Nuk janë të shumtë autorët shqiptarë që kanë shkruar për të madhen shenjtore Nënë Terezë, por nuk ka shqiptar që nuk krenohet për të sidomos në SHBA; atdheun e globit.
Dr. Ines Murzaku, profesoreshë në “Seton Hall University”, Departamenti i Studimeve Katolike, solli në “Vatër” studimin e saj – “ Nënë Tereza, shentorja e periferive”, një vepër e bazuar në fakte e dokumente, vlerësime e mendime mbi këtë personalitet botëror që me vepra e sakrifica i shërbeu njerëzimit duke mbetur e pavdekshme në kujtesën tonë si qytetarë të botës dhe si shqiptarë.
Organizatorët e kësaj veprimtarie; Vatra, referuesit e shumtë nga komuniteti fetar, akademikë e ish- diplomatë vlerësojnë faktin që nderimi për Nënë Terezën i kalon kufinjtë e patriotizmit duke shkuar në çdo kënd të jetës njerëzore pavarësisht nacionalitetit apo origjinës. Ajo është shembull se si veprat e mira e bëjnë njeriun që shërben një lider që të gjithë e duan, njohin dhe nderojnë edhe pse vjen nga një vend i vogël.
Nënë Tereza qeshte me sy, vepronte me duart e vogla plot zemër dhe dashuronte me shpirt.
Ajo i rrëfeu botës se dashuria shtegton pa u ndalur nëpër një pelgrinazh që fillon nga familja, miku, fqinji, patrioti, por kalon edhe nga armiku yt, sado paradoksale të duket kjo e fundit merr shumë kuptim në kohët kur konfliktet po i brejnë kaq shumë komunitetet njerëzore a thua se gjuha ky mjet komunikimi me të cilën Zoti e pajisi njeriun, nuk paskërka vlerë fare!
Nënë Tereza kjo humaniste e madhe i rrëfeu botës se aktet e buta, sado të vogla qofshin e bëjnë botën më të mirë sidomos kur ato nxiten nga dashuria e sinqertë.
Dr. Ines Murzaku përmes një komunikimi mjaft interaktiv, mbushur me informacione dhe elemente autentike, transmetoi shumë mesazhe Tereziane në Vatrën Panshqiptare të tejmbushur me dëgjues që në fjalët e lektores ndjenin detyrën që gjithsecili nga ne ka; ta njohë veprën e humanistes së madhe që të tillë e bëri shpirti dhe aktet e saj madhështore.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.