Nga Yllka Lezo
Revista “Flasim Shqip”, botim i Qendrës së Botimeve për Diasporën mbërriti në numrin e saj të IX. Me më shumë se 150 faqe, edhe ky numër i kushtohet shkollave shqipe dhe mësuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, duke pasqyruar përvoja, histori, aktivitete, projekte dhe zëra nga komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Kur nisi “Flasim Shqip”, ideja ishte të krijohej një hapësirë ku të rrëfehej se cfarë ndodhte më shqipen jashtë vendit, si mësohej e transmetohej ajo, kush ishin protagonistët sfidat, arritjet, risitë, një hapësire ku shkollat shqipe në diasporë të mund të shihnin njëra-tjetrën. Me kalimin e numrave, kjo hapësirë është bërë më e gjerë. Sepse pas çdo shkolle ka një histori, pas çdo mësuesi ka një përvojë, pas çdo aktiviteti një përpjekje që shpesh (në mos gjithmonë) zhvillohet larg vëmendjes dhe pa shumë zhurmë.
Në këto nëntë numra ne kemi mbledhur shumë prej tyre.
Jo gjithmonë kanë qenë histori të mëdha. Shpesh kanë qenë përvoja të vogla, të ndodhura në një klasë, në një komunitet, në atë fundjavën kur fëmijët mblidhen për të mësuar shqip. Dhe pikërisht aty qëndron një pjesë e rëndësishme e historisë së shqipes në diasporë: te puna e përditshme që vazhdon, edhe atëherë kur nuk shihet.
Gjatë punës me revistën “Flasim Shqip”, kam kuptuar se nuk mund të flitet për një përvojë të vetme të mësimit të shqipes jashtë Shqipërisë. Kushtet ndryshojnë nga një vend në tjetrin, nga një komunitet në tjetrin, madje edhe nga një familje në tjetrën. Ndryshojnë edhe fëmijët, mënyra si e përdorin gjuhën, raporti që kanë me të dhe arsyeja pse zgjedhin ta mësojnë.
Ndaj mund të them se një nga gjërat që kjo revistë ka fituar gjatë këtyre numrave është pikërisht kjo shumëllojshmëri.
“Flasim Shqip” nuk ka qenë (dhe është) vetëm një vend ku publikohen aktivitetet e shkollave. Është një hapësirë për t’i bërë të dukshme ato. Për të treguar se pas fjalëve “diasporë”, “ruajtje e gjuhës” apo “mësim i shqipes” ka njerëz konkretë që e bëjnë këtë punë çdo javë.
Dhe mendoj që ndoshta ky është një nga kontributet më të rëndësishme të një botimi të tillë: të krijojë një kujtesë të asaj që po ndodh, sot, tani në këtë kohë.
Sepse shumë prej këtyre përvojave, nëse nuk shkruhen, pasqyrohen transmetohen mbeten vetëm brenda komunitetit ku kanë ndodhur. Një projekt i realizuar në një shkollë, një metodë e provuar nga një mësues, një ide e lindur nga nevoja për t’i afruar fëmijët me shqipen, mund të mbetet një përvojë lokale. Kur ajo ndahet, mund të bëhet përvojë edhe për dikë tjetër.
Kjo është ndoshta ajo që “Flasim Shqip” ka ndërtuar më shumë gjatë këtyre katër viteve: jo vetëm një revistë, por një lloj arkive të gjallë të shkollave, mësuesve dhe komuniteteve shqiptare në diasporë.
Dua të besoj se sa më shumë kemi shkruar për shqipen në diasporë, aq më shumë është bërë e dukshme se pyetja nuk është vetëm: Si ta ruajmë gjuhën?, por edhe si ta bëjmë atë një gjuhë që fëmijët duan ta përdorin, ta dëgjojnë dhe ta ndiejnë si të tyren.
Dhe kjo e zhvendos bisedën përtej mësimit formal tek marrëdhënia që një brez i ri krijon me gjuhën e origjinës.
Një marrëdhënie që nuk është gjithmonë e thjeshtë dhe që nuk mund të ndërtohet vetëm përmes librave apo orëve të mësimit.
Nëntë numra më vonë, “Flasim Shqip” mbart edhe një tjetër pasuri: ka mësuar të dëgjojë më shumë. Ka mësuar se shqipja në diasporë nuk është një histori që mund të tregohet vetëm nga një këndvështrim. Është një histori që po shkruhet çdo ditë, në shumë vende dhe në shumë mënyra.
Dhe se shumë histori të tjera presin ende të rrëfehen…
*Autorja është kryeredaktore e revistës Flasim Shqip



