Promovohet në Bruksel – Zaventem libri “Doktori që i dha jetë lirisë”, kushtuar figurës së Dr. Fahredin Hotit
Soni Memoci Bruksel – Zaventem
Bruksel – Zaventem, 25 prill 2026 – Ka ngjarje që nuk maten me numrin e pjesëmarrësve apo me protokollin që i rrethon, por me peshën që lënë në ndërgjegjen kolektive. Promovimi i librit “Doktori që i dha jetë lirisë” ishte një i tillë – një moment reflektimi mbi vlerat e humanizmit, sakrificës dhe kujtesës historike.
Liria ishte mision për të, dhe për këtë mision ai ishte i gatshëm të jepte gjithçka, madje edhe jetën e tij. Libri “Doktori që i dha jetë lirisë” transmeton mesazhin e lirisë si një vlerë universale. Ky aktivitet nuk ishte thjesht një promovim libri, por një akt i fuqishëm përkujtimi dhe reflektimi, ku u bashkuan përfaqësues institucionalë, përfaqësues të shoqatave shqiptare në Belgjikë, veprimtarë, intelektualë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar, duke krijuar një atmosferë që ndërthuri dhimbjen e kujtesës me krenarinë e trashëgimisë.
Biografia e dëshmorit, Dr. Fahredin Hoti, u prezentohet me zërin e gazetarit të mirënjohur Resul Sinani
Një figurë që i përket ndërgjegjes kolektive
Dr. Fahredin Hoti mbetet një nga figurat më domethënëse të historisë së re të Kosovës. Si mjek, ai ishte i përkushtuar ndaj jetës; si njeri, ai ishte i përkushtuar ndaj popullit; dhe si idealist, ai ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë.
Në periudha të errëta, kur sistemi shëndetësor ishte i paralizuar dhe jeta njerëzore rrezikohej çdo ditë, ai e ktheu profesionin e tij në mision. Shtëpia e tij u shndërrua në një spital të improvizuar, ku trajtoheshin të plagosurit dhe ku jepeshin shpresë e kurajo në një kohë pasigurie.
Në rrethana të jashtëzakonshme, shtëpia e tij u shndërrua në një qendër improvizuese mjekësore, ku ai trajtonte të plagosurit dhe ndihmonte popullsinë civile. Me përkushtimin e tij, ai kontribuoi në shpëtimin e shumë jetëve dhe në lindjen e mbi 800 fëmijëve – një dëshmi e gjallë e jetës që vazhdonte edhe në kohë errësire.
Angazhimi i tij për lirinë dhe dinjitetin njerëzor e bëri atë një figurë të respektuar dhe të paharruar, duke e vendosur në ndërgjegjen kolektive si simbol të sakrificës për atdheun.
Viola Kaloshi, Konsulle në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, si dhe z. Miftar Kryeziu, Konsull i Republikës së Kosovës, të cilët vlerësuan lart figurën e Dr. Fahredin Hotit dhe rëndësinë e kësaj vepre për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe forcimin e identitetit kombëtar.
Z. Ragip Zekolli, si bashkëorganizator me mua i këtij promovimi dhe mik e bashkëveprimtar i Doktorit, theksoi se figura e Dr. Fahredin Hotit përfaqëson një ndërthurje të rrallë të humanizmit, patriotizmit dhe integritetit moral. Ai e cilësoi si një mjek që e konceptoi profesionin si mision jetësor dhe si një atdhetar që e vuri jetën në shërbim të lirisë së vendit.
Z. Zekolli,në vazhdim të fjalës së tij, nënvizuoi se vepra e autorit Besnik F. Hoti përbën një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e historisë së Kosovës, duke krijuar një urë lidhëse ndërmjet brezave dhe duke shërbyer si burim frymëzimi dhe reflektimi për të ardhmen.
Libri “Doktori që i dha jetë lirisë”, të cilin autori e dedikoi për secilin të pranishëm, vlerësohet si një vepër me dimensione të shumfishta – historike, edukative dhe morale – që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe në forcimin e ndërgjegjes kolektive.
Nga Ambasdorib Gashi
Dr. Fahredin Hoti – Humanizmi, Patriotizmi dhe Kujtesa që Jeton përmes Fjalës
Megjithëse nuk kam pasur fatin ta njoh personalisht Dr. Fahredin Hotin, figura e tij me duket sikur më është e njohur prej kohësh. Kjo ndjesi vjen falë përshkrimit aq të gjallë, të ndjerë dhe autentik që i ka bërë autori i kësaj vepre – pasardhësi i tij i denjë, miku im, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe diplomati i shquar, Besnik Fahredin Hoti. Përmes fjalës së tij, një figurë historike merr jetë dhe bëhet e afërt, njerëzore dhe frymëzuese.
Historia e popullit të Kosovës është ndërtuar mbi personalitete që kanë mishëruar vlera të larta njerëzore dhe kombëtare. Ndër to, një vend të veçantë zë Dr. Fahredin Hoti, i cili përfaqëson një ndërthurje të rrallë të humanizmit, patriotizmit dhe fisnikërisë shpirtërore. Veprimtaria dhe sakrifica e tij janë dëshmi e përkushtimit të pakushtëzuar ndaj popullit dhe lirisë së Kosovës, ndërsa libri kushtuar jetës së tij përbën një kontribut të çmuar në ruajtjen e kësaj trashëgimie.
Humanizmi si thelb i veprimtarisë së tij
Ky fakt nuk është vetëm statistikë, por dëshmi e një filozofie jetësore: se edhe në kohët më të vështira, jeta duhet të vazhdojë.
Një libër që flet përtej fjalëve
Libri “Doktori që i dha jetë lirisë” sjell një rrëfim të thellë mbi jetën e Dr. Hotit, duke ndërthurur kujtime, dëshmi dhe reflektime që ndihmojnë lexuesin të kuptojë jo vetëm figurën e tij, por edhe kohën në të cilën ai jetoi dhe veproi.
Në fjalën hyrëse të aktivitetit u theksua:
“Jemi mbledhur jo vetëm për promovimin e një libri, por për të nderuar një jetë, një mision dhe një sakrificë që i dha kuptim lirisë sonë.”
Ky mesazh u pasua nga reflektime mbi rolin e kujtesës historike dhe rëndësinë e transmetimit të saj:
“Sot, përmes këtij libri dhe fjalëve të ndara këtu, ne nuk po kujtojmë vetëm të kaluarën. Ne po mësojmë se çfarë do të thotë të jesh i përkushtuar, të jesh human dhe të jesh i denjë për lirinë që gëzojmë.”
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve nga Republika e Shqipërisë. Konsullja Z.Viola Kaloshi , Republika e Kosovës Konsulli Miftar Kryeziu dhe përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut, z. Veton Kiki si dhe përfaqësues të shumtë të shoqatave shqiptare në Belgjikë, veprimtarë, intelektualë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar. Prania e tyre i dha ngjarjes një dimension të gjerë mbarëkombëtar.
Zëra që e njohën nga afër
Një element i veçantë i këtij promovimi ishte fakti se shumë nga të ftuarit dhe folësit e njohën personalisht Dr. Fahredin Hotin. Përmes dëshmive dhe kujtimeve të tyre, figura e tij u soll jo vetëm si një simbol historik, por si një njeri real, i përkushtuar dhe i afërt me popullin.
Prania e të birit, Besnik Hoti, i dha aktivitetit një dimension të thellë emocional, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes historisë personale dhe asaj kolektive.
Moderimi dhe rrjedha e aktivitetit
Programi i aktivitetit u drejtua nga Soni Memo, e cila përmes një moderimi të qartë dhe të ndjeshëm arriti të krijojë një rrjedhë të balancuar mes fjalimeve, leximeve dhe momenteve artistike, duke i dhënë aktivitetit një ton dinjitoz dhe profesional.
Ky promovim u konsiderua jo vetëm si një prezantim libri, por si një rikujtim i fortë se kujtesa historike është përgjegjësi e përbashkët dhe se sakrifica për liri mbetet e paharruar.
Humanizmi si akt rezistence
Dr. Fahredin Hoti mbetet një figurë që tejkalon dimensionin e profesionit. Në periudha të vështira, ai e shndërroi shtëpinë e tij në një qendër mjekësore, duke trajtuar të plagosurit dhe duke ndihmuar popullsinë civile. Mbi 800 fëmijë erdhën në jetë falë përkushtimit të tij – një dëshmi e gjallë e jetës në kohë errësire.
Dimensioni i poetit
Mjeku që shkruante poezi
Një dimension më pak i njohur i Dr. Hotit ishte edhe krijimtaria e tij letrare. Përveç profesionit të mjekut, ai ishte edhe autor poezish, të cilat shpesh i shkruante në kushte të thjeshta, në fletët që përdorte për përshkrimin e barnave.
Poezitë e tij, të shkruara në kushte të thjeshta, u ruajtën nga i biri dhe sot përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së tij.
Një nga krijimet e tij, poezia “Rini”, e shkruar më 30 tetor 1979 në Prishtinë, pasqyron fuqishëm idealin dhe qëndresën:
RINI
Rini e dhembjeve të gjata
nëpër breza kohërash të egra
rinove në errësirën e djejave
kryelartë barte flamurin në gji.
Nisu rini në udhëtimin e shenjtë
ec drejt fitoreve të reja
koba është mik i keq
kur mungon vullneti për jetë.
Ngritu rini mbi gjakun e etërve
mos e ndal hovin e shpirtit
përballu me rrebeshet e kohës
Kosovës mos lejo t’i vdesë shpresa.
(30.X.1979, Prishtinë)
Poezia “Rini” u interpretua gjatë aktivitetit nga konsullja e Ambasadës së Shqipërisë, znj. Viola Kaloshi, duke krijuar një moment të fuqishëm emocional. Gjithashtu, vargje të tjera u recituan edhe nga të pranishmit në sallë.
Poezite e Dr. Fahredin Hotit, të përmbledhura në librin “Vdekja e një nate”, pasqyrojnë një botë të brendshme të pasur me ndjenja, dhimbje dhe shpresë, duke dëshmuar se ai ishte jo vetëm një mjek i përkushtuar, por edhe një shpirt i ndjeshëm krijues.
Falënderim dhe përkushtim
Organizimi i këtij promovimi u realizua nga Ambasadori Ramadan Gashi, Ragip Zekolli dhe Besnik Hoti, të cilët u vlerësuan për përkushtimin dhe organizimin dinjitoz.
Një falënderim i veçantë u shpreh edhe për biznesin T HOF VAN HAMME, Hector Henneaulaan 64, 1930 ne Zaventem, i cili mundësoi zhvillimin e kësaj ngjarjeje në kushte të përshtatshme dhe me standard të lartë organizimi.
Kujtesa që na bashkon
Ky promovim dëshmoi se kujtesa historike nuk është vetëm një rikujtim i së kaluarës, por një përgjegjësi e përbashkët që na bashkon si komunitet.
Figura e Dr. Fahredin Hotit mbetet një udhërrëfyes për brezat – një shembull i përkushtimit ndaj jetës, humanizmit dhe lirisë. Ndërsa vepra e Besnik Hotit siguron që kjo figurë të jetojë përtej kohës, duke e shndërruar kujtesën në histori dhe historinë në udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.
Mirënjohje dhe respekt për autorin, i cili përmes fjalës së shkruar ka bërë të mundur që një jetë e jashtëzakonshme të mbetet e gjallë në ndërgjegjen tonë kolektive.
Lavdi dëshmorëve të kombit!









