Ka disa fryte të shkollës që nuk maten me nota, por me zemër. Mes tyre, më i bukuri është miqësia – ajo që lind në bankat e klasës dhe rritet përtej tyre, duke bashkuar jo vetëm fëmijët, por edhe familjet. Linda Bazina mësuese në Shkollën Shqipe “Ardhmëria” në Bexleyheath, Londër sjell një përjetim personal të këtij fenomeni të rrallë e prekës: miqësia që merr jetë në shkollën shqipe dhe shtrihet në sofrat dhe përditshmërinë e prindërve.
Ajo përshkruan me ndjeshmëri se si, nga takimet e para të sikletshme në fillimvit, lindin shoqëri të sinqerta mes nxënësve dhe lidhje të ngrohta mes prindërve. Nga një “kohë pritjeje” gjatë orës së mësimit, krijohen ura komunikimi, bashkëpunimi dhe mbështetjeje. Dhe kur kjo miqësi lind mes fëmijëve me rrënjë të përbashkëta, në një shoqëri që nuk është ajo e origjinës së tyre, ajo merr një dimension edhe më të thellë: bëhet një hapësirë sigurie, një rikthim simbolik tek identiteti dhe një mënyrë për ta jetuar përkatësinë pa komplekse e pa ndarje.
Edhe më emocionues bëhet ky realitet kur në këtë rreth miqësie përfshihen familje me prejardhje të ndryshme, që zgjedhin të përqafojnë gjuhën dhe traditën shqiptare si të tyren. Shkolla shqipe, siç e sjell ajo në këtë shënim, nuk është thjesht vend mësimi – është hapësirë ku ndërtohen komunitete, ku rrënjët forcohen dhe ku familjet bëhen një.
Nga Linda Bazina
Ja tek jemi kthyer me padurim e plote energji në shkollë pas pushimeve. Si gjithmonë dhe mëse normale, pak e vështirë të mbash a qetësi në klasë pasi të gjithë nxënësit duan të përshëndeten e ndajnë eksperiencat e tyre gjatë pushimeve.
Këtë radhë dua të ndalem tek një fenomen tepër i bukur e i rëndësishëm që është produkt i shkollave shqipe – MIQËSIA përtej fëmijëve.
Në fillimin e vitin shkollor ka shumë nxënës të rinj, të cilët nuk njihen me njëri-tjetrit. Po ashtu edhe prindër që takohen për herë të parë.
Gradualisht nxënësit fillojnë e miqësohen duke u bërë shokë/shoqe të ngushta.
Dhe po kështu, gradualisht edhe prindërit fillojnë të njihen me njëri-tjetrin. Koha e mësimit të fëmijëve është klasë, kohë “pushimi/kafe ” për prindërit. Jo në pak raste, në bisedë e sipër nxënësit më thonë – mësuese – sot do të shkojmë për drekë tek shtëpia e (emrin e shokut/ shoqes).
Po kështu edhe me prindërit tek bisedojmë lirshëm dëgjoj tek thonë – do të marr fëmijët e mi dhe fëmijët e një prindi tjetër pasi do të shkojmë në park/ kinema, etj…
MIQËSI E FËMIJËVE – MIQËSI FAMILJARE! – Shtëpi të reja shqiptare të lidhura së bashku.
Edhe më emocionues fenomenin “Miqësi “ e bën fakti që disa prej prindërve të tyre janë me origjinë jo shqiptare (sidomos nënat) që flasin pak shqip dhe që kanë dëshirë të jenë shqiptare edhe në traditë e kulturë. Është mrekulli të shohësh foto të përbashkëta familjare në ambiente të ndryshme ku buzëqeshjet e tyre tregojnë haptazi se edhe pse mund të jenë dy ose tre familje së bashku, ato duken si një familje e madhe rreth sofrës shqiptare.
Shkolla shqipe është vendi ku jo vetëm mësojmë gjuhën, tradita, kulturën tonë, është vendi ku zgjerojmë rrethin tonë me miq nga i gjithë kombi ynë e përtej!
Mirënjohje e Respekt për prindërit!
Privilegj, nder dhe emocion të jesh mësuese e Shkolla Shqipe Ardhmëria në Bexleyheath ku nxënës, mësues e prindër jemi një familje që zgjerohet çdo ditë e më tepër!







