Për albume si ky, mburrja e protagonistit është një mëkat i preferuar. Në historinë e shqiptarëve tregimi i së vërtetës nuk është gjithmonë gjëja më e mirë.
Kur flitet për Ismail Kadarenë e vërteta është bijë e kohës. Si e tillë ajo veç mund të tregohet.
Ismail Kadare është përfaqësuesi më cilësor i evolucionit të mendimit modern të gjuhës shqipe. Ai për historinë e shqiptarëve është si Eskili për grekët, Shekspiri për britanikët, Hygoi për Francën apo Remarku për gjermanët.
Njerëzimi është një memorie e tejngopur me çuditë. Ato zgjasin veç me ditë. Ismail Kadare shfaqi cilësi në veprën e tij letrare e cila ndryshoi perceptimin për shqiptarët, dhe habinë e përkohshme e ktheu në respekt ndaj talentit të tij.
Një komb që “prodhon” një shkrimtar si Ismail Kadareja ka të drejtë të krenohet. Ai është shkrimtari shqiptar më i vlerësuar nga publiku ndërkombëtar.
Ismail Kadare ka kohë që ka tejkaluar fatin e një shkrimtari shqiptar. Ai, sot vlerësohet si një markë ndërkombëtare e mendimit të shkruar. Në kohën që jetojmë, Kadare është kthyer në një nga cilësitë e vlerësuara të fjalës në çdo gjuhë të përkthyer.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër. Ai është një qytetet mistik, i ndërtuar në gur, i cili kishte emrin e vet përpara se Shqipëria të bëhej shtet.
Në periudhën e komunizmit Ismail Kadare pagoi çmimin e famës ndërkombëtare por edhe “konkurrimin” në sukses me Enver Hoxhën që qeverisi Shqipërinë në vitet 1944 deri në 1985. Të dy ishin “prodhim” i të njëjtit qytet, Gjirokastrës.
Politikani Enver Hoxha largua nga jeta duke lënë pas në Gjirokastër bustin e tij. Ky bust u shkatërrua pas vitit 1990.
Shkatërrimi i bustit të politikanit dhe mbijetesa e shkrimtarit janë një fakt i regjistruar në Gjirokastër. Sot, në këtë qytet, shtëpia e Hoxhës dhe ajo e Kadaresë vizitohen si gurët fundor të një “gare” të përfunduar.
Kadare e respektoi me heshtje të qëndrueshme por edhe dashuri rregullin e vjetër “Mos u bëj prift në fshatin tënd!”.
Gjirokastra në veprën e Ismail Kadaresë i ngjan rrënjës së një peme të panatyrshme për madhësinë e kombit shqiptar. Natyrshëm, vepra e Ismail Kadaresë me qytetin e tij të lindjes kanë lidhjen e njohur njerëzore.
Gjirokastra, është një qytet prej guri. Ajo merr pjesë në të padukshmen dhe të dukshmen e mjeshtrit të madh të fjalës së shkruar. Në hapësirën e tij të mendimit tek Gjirokatra do të gjeni kuptimin e shkrimtarit që qëndron mbi kohën.
Quhet Ismail Kadare. Ka lindur në Gjirokastër. Fama e tij, shtëpi ka botën. Ai është një sfinks i kohës pa kufi.
(Botuar në hyrjen e Albumit “Kadare dhe Gjirokastra”)
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.