Nga Evarist Beqiri
Në zemër të Veronës, pata kënaqësinë të vizitoja galerinë e artistit të mirënjohur shqiptar Agron Hoti. Takova aty edhe të birin e Agronit, Lorenc-in, i cili edhe pse ka lindur dhe është rritur në Itali, fliste një shqipe të bukur.
Agron Hoti jeton dhe punon qysh prej vitit 2001, në Verona. Galeria e tij ndodhet në një nga zonat më të bukura dhe historike të qytetit, shumë pranë Castelvecchio dhe Arenës së Veronës.
Një hapësirë ku arti modern flet shqip, por komunikon universalisht. Punimet e tij janë rrëfime mbi identitetin, kujtesën dhe shpirtin krijues që kapërcen kufijtë. Në çdo detaj ndjehet një dialog mes rrënjëve shqiptare dhe botës. Kultura dhe arti mbeten ambasadorët më të qëndrueshëm të një kombi dhe Agroni është shembulli.
Në Itali, Shqipëri dhe në mbarë botën, veprat e tij ka lenë gjurmë në panoramën e artit bashkëkohor. Disa nga projektet e tij më të famshme përfshijnë:
Projekti CLIO (Dubai). Një instalacion “land-art” me gjatësi 10 kilometra në shkretëtirën Margham të Dubait.
Everflow: një vepër ku ai pikturoi një sipërfaqe prej 7,600 metrash katrorë për 100 ditë rresht në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Eclissi (Arena di Verona), një pikturë 400 metra katrorë në qendër të Arenës së zbrazët të Veronës, “La Notte dei Re” në Romë, etj.
Në Verona historia dhe estetika bashkëjetojnë natyrshëm. Ndërkohë, Agron Hoti na kujton se arti mbetet një nga mënyrat më të fuqishme për të treguar se kush jemi, pa pasur nevojë për shumë fjalë.










