Një përllogaritje e fundit e Eurostat tregon se Shqipëria ka raportin e varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) nga më të ulëtat në Europë, çka tregon se vendi ende ka një popullsi të re në moshë. Por procesi i plakjes në vendin tonë po ndodh me ritme shumë më të shpejta se në BE.
Raporti i varësisë se të moshuarve në BE është rritur ndjeshëm në 20 vitet e fundit. Në vitin 2001, varësia e të moshuarve ishte 25.9%, që do të thotë se kishte pak më pak se katër të rritur në moshë pune (20-64) për çdo person të moshës 65 vjeç e lart. Më 2020, raporti u rrit në 34.8%, që do të thotë se kishte pak më pak se tre të rritur në moshë pune për çdo person të moshës 65 vjeç ose më shumë.
Në Shqipëri raporti i varësisë së moshuarve në vitin 2000 ishte 11,9 % ndërsa në vitin 2021 arriti në 22.3%.
Në Shqipëri treguesi për 20 vite u zgjerua me 10.4 pikë përqind (pp) ndërsa në BE me 8.9 pp.
Evrytania, një rajon malor në Greqinë qendrore, regjistroi raportin më të lartë të varësisë nga të moshuarit (78.3%). Ky rajon u pasua nga rajoni belg veriperëndimor i Arr. Veurne (64.6%) dhe rajoni gjerman i Suhl, Kreisfreie Stadt (61.3%).
Në të kundërt, raportet më të ulëta të varësisë në BE u regjistruan në rajonin francez “Mayotte” (6.1%) dhe Guyane (11.7%) dhe rajonin spanjoll të Fuerteventura (16.5%).
Gjatë tre dekadave të ardhshme, raportet e varësisë të pleqërisë parashikohen të rriten në të gjitha 1 169 rajonet e BE-së, me përjashtim të Harz, rajoni më perëndimor i Sachsen-Anhalt, në Gjermani.
Raporti i varësisë së të moshuarve në BE parashikohet të arrije në 56.7% deri më 1 janar 2050, çka do të thotë se do të ketë më pak se dy të rritur në moshë pune për secilin person të moshuar. Parashikimet tregojnë se raporti i varësisë së pleqërisë do të jetë rritur në të paktën 50% në shumicën dërrmuese (974) të rajoneve të BE-së.
Sipas projeksioneve të brendshme në vitin 2031 Shqipëria do të ketë 35 të moshuar për 100 persona.
Sipas projeksioneve të brendshme, në vitin 2031, qarku me raportin e varësisë më të lartë të të moshuarve do të jetë Gjirokastra me 45 të moshuar për çdo 100 persona të moshës 15 deri në 64 vjeç. Qarku me raportin e varësisë më të ulët të të moshuarve do të jetë Tirana me 30 për qind, për shkak të lëvizjes së popullsisë në moshë pune (15-64) drejt qendrave ekonomike dhe arsimore të Shqipërisë./Monitor
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.