Deputeti i Partisë Socialdemokrate (SPD) gjermane, me origjinë nga Pozharani i Vitisë në Kosovë dhe aktualisht deputeti i parë me origjinë shqiptare në Parlamentin e Hamburgut, Z. Sami Musa, ka vizituar filantropin e mirënjohur shqiptar Z. Lazim Destani në Tetovë. Z. Destani është Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare. Lajmin e ka bërë të ditur vetë deputeti Musa në faqen e tij në Facebook duke u shprehur për pasditen e këndshme dhe shkëmbimet e vyera jëtësore.
‘U ndjeva tejet i nderuar nga mikpritja e lartë që gjeta te ky njeri me zemër bujare, i njohur si njëri ndër shqiptarët më të nderuar dhe i respektuar anembanë botës. Përvojat e tij jetësore dhe ato të punës, përplot me vlera të larta njerëzore, janë një shkollë më vete nga e cila shumëkush mund të mësojë gëra të reja’ shprehet deputeti më i ri i Hamburgut. Përveçse deputet, 35-vjeçari Sami Musa është gjithashtu një afarist dhe biznesmen i njohur në Hamburg.
Deputeti i Hamburgut Sami Musa shprehet i impresionuar në median sociale dhe shpreson që takimi i radhës të jetë në Hamburg, për të vazhduar bashkëpunimin në mënyrë që kontributi i gjithsecilit prej nesh, si në shoqëri ashtu dhe në trojet tona, të vijë gjithnjë duke u rritur e shumëfishuar./ Alert