i “Shkopit” ishte në rrugën e duhur dhe fshikullima e tij ishte një domosdoshmëri, ndërsa në një vjershë të gjatë me 14 strofa, e nënshkruar me emrin P.Raullasi thuhet:“Ti je thelb i Shqipërisë, / je brum’i naturës’sanë, / je ndihmës i Perëndisë, kundër armiqve t’anë, / Ti je dor’ e Perëndisë”
Gazeta shprehte hapur simpatinë për ata që përpiqeshin ”me mish e shpirt” për kombin e tyre, Nga ana tjetër, ajo fshikullonte e satirizonte me ”shkop” parinë feudale të vendit,”kamësit’ që“ prishnin para pa fund nëpër kafene dhe nuk ndihmonin me asnjë grosh çështjen shqiptare. Ndërsa luftëtarët e lirisë, “Ata që pa pyetur as komitet as njeri, po vetëm zemrën e tyre dhe marrin hakën për të këqijat që heq kombi i tyre nga ata të mëdhenjë shkaktarë, quhen shenjtorë të kombit të tyre”. Me një krahasim shumë sinjifikativ në shkrimin ”Gamilet e Anadolli”, ai i cilëson kështu turkomanët dhe grekomanët: ”Nuk janë njërëz, janë gamile, bukën që hanë e hanë haram, duhet të hanë gjemba të gomarit”.
Në gjirin e shoqërisë së Egjiptit në ato vite kishin lindur mosmarrëveshje midis shqiptarëve. Në faqet e gazetës “Shkopi” dalin në shesh fakte që dëshmojnë për grindje e mospajtime të thella. Në këtël uftë u përfshi dhe Çajupi, i cili gjatë veprimtarisë së tij do t’u kundërvihej elementëve shqiptarë që i përcaktonte si oportunistë. Për këtë ai botoi në faqet e gazetës “Shkopi” vjershën “Shkopi”, ku përgëzonte gazetën dhe bashkohej me frymën demaskuese të saj dhe që i shkonte përshtat qëllimit të vetëdeklaruar të gazetës: ”Si bariu kur vete ndë tufë, / dhe ndan shqerrat nga gjedha e liq, / kështu dhe ti do ndash grekomanët, / të këqinjtë të atdheut armiq”
Një problem tjetër të mprehtë që shtron A.Tashko është çështja e një alfabeti unik të shqipes, në artikullin “Shkronjat e gjuhës tënë ”. Në kushtet e politikës shkombëtarizuese të mohimit të gjuhës dhe shkollës shqipe, çështja e një alfabeti të vetëm ishte urgjente. Por, kjo çështje zhvillohej në gjirin e një luftë të dyfishtë sa ndaj turqve dhe grekërve, që përpiqeshin me çdo kusht të pengonin përhapjen e gjuhës shqipe, aq edhe kundër mosmarrëveshjeve që kishin shoqëritë dhe grupet e ndryshme kulturore të shqiptare në mërgim. Domosdoshmërinë e përhapjes së gjuhës shqipe A.Tashko e shihte si parësore në çështjen kombëtare dhe i jepte një rëndësi të dorës së pare: ”Sot për sot kombi Shqiptar ndahet nga shkaku i mos pasjes gjuhë të liruar në dy degë pa trup; Degë tyrke dhe degë Greku. Po të bënet gjuha shqipe e liruar me shkolla me vete, degët do të bëhen trup, trupi do të jetë e thuhet shqiptar”. Ndërsa për çështjen e alfabetit, ai duke qënë në korent të polemikave të ndryshme që zhvilloheshin aso kohe, përkohësisht mbron idenë e përdorimit të alfabetit të shoqërisë së Stambollit, por i vetëdijshëm se hëpërhë ai mund të plotësonte nevojat urgjente të kohës, por që kishte vend për përmirësim: ”Na duket se është më e mirë dhe e drejtë të ngrohemi tani në këtë oxhak, pak të shtrembërë, i cili na shpie tymin drejt, sesa të rimë me duar lidhur e të ngordhim nga të ftohtët duke u grinder për oxhak”, dhe vizionari mendjekthjellët u dërgon porosinë e tij ironike bashkëkombasve të tij: ”Për oxhak të mirë e të drejtë, të bukur me boj’ e me varak duhet të mendohemi pasi të ngrehim shtëpinë tonë e pasi të futim kokën tënë brenda”
Një pozicion të drejtë e të vendosur mbajti gazeta ”Shkopi” ndaj pushtuesit të huaj e sidomos ndaj ngjarjeve të korrikut të 1908, që sollën në fuqi regjimin konstitucional të xhonturqve. Përsëri, me idealizmin e atdhetarit dhe me mendimin e qartë dhe largpamës të patriotit, ai nuk ushqen asnjë iluzion rreth politikës së re të xhonturqve dhe kostitucionit të tyre. Këtë e përforcon botimi në nr.2 të “Shkopit” një shkrim i Çajupit; ”Kostitucioni në Greqi’, në të cilin Çajupi argumenton me nje stil të ashpër (sipas F.Dados) se shpallja e kostitucionit nuk e shpëton Turqinë dhe se e mira dhe e ardhmja e vendit tonë është shkëputja e plotë nga perandoria anadollake: ”Turqia mund të vejë mbarë, mund të rrojë më shumë vjet, po Shqipëria nuk do të jetë siç dëshirojnë shqiptarët e vërtetë nuk do të qeveriset kurrë dhe do të jetë një copë e Turqisë. Fort mirë për turqit e rinj”. Programi vizionar i Çajupit, Tashkos dhe patriotëve të tjerë ishte që Shqipëria të rrrokte rrugën e Evropës së qytetëruar dhe të shkëputej sa me parë nga Turqia: ”Në duam të jetojmë kombëtarisht duhet të rokim qytetërimin e perëndimit meqënëse gjendemi në palcë të Evropës, se ndryshe si komb jemi të dënuar me vdekje”. Në shkrimet e Tashkos reflektohen qartë pikëpamjet dhe stoicizmi i tij për të mos pasur asnjë mëdyshje ndaj politikave turke dhe greke. Me një mprehtësi logjike, me nje thjeshtësi stili dhe me një të folur të drejtpërdrejt ai thekson:”Turqit e rinj janë më të dëmshëm se të vjetrit se janë ustallarë dhe do na e shuajnë kombësinë tonë më kollaj. Të vjetrit të dërgonin në djall po të thoshe jam shqiptar, të rinjtë të presin gjuhën po të thuash :”Rroftë Shqipëria”. Iluzioni dhe mashtrimi i xhonturqve, me atë pak liri që i dha gjuhës shqipe, është plotësisht i qartë nën optikën e A.Tashkos, të filtruar përmes një përvoje të gjatë dhe të dhimbshme për ne si komb, ndaj deklaron:”Konstitucioni do të na humbasë nesër kombësinë”, duke dashur t’u bëjë me dije shqiptarëve dhe turkomanëve rrezikun evident të fshehur nën petkun e mashtrimit. Si të vetmen rrugë të shpëtimit të shqiptarëve ai propogandon luftën me armë në dorë, ndaj dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë ai i ngre në rangun e shenjtorëve.
Një vend të veçantë zë në gazetë dhe problemi i mosmarrëveshjeve që ekzistonin aso kohe mes anëtarëve të shoqërisë atje. Këtë situatë e përcjellin më së miri dy shkrime të nr. 2 të gazetës ”Shkopi”; ”Vetë vrasësi” dhe ,”Cmiret e veçanta. Mëritë e poshtëra”. E para mer shkas nga një akt gjaknxehtësie i Nikolla Naços ndaj Vasil Zografit, për çështje mosmarrëveshjeje. ”Shkopi” e fshikullon rëndë këtë akt në këta dy artikuj, pa kursyer gjuhën e satirës dhe sarkazmës therrëse, por dhe tonet e forta këshilluese që i bashkëngjiten kësaj satire: ”Çdo patriot i vërtetë, i cili ka punuar e punon për çështjen kombëtare me mish e me shpirt është i nderçëm e i shtrenjtë në gjirin e popullit të tij. Ata që e quajnë të lig’ e të keqe shtimn’ e bashkimin në dashurinë e njësinë, s’mund që të jenë tjetër veç tradhëtorë e sharlatanë”
Me këtë vështrim të shpejtë që i hodhëm disa prej problematikave dhe mënyrës se si i trajtoi “Shkopi” ato, arrijmë në përfundimin se kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në shtypin e periudhës 1900-1912, në zgjimin dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare në prag të Pavarësisë dhe organizimin e një kryengritjeje të armatosur. Faqet e “Shkopit”, sipas S. Adhamit, i përshkonte tejendanë ndjenja e një patriotizmi të kulluar e të panjollë. Edhe pse dilte periodikisht dhe në mënyrë të çrregullt, gazeta luajti një rol të rëndësishëm në kohën e vet, çka siç e përmendëm u manifestua në shumë letra dhe shkrime dërguar Tashkos. Pse “Shkopi” zgjodhi për të folur gjuhën e satirës dhe fshillullimit? Koha nuk priste. Kishte kaluar ajo periudhë e këshillimit të shqiptarëve për bashkim, vllazëri e dashuri që propogandonin rilindasit, tani ata duhet të zgjoheshin. Vetëm vënia e gishtit mbi plagë mund ta bënte këtë. Njeri me logjikë të mprehtë, largpamës, me një intuitë të fuqishme që orientohej vetëm nga atdhedashuria, Tashko përdori satirën dërmonjëse dhe therrëse për të treguar të vertetën e dhimbshme. Satira dhe sarkazma përdoren me mjeshtëri nga njerëz që vuajnë thellë dhe këtë vuajtje preferojnë ta japin përmes talljes dhe goditjes,është aftësia e njerëzve të mençur që e shndërron satirën dhe sarkazmën në një mjet për propogandimin e një qëllimi të lartë ashtu si A.Tashko bëri. Por ajo që duhet theksuar te A.Tashko është se ai hodhi themelet e publicistikës satirike shqiptare, se u përpoq në shkrimet e tij të pulsonte me pulsin e atdheut dhe aspiratave, se u përpoq ta rruante shqipen në shkrimet e tij të pastër dhe jashtë stilit të gazetarisë vulgare, sepse krijoi një gazetë indipendente që nuk iu nënshtrua asnjë klani dhe qëllimi antishqiptar dhe antihumanist, se u mundua që në të shprehurin e vet të afrohej sa më pranë fjalës së latuar me penën e mjeshtrit, se pati kurajon të konstatonte, të akuzonte dhe të denonconte, jashtë çdo lloj tutele politike, se njihte mirë realitetin ndërkombëtar dhe historinë e kombeve, çka i shërbente për krahasime dhe polemika, se ishte tepër vizionar mbi ndërtimin e shtetit të ri shqiptar, ishte realist ironik dhe sarkastik i mprehtë se dinte të sulmonte kur duhej dhe si duhej, me forcën që i jepte mendimi i lirë dhë ëndrra për një Shqipëri ndryshe, se asnjë lloj mjegulle, sado e tejdukshme nuk e mbuloi për asnjë çast idealin e tij për progresin dhe qytetërimin. Vetëm me idealizmin e purifikuar përmes atdhedashurisë, ai meriton të kthehet në një përmendore të aspiratave dhe sakrificave mbi altarin e shenjtë të kombit. Ideali i tij ishte Shqipëria e lirë, ndaj nuk mënonte të thoshte në të famshmet filozofi të “Shkopit: ”Që tani e tutje ay shqiptar që do të bëjë krushqi me komb të huaj, myslyman a i krishterë do të jetë i mallkuar, që tani e tutje ata shqiptarë që shkruajnë në mes tyre letra të tjera përveç shqipes, janë viçër të palëpirë”.
Nga Prof. as. dr. Jonela Spaho

Dekan / Dean
Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë / Faculty of Education and Philology
Universiteti “Fan S. Noli” / University of “Fan S. Noli”