Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë të posaçme për mediat bëri të ditur se në fundin e javës së ardhshme KQZ do të ketë një draft të dakordësuar për sa i përket votës së shqiptarëve jashtë vendit.
Edhe pse është pak kohë në dispozicion, Celibashi tha se ky proces do të mbyllet.
“Kemi finalizuar draftin për fillimin e procedurave të regjistrimit të votuesve që janë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Draftin e kemi përcjellë për konsultim tek partitë politike, tek përfaqësuesit e Diasporës, e organizatave që përfaqësojnë komunitetin shqiptar që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në mënyrë të përhershme, po kështu dhe subjekteve apo faktorëve të tjerë që kanë interes në këtë çështje. Shpresoj shumë që fundi i javës tjetër, rregullatori ta shqyrtojë dhe ta miratojë këtë akt”, tha z. Celibashi.
Sipas dokumentit të KQZ-së data e fundit e regjistrimit të shqiptarëve jashtë vendit për të votuar është 24 shkurti por për z. Celibashi KQZ po përpiqet të gjejë një zgjidhje të pranueshme për draftin final që pritet të miratohet në fund të javës tjetër.
“Ka shumë pak kohë po ka qenë e pakët që në ditën një dhe duhet që ky proces të kishte filluar muaj më përpara. Marr në konsideratë dhe standardet e vendeve të tjera që janë të konsoliduara në këtë lloj përgjegjësie të realizimit si projekt. Janë pak ditë por ditët janë ato që janë dhe ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Po përpiqemi që të montojmë një sistem të sigurtë dhe të perceptohet si i tillë nga të gjithë faktorët, së pari nga partitë politike, të interesuarit e parë dhe nga përfaqësuesit nga Diaspora. Nuk është shumë e thjeshtë se idetë janë të ndryshme, qoftë dhe për sistemin e regjistrimit, qoftë në pikëpamje teknike dhe është e vështirë ti vësh të gjitha në emërues të përbashkët. Do ishte mirë ta kishim nisur më herët ku palët ishin më të shtensionuara kurse tani shumë afër datës së zgjedhjeve secili është në legjitimet të ketë dyshimet e veta. Janë pak ditë pa diskutim. E rëndësishme që të gjitha palët politike ta pranojnë, kuptojnë e të ndjehen komod në këtë sistem”, tha më tej z. Celibashi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.