Mjeku specialist i Shëndetit Publik në Londër, Laidon Shapo, ka folur rreth situatës pandemike, ecurisë së vaksinimit dhe nismës së autoriteteve Britanike për t’u ekspozuar ndaj Covid-19. Britania e Madhe do të bëhet vendi i parë në botë që do të lejojë vullnetarë të ekspozohen ndaj virusit për të çuar përpara hulumtimet mjekësore në pandemi.
“Kjo është një nismë nga nismat e shumta që qeveria britanike ka marrë. Ndodh që një grup i shëndetshëm merret dhe ekspozohet përballë një sasie minimale të kontrolluar virusi.
Në rastin konkret janë hedhur 33,6 milionë paund dhe po grumbullohen vullnetarët të cilët do të jenë 90 veta të moshave 18-30 vjeç, të cilët do t’i nënshtrohen një testimi paraprak për të qenë të sigurt se ata nuk kanë pasur asnjë lloj kontakti as me variantin e vjetër dhe as me varientet e reja të virusit që po qarkullon.
Faktikisht, këta janë persona që janë të shëndetshëm dhe këtyre do t’u futet nëpërmjet hundës një sasi e caktur virale dhe do të mbahen në kontroll shumë të imët për 14 ditë në spitale, ku do të shihet me kujdes ecuria e zhvillimit të virusit.
Do të shihet me kujdes se si lëviz virusi nga hunda në organet e tjera, cilat janë simptomat e para, cila është doza minimale që cakton infektim dhe gradualisht do të shihet se si reagon organizmi, si krijohet imuniteti, sa imunitet krijohet etj.
Dëmet shëndetësore do të jenë të gjitha nën kontroll. Këtu na intereson të shikojmë se kush qëndron asimptomatik, kush shfaq simptoma, çfarë simptomash shfaqen dhe cila është përgjigja imunitare.
Nga ky grup do të merret një grup më i vogël, me 30 veta, të cilëve do t’u bëhet një vaksinë për të parë se si do të reagojnë këta kur të bien në kontakt me variantet e reja. Ky shpenzim që bëhet tani bëhet enkas për të parë si do operojmë në të ardhmen ndaj këtyre varianteve të reja”, – tregon mjeku shqiptar.
Mjekët dhe shkencëtarët do të monitorojnë nga afër efektin e virusit tek vullnetarët dhe do të jenë të gatshëm të kujdesen për ta 24 orë në ditë. Siguria e vullnetarëve është thelbësore, që do të thotë se ky studim do të përdorë versionin e virusit që ka qarkulluar në Mbretërinë e Bashkuar që nga Marsi i 2020-ës dhe që tani është me rrezik të ulët tek të rriturit e shëndetshëm.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.