Prej pasdites së djeshme reshje të dendura dëbore kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit duke shkaktuar problematika me qarkullimin në shumë akse rrugore. Autoritetet i kërkojnë qytetarëve të tregohen të kujdesshëm.
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një informacion zyrtar në lidhje me situatën e krijuar për shkak të motit të keq, ku vendi është përfshirë nga reshjet e dëborës.
Sipas MM-së, ditët në vijim pritet mot i kthjellët, por për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica në rrugë.
Si pasojë e reshjeve të borës, ditën e djeshme ka pasur bllokim të aksit rrugor Elbasan- Librazhd. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë së shtetit dhe firma kontraktore të cilët kanë punuar për normalizimin e situatës. Nga informacioni i marrë sot në mëngjes aksi rrugor është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë.
Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë rritur gatishmërinë në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Aktualisht trupat dhe mjetet e FA janë të angazhuara në zonën e Nënshkodrës për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, të prekura nga përmbytjet.
Një borëpastruese e Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale të Drenovës është angazhuar për pastrimin e aksit Korçë-Kapshticë.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme, sidomos në akset me prani të theksuar të ngricave.
Gjithashtu forcat e Armatosura në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë rritur gatishmërinë në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës:
Të kufizojnë lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin këshillat dhe udhëzimet e Policisë rrugore dhe të autoriteteve të tjera.
Të vendosin gomat e dimrit në automjetet e tyre.
Të vendosin zinxhirët para se të fillojnë lëvizjen me automjet, pasi punonjësit e Policisë nuk do të lejojnë qarkullim e automjeteve pa zinxhir.
Të vendosin rripin e sigurimit.
Të mos kryejnë parakalime të gabuara.
Të kufizojnë në maksimum shpejtësinë, pasi në të gjitha akset rrugore ka prezencë të akullit dhe të borës, gjë që rrit rrezikun e përfshirjes në aksidente rrugore.
Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar, duke rritur prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore nacionale, në qytete dhe në qendrat e njësive administrative, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë qyetarëve në nevojë.
Strukturat e Policisë së Shtetit janë duke operuar në terren, në koordinim e bashkëpunim me autoritetet e tjera përgjegjëse, për normalizimin e situatës së krijuar si pasojë e motit të keq.
Për çdo problem apo informacion mund të telefononi në numrin pa pagesë 112 ose shkruani në Komisariatin Dixhital, duke iu siguruar reagim të menjëhershëm.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.