Ylber Sefa është një kampion i çiklizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Prej shumë vitesh jeton në Belgjikë, ku është pjesë e një prej skuadrave më të mira belge. Për emisionin “Nuk është karantinë”, Sefa tregon pasionin për çiklizmin, titujt e fituar dhe historinë se si e nisi këtë rrugëtim.
“Talenti është një dhunti që jo gjithkush mund të ketë, e rëndësishme është ta zbulosh. Diku nga mosha 15 vjeçare para se unë të zbuloja talentin tim si çiklist, një periudhë kam qenë në futboll dhe shkoja në stërvitje me biçikletë. Shikoja që pas stërvitjes ndihesha më i freskët në biçikletë dhe aty lindi ideja që mbase mund të ndryshoj sport dhe gradualisht arrita të vazhdoj çiklizmin”, u shpreh Sefa.
Babai i Ylberit kishte dëshirë që djali të vazhdonte futbollit, dhe ishte e vështirë që ai ta bindte.
“Në fakt familjes nuk i kam thënë sepse babi më shtynte që të vazhdoja futbollin. Dhe kur kam vazhduar çiklizmin, babai ka qenë kundra sepse dihet që hyn tek sportet e rrezikshme por me këmbëngulje, vullnet dhe dëshirën time më të madhe arrita që ta vazhdoj dhe sot jam këtu.”, shtoi ai.
Ylber Sefa tregon se ditët e para në Blegjikë nuk kanë qenë të lehta, shpresh edhe është përlotur. Gjithashtu i është dashur shumë punë për të kapur nivelin e lartë që ka Belgjika, por tashmë që koha ka kaluar gjithçka ja ka vlejtur dhe babai i tij është krenar për djalin çiklist.
“Tani që jam shpallur kampion në Ballkan sot babi është mbështetja ime më e madhe. Duhet shumë punë, shumë vullnet, duhet të heqësh dorë nga shumë gjëra nëse do të kesh rezultate.”
Ai tregon se pasionin që ka për këtë sport e ka kuptuar në moshën 17-vjeçare, kur u shpall kampion Shqipërie për moshat e vogla. “E kam kuptuar në moshën 17 vjeçare, ku u shpalla kampion në Shqipëri me moshat e vogla. Aty kuptova se qenka diçka e bukur dhe e veçantë. Më shtyu të mos hiqja dorë kurrë.“, thotë ai.
Sefa tregon se në këtë sport synimi është fitorja, por humbja të motivon për t’u stërvitur edhe më shumë: “Fitorja është një kënaqësi që jo gjithkush ta jep, jo çdo sport mund ta japi, ndërsa humbja më shtyn dhe me motivon për tu stërvitur edhe më shumë. Sporti i çiklizmit është një sport që do një fizik të fortë, kërkon adrenalinë dhe shumë vullnet. Shpejtësia më e lartë që kam arritur është 105 km në orë. Ky sport të mëson shumë gjëra positive dhe të jesh një person më i mirë. Biçikleta që unë përdor është një biçikletë garash dhe peshon 6.8 kg. Gara më e gjatë ka qenë 260 km në Danimarkë, që ka zgjatur rreth 6 orë”, shprehet Ylber Sefa i cili me bindje thotë se të udhëtosh me biçikletë është një kënaqësi më vete./abc/
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.