Historia e shqiptarëve të Rumanisë

E hënë, 6 Maj, 2024
E hënë, 6 Maj, 2024

Historia e shqiptarëve të Rumanisë

Shqiptarët e Rumanisë janë një pakicë etnike që, sipas përfundimeve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, numëron 520 vetë. Por shifra e vërtetë e tyre besohet të jetë rreth 10.000. Kjo mospërputhje lidhet me faktin që jo pak shqiptarë etnikë vetëdeklarohen rumunë. Afro gjysma e tyre banojnë në qendra të rëndësishme urbane, si: Timishoara, Jash, Konstancë dhe Kluzh-Napoka. Shumica janë të krishterë ortodoksë, të ardhur gjatë shekujve nga Jugu i Shqipërisë, kryesisht nga Korça, por ka edhe myslimanë, kryesisht në Dobruxhë, në rrethinat e portit të Konstancës.

Duke nisur me ilirët e Mirditës dhe të Jugut të Dalmacisë, – stërgjyshër të shqiptarëve të sotëm, – nga fisi i pirustëve, një numër i madh mjeshtërish në nxjerrjen e në përpunimin e bakrit, u çuan nga administrata romake për një shfrytëzim sa më të mirë e më të plotë të pasurive të Maleve Apuseni (Malet Perëndimorë), në Rumani. Bashkësia shqiptare në Trevat Rumune dëshmohet me dokument për herë të parë në Vllahi, në kohën e sundimit të Mihal Trimit. Në një raport të autoriteteve habsburgase në Transilvani, thuhet se mbi 15.000 shqiptarë fituan të drejtën të banonin në krahinën e Muntenies. Fillimisht i shohim në katundin Kalinesht, në rrethin e Prahovës, ndërsa në Bukuresht i gjejmë qysh nga viti 1628. Shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Rumani, sidomos qysh prej messhekullit XVI, si barinj, ushtarë, truproja të sundimtarëve vendës, tregtarë e më pas si emigrantë politikë. Në trevën armbajtëse të Maleve Apuseni janë gjetur mbishkrime me emrat e vendbanimeve të ilirëve. Këta të fundit patën zënë vend në qendrën minerare të Alburnus Maior, që, sipas sistemit të organizimit dalmat, thirrej vicus ose castellum vicus Pirustarum;castellum Buridustarum. Në Malet Apuseni, para pushtimit romak, banonte popullsia dake. Kjo dëshmohet nga punimet minerare, të cilat ishin teknikisht të përparuara në Dakinë e lirë qysh para dyndjes së romakëve dhe këta të fundit vetëm sa i vazhduan, i zgjeruan dhe i përsosën më tej.

Sikurse e vumë në dukje më lart, ilirët erdhën me cilësinë e teknikëve e të specialistëve dhe jo në numër aq të madh sa të popullonin krejt trevën. Kjo vazhdoi të mbetej e banuar, njëlloj si deri atëherë, nga dakët autoktonë, që, brenda pak kohe, do të romakëzoheshin. Besohet se mocët e sotëm janë pasardhësit e popullatës dake të romakëzuar.

Në epokën feudale lufta kundër sundimit otoman njeh veprime paralele dhe të përbashkëta të të dy popujve tanë. Në fushatat antiosmane, Janosh Huniadi apo Janku i Hunedoarës, tregoi kujdes edhe për bashkëpunimin ushtarak me shqiptarët, të cilët, në atë kohë, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, po u jepnin goditje vdekjeprurëse hordhive otomane.

Në mars 1443, me një ushtri prej rreth 22 mijë vetësh, Huniadi ndërmori një shpeditë në luginën e Moravës, në drejtim të Nishit, dhe së andejmi bëri për nga Maqedonia, me synim që të bashkohej me forcat e Skënderbeut dhe të mbërrinte, – në fazën e parë të fushatës, – deri në Selanik. Që aty, mendonte të përparonte drejt Konstandinopojës. Por, në Fushë Kosovë, pikërisht në të njëjtin vend ku qe zhvilluar beteja e vitit 1389, epërsia numerike e osmanëve bëri që fitorja të kalonte në anën e këtyre të fundit. Kësisoj lidhja me Skënderbeun nuk qe e mundur të bëhej.

Është i njohur, gjithashtu, veprimi i njëkohshëm mbrojtës kundër osmanëve, që ndërmorën në gjysmën e dytë të shekullit XV, nga njëra anë Stefani i Madh (1457-1504), dhe nga ana tjetër Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu (1405-1468). Trupat osmane, që e sulmuan Stefanin e Madh në Urën e Lartë, më 1475, vinin nga Shqipëria. Bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pasha, mori urdhër të hiqte dorë nga rrethimi i Shkodrës, për t’u drejtuar me trupat e veta pa vonesë në Moldavi.

Në këtë mënyrë otomanët, dashur pa dashur, u jepnin shqiptarëve një farë frymëmarrjeje në luftën që do të vazhdonin edhe pas vdekjes së Skënderbeut. Në kuadrin e koalicionit antiosman të krijuar në vitet 1590-1592 nga Perandoria e Habsburgëve, Spanja, Venediku e Toskana, me synim asgjësimin e sundimit otoman në Evropën Qendrore dhe Juglindore, sidhe në Mesdheun Qendror, koalicion që u quajt prej Papës “Lidhja e Shenjtë”, krahas ndihmesës së rëndësishme që dhanë Trevat Rumune në kundërshtimin e ekspansionit të egër otoman, nxitën qëndresën dhe luftën e popujve ballkanas, pra edhe të popullit shqiptar kundër zgjedhës së Turqisë. Fitoret e Mihal Trimit patën jehonë edhe në malet e Shqipërisë. Mjaft luftëtarë shqiptarë u bashkuan me ushtrinë e tij. Këtë e dëshmojnë shumë dokumente dhe informacione të kohës. Aga Leka, njëri nga kapedanët më të njohur të ushtrisë së Mihal Trimit, ishte me prejardhje shqiptare. Lidhur me këtë fakt, “Kronika e Buzeshtit” jep këto hollësi: “Iu drejtua Mihal Vodës që t’i përgjigjej me miqësi, duke qenë, si gjithmonë, njëri pranë tjetrit. Për t’i mposhtur kundërshtarët, Mihal Voda i dha 3500 luftëtarë me Aga Lekën në krye”. Citati i saporiprodhuar ka të bëjë me ndihmën që Mihal Trimi i dha princit të Transilvanisë, Sigismund Bathory, më 1598, kur otomanët, sëbashku me tartarët, sulmuan Oradinë e Madhe.

Me prejardhje shqiptare ka qenë edhe sundimtari Vasile Lupu (1633-1653), lindur në komunën Arbënash, pranë qytetit Razgrad, në Bullgari. I ati quhej Nikollë Koci. Pjesën më të madhe të jetës, Vasile Lupu e kaloi në Moldavi, ku ushtroi një numër të madh funksionesh të larta dhe mori pjesë në kryengritjen e bojerëve moldavë kundër ofiqarëve grekë në atë vend.

Kujtojmë, gjithashtu, se gjatë periudhës së dytë të sundimit të tij (1741-1743), Konstandin Mavrokordati themeloi “Flamurin e Arnautëve”, i cili, nga pikëpamja hierarkike, varej prej hatmanit të madh.

Njoftohet prania e shqiptarëve edhe në luftën ruso-turke të viteve 1806-1812, gjatë së cilës Konstandin Ipsilanti, sundimtari i Trevave Rumune, bashkë me disa bojerë rumunë, formoi korpuse me pandurë (këmbësorë nga radhët e fshatarëve) dhe vullnetarë, ndër të cilët, sikurse shënon kronikani Naum Ramniçeanu, kishte edhe “moldavë, muntenë dhe aranautë”. Një armatë me pandurë dhe arnautë, me Samurasin, kajmekamin e Krajovës, e me disa bojerë të tjerë në krye, u dërgua nga sundimtari në krahinën Oltenia për të bashkëpunuar me ushtrinë ruse, të komanduar nga gjenerali Isajev.

Prania e shqiptarëve në Rumani është e lidhur edhe me kryengritjen e vitit 1921. Ata bënin pjesë në ushtrinë e Tudor Vladimireskut, çka dëshmohet nga një morì dokumentesh.

Kështu, shkresa e autoriteteve ushtarake pushtuese, e 30 janarit 1821, që u referohej “krejt banorëve të viseve të Vllahisë”, me të cilën i kërkohej Portës së Lartë ndihmë për shtypjen e kryengritjes së Tudor Vladimireskut, kish përmbajtjen e mëposhtme:

“ … megjithë përkujdesjet që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë, vërejmë se ata nuk rreshtin së vëni në punë mendjen e tyre të gjymtë, sepse ai, Theodhor Vladimiresku, paska marrë disa nga të vetët që, me sa jemi informuar, vërtetohet se janë arnautë; kanë dalë nga manastiri, duke lënë atje roje të tjera, pò të tillë, dhe kanë bërë drejt qarkut të Mehedincit. Me anë të letrave, ata kanë filluar t’u bëjnë thirrje njerëzve që të bashkohen me ta, duke pasur me vete armë. Ata që s’kanë armë, të pajisen me shtiza dhe cfurqe hekuri, meqenëse, sipas shpjegimeve që u bënte (Tudor Vladimiresku, sh.y.), ai donte t’i mbronte e t’i bënte të lirë nga zgjedha e sundimtarëve dhe e bejlerëve”. Gjithashtu, raporti i nënkolonelit I. I. Pestel, i 8 marsit 1821, drejtuar gjeneralit P. D. Kisseleff, në lidhje me ngjarjet revolucionare në Trevat Rumune, theksonte se Vladimiresku “… ka mbledhur 38 arnautë dhe ka shkuar me ta në Oltenia. Kur po kalonte lumin Olt, që ndan Oltenian nga Muntenia, çeta e tij përbëhej pre 3.000 vetësh, me të cilët u bashkuan edhe 4.000 grekë, serbë, arnautë dhe pandurë të armatosur”. Përmendim, gjithashtu, letrën e Tudor Vladimireskut, të 4 majit 1821, dërguar Trezorierit të madh: “Shumë i nderuari zotëri Trezorier. Të gjithë luftëtarët pandurë dhe sidomos arnautët, kërkojnë që t’u jepen perime edhe në ditët e kreshmës”.

Arnautë ka pasur edhe në formacionet luftarake të Trevave Rumune, që siguronin rregullin e brendshëm dhe që u dërguan fillimisht kundër Tudor Vladimireskut. Por shumica dërrmuese e tyre kaluan në anën e kryengritësve, ndërsa të tjerët, fort të pakët, nuk bënë asnjë veprim kundër tyre.

Për peshën që patën arnautët si luftëtarë, dëshmon edhe letra e nënkolonelit Dragulinesku, e 12 shkurtit 1821, dërguar gjeneralit I. Mageru: “Ju përulem me dashuri vllazërore. Mbrëmë u ktheva edhe unë nga Bukureshti. Frikë të madhe u ka futur atje rebeli Tudor, me të vetët”. Ja edhe një letër tjetër, që mban datën 30 mars 1821, drejtuar carit të Rusisë nga bojerët e strukur në Brashov: “Forcat e armatosura të Principatës, të përbëra sidomos nga të huaj, që njihen nën emrin shqiptarë, në vend ta përmbushin misionin duke e mbytur vullkanin revolucionar në shpërthim, kanë tradhtuar… (duke kaluar në anën e Tudor Vladimireskut, sh.y.).

Arnautët i hasim edhe në trupat e Eterisë, nën komandën e Aleksandër Ipsilantit, duke luftuar kundër otomanëve. Kjo është dëshmuar nga shumë dokumente të kohës. Kuptimplotë është veçanërisht një shënim informativ i korrikut 1821, i kapitenit të Gardës, Burcov, mbi zhvillimet e muajve maj – korrik 1821, në Trevat Rumune:

“Pas gjithë këtyre dështimeve, princi Ipsilanti u detyrua të tërhiqej në manastirin Kozea… Komandantët e shqiptarëve mbetën: Jordaqe, Farmaqe, Prodan e të tjerë, në krye të forcave të tyre, u përhapën në malet e Trevës Rumune dhe e ndanë mendjen t’ua shesin shtrenjtë jetën turqve”. Shqiptarët i gjejmë edhe në radhët e trupave të komanduara nga luftëtari i mirënjohur Sava, në të gjitha operacionet, derisa u vranë, krahas tij dhe gjithë luftëtarëve të tjerë, në Bukuresht, më 7 gusht 1821.

Pra, luftëtarë shqiptarë ka pasur në të gjitha kampet, por ndihmesën më të shquar ata e kanë dhënë në lëvizjen e udhëhequr nga Tudor Vladimiresku.

Naum VeqilharxhiNdër pjesëmarrësit në kryengritjen e 1821-it, përmendim shkrimtarin e atdhetarin e famshëm shqiptar Naum Veqilharxhi-Bredhin, i cili pat luajtur rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare. Për praninë e Veqilharxhit në kryengritjen e Vladimireskut bën fjalë edhe kronikani grek Ilia Foteinos, në një punim të posaçëm që ka shkruar për këtë eveniment. Rilindasi i shquar e shihte pjesëmarrjen e vet në kryengritje si ndihmesë për çlirimin e popujve të Ballkanit nga zgjedha otomane.

Po për Veqilharxhin, “lindur në komunën e Vithkuqit, në Shqipëri, në afërsi të qytetit të Voskopojës”, jepen të dhëna se ka ndenjur shumë vjet në qytetin rumun Braila, ku, duke u marrë me tregti, ia doli mbanë të grumbullonte një pasuri tepër të madhe, me të cilën mendoi t’i futej punës për zgjimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve”. Për këtë qëllim, ai hartoi një alfabet të posaçëm për gjuhën shqipe. Shqiptari tjetër i shquar, Vangjel Zhapa, nga Labova, sipas dokumenteve, e ndihmoi Veqilharxhin me të holla. Sprovën e Veqilharxhit e njihte edhe Hahni. Në “Albanische Studien” (Studime Shqiptare), Jena, 1854, ai e citon me emrin Vuthakuleje, sipas komunës së vendlindjes, Vithkuqit. Po aty gjejmë edhe një shpjegim historik për alfabetin e mëparshëm të shqipes. Me këtë alfabet, Veqiharxhi përpiloi dy abetare, njërën më të lehtë dhe tjetrën disi më të vështirë, dhe u nis për t’i botuar në Konstandinopojë. Atje ia arriti qëllimit, por pas një viti u vra nga agjentë të kishës greke, të cilët nuk e shihnin me sy të mirë zgjimin e ndërgjegjjes kombëtare të shqiptarëve përmes shkollimit në gjuhën amtare. Rëndësi ka që abetaret e Veqilharxhit u shpërndanë në të gjitha trevat shqiptare. Është me interes të vëmë në dukje se në Akademinë Rumune të Shkencave ruhet një letër e dërguar nga disa banorë të Korçës, më 22 prill 1845, me të cilën e falenderojnë Naum Veqilharxhin për abetaret dhe i kërkojnë ekzemplarë të tjerë të saj.

Theksojmë se, gjatë shumë viteve që ndenji në Rumani, sidomos falë tregtisë së suksesshme që zhvilloi atje, Veqilharxhi mundi të siguronte mjetet e nevojshme materiale dhe monetare për veprimtarinë e frytshme atdhetare e kulturore të mëvonshme.

Me vdekjen e tij u zbeh për dekada të tëra tek shqiptarët e Rumanisë ideja e zgjimit kombëtar përmes kultivimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe. Duhej pritur viti 1880, që një grusht shqiptarësh mendjendritur, me banim në Bukuresht, të inkurajuar nga hovi që kishin marrë asokohe shkollat arumune, të viheshin në lëvizje për ngjizjen e një rrethi, i cili do të merrej me çeljen e shkollave në gjuhën amtare për shqiptarët.

Edhe familja Gjika, e mirënjohur për ndihmesën e shquar në historinë e Rumanisë, siç dihet, është me prejardhje shqiptare. Ajo u ka dhënë Moldavisë dhe Trevave Rumune shumë vojvodë, duke filluar me George Vodën, i quajtur Gjikë Arnauti, tregtar, të cilit Vasile Lupu i dha titullin bojer, ndërsa Porta e Lartë e emëroi sundimtar në Moldavi më 1658, e deri tek Grigor Aleksandër Gjika, sundimtar i Moldavisë në periudhën maj 1849-tetor 1853 dhe tetor 1854-qershor 1856. Por kjo familje pat rënë në sy për mirë qysh në shekullin XVII, kur u identifikua me interesat e shqetësimet e atëkohëshme të Viseve Rumune. Shembulli më kuptimplotë në këtë drejtim është protesta që Grigor Gjika III i dërgoi më 1775 Portës së Lartë, kur zyrtarët kryesorë otomanë i dhanë Austrisë Moldavinë Veriore, pra Bukovinën. Kjo protestë u bë shkak për vrasjen e tij në qytetin rumun Jash më 1777.

Po ashtu, vojvodët e familjes Gjika, në shekullin XVIII, ndihmuan zhvillimin e arsimit në Moldavi. Nga gjiri i familjes Gjika ka dalë edhe Elena Gjika, e njohur sidomos me pseudonimin e saj letrar Dora d’Istria, fëmija e pestë e panit Mihallaq Gjika dhe e Katinka Gjikës. Elena u lind në Bukuresht më 22 janar 1828. I ati kishte vëllezër sundimtarët Grigor Dhimitër Gjika dhe Aleksandër Gjika, të dy pasardhës të George Vodës, i thirrur edhe Gjikë Arnauti, sundimtar i Moldavisë më 1658. Pra, njëri prej paraardhësve të Elena Gjikës i përkiste një familjeje, e cila, prej 160 vjetësh, ishte e lidhur ngushtë me historinë dhe problemet e Viseve Rumune.

Dora D’IstriaPër disa dhjetëvjetsha rresht, asnjë femër tjetër, përveç Zhorzh Sandit, nuk ka gëzuar popullaritet aq të madh në botën intelektuale evropiane sa Dora d’Istria.

“Është vërtet e habitshme se sa shumë dije u grumbulluan në mendjen e kësaj gruaje të jashtëzakonshme dhe me sa lehtësi mundte t’i nxirrte në front saherë duhej zhvilluar ndonjë betejë. Sepse ajo ka qenë një predikuese me kredo prej luftëtari. Liberalizmi antiklerikal pat gjetur tek ajo një mbrojtëse të palodhur. Po ashtu edhe e drejta e kombeve për të jetuar” është shprehur për të historiani erudit dhe politikani Nikolae Iorga, në parathënien e punimit “Dora d’Istria” të Magda Nikolaesku Ioan.

Dora d’Istria ka shkruar në gjuhën frënge studime letrare, social-politike, filologjike, etnografike, shënime udhëtimi etj, duke trajtuar çështje dhe evenimente nga vende të ndryshme. Ndër to, shumica lidhen me Shqipërinë, kauzën e së cilës e bëri të njohur në shtetet evropiane: “La nationalité albanaise d’apres les chants populaires” (Paris, 1866); “Fyletia e arbanare prej kohëve të lashta” (Në “Revue des deux mondes”, 15 maj 1866); “Les écrivains albanais de l’Italie méridionale” (Athinë, 1867); “La nazionalità albanese secondo i canti popolari” (Kozencë, 1867); “Gli albanesi musulmani” (Firence, vëll. I, 1868; vëll. II dhe III, 1870); “Affaires de l’Albanie” (Athinë, 1872); “Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghica nei secoli XVII, XVIII e XIX dai documenti inediti degli archivi di Venezia, Vienna, Parigi, Berlino, Constantinopoli ecc” (Firence, 1875).

Dora d’Istria ka shfaqur ndjenja dashamirësie edhe ndaj Rumanisë. Për të konkretizuar çka sapo thamë, po riprodhojmë fragmente të shkëputura nga veprat e saj: “Prindërit tanë do të kishin tepër të lumtur po qe se do t’u ish dashur të luftonin vetëm kundër tartarëve dhe turqve. Flamuri i Trajanit nuk do të qe poshtëruar para Gjysmëhënës. Nuk qenë bijtë e Muhametit ata që i lyen duart me gjakun e Mihal Trimit, por ushtarët e Perandorisë Apostolike! Nën Konstandin Brankoveanun, perandorakët, zotër të vendit, na u bënë më armiq se sa vetë myslimanët, për shkak të plaçkitjeve e dhunës që ushtruan” (Në “Gli eroi della Rumenia”, 1856, paragraf i riprodhuar sipas Nikolaesku Magda Ioan, Dora d’Istria, Bukuresht, f. 44, me parathënie të Nikolae Iorgës).

“Më dukej se në pëshpëritjet e ëmbla, të përsëritura nga jehonat e maleve, dëgjoja emrat e Radut, Mirçeas, Jankut, Aleksandrit të Mirë, heronj të harruar të një epoke të madhërishme, luftëtarë guximtarë të një lufte titanike…”.

“Shkëmbi më shterp është parajsë për atë që i ka qenë djep… Po kur vendlindja jonë na shfaqet në ëndrrat tona e zbukuruar me të gjitha shkëlqimet? Rumania është kaq e kamur dhe e bukur, saqë fëmijët e saj nuk mund të mendojnë për të përveçse me ngrohtësi të thellë”.

“Liria, lumturia e vendit tim – ja shqetësimet që do të mbushin këtej e tutje krejt jetën time. E larguar nga fati, nga fëminia ime, nga brigjet e dashura të Dambovicës sime, nuk kam rreshtur asnjëherë së qëni pjesë e vendlindjes, fatet e së cilës kanë përbërë objektin e përsiatjeve të mia të përhershme” (Nga dedikimi i Dora d’Istrias, titulluar “Vëllezërve të mi rumunë”, në veprën e saj “La Suisse allemande”, Gjenevë, 1854. Ky paragraf është riprodhuar sipas A. Vaskuleskut, “Dora d’Istria”, Bukuresht, 1941, f. 14).

Ndër veprat e tjera të Dora d’Istrias, vlen të përmendim me përparësi: “La vie monastique dans l’Eglise orientale”, Bruksel, 1855; “Les roumains et la papauté”, Athinë, 1856; “Osservazioni sull’organizzazione dei Principati Danubiani”, Torino, 1856; “Un principe straniero nella Moldo-Valachia”, 1856; “La propaganda austro-rumena nei Principati Danubiani”, 1856; “La Roumanie et L’Eglise orthodoxe”, Bruksel, 1857; “La nationalié roumaine d’après ses chants populaires”, 1859; “Un été au bord du Danube”, 1861.

Si përfundim, Dora d’Istria, “albanese d’originne, romena di nascita” (shqiptare nga prejardhja, e lindur rumune), sikurse shkruhet mbi pllakën përkujtimore të Varrezave të Trespianos (Firence), ku ruhet hiri i saj, ka qenë shkrimtare e gjuhës frënge, e njohur dhe e çmuar lart prej bashkëkohësve në Evropë e më tej. Mbi të gjitha, me anë të artikujve, studimeve dhe veprës së saj madhore në tërësi, Dora d’Istria ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme në paraqitjen e mbrojtjen e Çështjes Shqiptare para opinionit ndërkombëtar.

Pjesëmarrja dhe ndihmesa e shqiptarëve në mjaft ngjarje historike në Trevat Rumune, duke nisur me gjysmën e dytë të shekullit XVI, është një realitet entuziast e frymëzues për mirëkuptimin midis popujve. Në këtë kontekst, natyrisht, ka vendin e vet aspekti komplementar dhe pikërisht ajo që theksuam: mbështetja e fuqishme që patën në Rumani, në shekujt XIX – XX, luftëtarët për pavarësinë dhe mbrothtësinë e Shqipërisë. Nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, kanë zhvilluar veprimtari shumë shoqëri shqiptare, si “Shpresa” e “Bashkimi”. Prania e tyre në territorin e Rumanisë dhe përkrahja e dhënë prej kësaj, kanë qenë elemente pozitive në përgatitjen e përlindjes e të zgjimit të ndërgjegjes sonë kombëtare.

E quajmë të udhës të japim në vazhdim disa fragmente nga vlerësimet e bëra nga disa personalitete politike dhe organe shtypi të Shqipërisë, të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, dhe që i bëjnë jehonë përkrahjes së Rumanisë për çështjen kombëtare shqiptare. “Nuk mund të mohojmë që, gjatë historisë, kombi ynë ka gjetur kurdoherë strehim në të bukurën Rumani dhe për këtë ne duhet t’i jemi mirënjohës… Si ne, ashtu edhe historia vetë, nuk mund të mohojë që Rumania, si vendi i parë i çliruar nga zgjedha e huaj, i çeli dyert e shtëpisë së saj për të shtypurit e tjerë dhe shtëpia e saj u bë një çerdhe për çlirimin e të gjithë vëllezërve të tjerë më të vegjël ballkanikë”.

“Asnjë shqiptar nuk mund të harrojë se në territorin e Rumanisë është organizuar dhe është shpallur Pavarësia e Shqipërisë” (Xhaferr Ypi, ish-anëtar i Regjencës, ministër e deputet, Deklaratë në Parlament, më 25 nëntor 1930. “Nuk do të harrojmë asnjëherë se, në kohët kur nacionalistët shqiptarë përndiqeshin anekënd nga armiqve të kombit tonë, vetëm në Bukuresht ata kanë gjetur mbështetje, nga ku filluan të përhapnin idenë kombëtare”.

“Kombet shqiptar e rumun, të vendosur gjeografikisht në njërën e në tjetrën anë të Gadishullit Ballkanik, kanë histori të përbashkët. Këtu e gjysmë shekulli më parë, kur nacionalistët tanë ishin të përndjekur në Shqipërinë e robëruar, Rumania ka qenë i pari shtet ballkanik, ku refugjatët shqiptarë gjetën strehim e përkrahje… Pavarësia e Shqipërisë, e cila u kundërshtua me të gjitha mënyrat nga disa shtete ballkanike, u prit në Rumani me entuziazëm dhe pa ndonjë prapamendim”.

“Shqipëria ushqen për Rumaninë ndjenja të mirënjohjes së thellë për ndihmën që i ka dhënë në konstituimin e saj dhe për simpatinë që i ka treguar me këtë rast dhe që atëherë e këtej”.

Pas Kongresit të Paqes të Berlinit (1878), që nuk pranoi të merrte parasysh kërkesat për autonomi të territoreve shqiptare, siç dihet, u formua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me atributet e një qeverie kombëtare. Shqiptarët e Rumanisë krijuan shoqëri kulturore me pikësynime të qarta për të mbështetur Lëvizjen e Çlirimit Kombëtar Shqiptar, e cila ka hyrë në histori me emrin Rilindja Kombëtare Shqiptare.

Në këtë periudhë numri i shqiptarëve të Rumanisë u ngjit në shifrën 30.000, që u ngulitën kryesisht në qytetet Bukuresht, Braila, Konstancë, Plojesht, Krajovë, Kalarash, Jash, Fokshan, për të punuar si tregtarë, mjeshtra artizanë, por edhe mjekë, avokatë, arkitektë, ndërtues etj.

Ndër shoqëritë kulturore të shqiptarëve të Rumanisë përmendim “Shoqërinë e të Shkruarit Shkronja Shqip”, themeluar më 1881, si degë e asaj të Stambollit; shoqëria “Drita”, më 1884, me degë në shumë qytete, nën kujdesin e së cilës ushtroi veprimtarinë e saj një shkollë normale për përgatitjen e mësuesve që dërgoheshin më pas në shkollat me mësimdhënie në gjuhën shqipe, që po hapeshin në Shqipëri; një institut shqiptaro-rumun; u botuan mjaft gazeta e revista, ndër të cilat “Drita” në Braila, më 1887 dhe “Shqiptari”, në Bukuresht, më 1888, në shqip e rumanisht, që shpërndaheshin në krejt mërgatën shqiptare. Rol të rëndësishëm në shtypjen e librave shkollore, të historisë e të letërsisë, do të luante Shoqëria “Dituria”, e themeluar më 1887, si dhe të tjera, që do të shkriheshin në një të vetme, më 1906, nën emrin “Bashkimi”. Më 1905, në Konstancë kishte çelur dyert një shkollë shqipe nën drejtimin e mjekut atdhetar Ibrahim Temo, e cila jepte mësim ditën e në mbrëmje, sidomos për shqiptarët që kishin ardhur rishtaz në Rumani. Ndër mësuesit e kësaj shkolle, ishte edhe poeti Asdreni (Aleks Stavre Drenova), i cili do të bëhej sekretar i Kolonisë Shqiptare.

Në periudhën 1856-1878 dhe në atë midis dy luftërave botërore, një bashkësi shqiptare jetonte edhe në rrethin Ismail, në Jug të Basarabisë, apo Moldavisë së sotme. Kur u bë regjistrimi i popullsisë, në vitin 1930, atje u deklaruan shqiptarë 1.776 vetë, çka përbënte 0,8 % të popullsisë së atij rrethi. Shqiptarë banonin edhe në Bolgrad, në lokalitetin Karakurt (sot: Žovteneve, Ukrainë), pikërisht 1.754 shqiptarë, ose 62,4 % e krejt popullsisë së atjeshme.

Bashkësia shqiptare u rrit numerikisht dhe pati një status të rëndësishëm në rrafsh social e kulturor në epokën fanariote, kur shumë shqiptarë filluan të merreshin me tregti.

Nga Kopi Kyçyku