Lufta kundër nepotizmit nuk është vetëm politike. Është kulturore. Është morale. Dhe është urgjente.Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për të vendosur theksin te lufta kundër nepotizmit është një hap i rëndësishëm. Jo sepse fenomeni është i ri, por sepse pasojat e tij janë thellësisht shkatërruese për një shoqëri që synon të jetë demokratike, funksionale dhe meritokratike. Kjo është veçanërisht e vërtetë për industrinë krijuese dhe artet, ku meritokracia nuk është luks, por domosdoshmëri.
Nepotizmi si trashëgimi e dhimbshme shqiptare
Nepotizmi është një plagë e trashëguar që ka futur rrënjë thellë në jetën shqiptare. Gjatë periudhës osmane, lidhjet fisnore dhe rajonale shpesh zëvendësuan meritën. Më pas, sistemi komunist e shndërroi këtë në një mekanizëm frike dhe persekutimi: Shpesh thëniet si “biografi e keqe” kundrejt “biografi e mirë” përdoreshin si maskë për të mbuluar anësinë familjare apo krahinore (tarafllëk). Artet dhe inteligjencia u goditën rëndë. Krijimtaria u kontrollua, talenti u ndëshkua, dhe besnikëria u shpërblye. Pasojat ishin katastrofike me krijimtari dy dimensionale e te zhveshura nga realiteti krijues apo me keq akoma me heqje të pa drejta nga puna e deri tek burgosjet.
Një mësim nga historia europiane
Fjala “nepotizëm” vjen nga një nga episodet më të errëta të kishës dhe historisë europiane: periudha e Papa Aleksandër Borgias në fund të shekullit XV, ku pushteti fetar u shndërrua në instrument familjar, duke korruptuar strukturat, moralin dhe drejtësinë. Ishte një epokë ku pushteti u shndërrua në një vegël për pushtet, përfitim personal dhe familjar. Pozita e papës XV nuk u përdor për shërbim, por për pasuri, dominim, zgjerim personal dhe familjar. Në të njëjtin shekull, kombi shqiptar dhe Ballkani Perëndimor po përjetonin një nga periudhat më dramatike të historisë së tyre. Nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shqiptarët luftuan jo vetëm për territor, por për dinjitet, identitet dhe liri përballë Perandorisë Osmane. Historia jonë na mëson se pushteti pa parime sjell errësirë, ndërsa udhëheqja me meritë dhe vizion krijon dritë dhe meritokraci, sidomos ne art e kulture. Këto pasoja i ndiejmë ende sot.

Një përvojë personale institucionale dhe pasojat e saj më të gjera
Në vitin 2022, paraqita kandidaturën time për drejtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor të Shqipërisë. Kriteret e shpallura nga qeveria ishin të qarta, të matshme dhe publike. Nga gjashtë kandidatë, isha i vetmi që i përmbushte plotësisht të gjitha. Ky fakt, paradoksalisht, ishte sinjali i parë se procesi nuk po zhvillohej mbi baza të shëndosha. Megjithatë, mendova se kandidatët do të përzgjidheshin edhe nga aftësia personale. Më vonë u bë e qartë se pozicioni iu dha një personi me lidhje familjare ministrore. Pas pak vitesh në detyrë, drejtuesi u shkarkua dhe, sipas raportimeve mediatike, u përfshi në çështje ligjore dhe është në listën e SPAK. Ky nuk duhet parë si një episod individual, por si simptomë e një sistemi që shpërblen lidhjet dhe jo kompetencën. Megjithatë, dëmi i vërtetë i nepotizmit nuk është vetëm personal. Kur një profesionist me përvojë, integritet dhe motivim të sinqertë për të zhvilluar artet cilësore përjashtohet, pasoja është shumë më e gjerë. Unë krijova një thyerje të thellë besimi ndaj institucioneve dhe një ndjenjë se angazhimi i ndershëm nuk garanton as siguri, as bashkëpunim të drejtë në të ardhmen. Më e rëndësishmja, duke shtyrë mënjanë individë që mund të kontribuojnë realisht, sistemi ndërton barriera edhe për shumë artistë të tjerë që do të kishin përfituar nga profesionalizmi, dhe standardet më të larta për të zhvilluar talentin e tyre. Në këtë mënyrë, nepotizmi nuk dëmton vetëm karriera individuale, por ngadalëson zhvillimin e gjithë ekosistemit kulturor në Shqipëri. Në fund, dëmtohet edhe publiku. Audiencat privohen nga perspektiva të reja, nga vizione të ndryshme dhe nga mundësia për t’u pasuruar shpirtërisht dhe kulturalisht përmes një lidershipi me integritet. Ky është dëmi më i heshtur, por edhe më i thellë, që shkaktohet kur përzgjedhja nuk bazohet në meritë.
Pse meritokracia është jetike për artin dhe kulturen Shqiptare?
Artet nuk mund të lulëzojnë pa akses të barabartë, konkurrencë të ndershme dhe udhëheqje të aftë. Artistët kanë nevojë për struktura që i mbështesin, jo që i bllokojnë. Institucionet kulturore duhet të jenë hapësira mundësish, jo klube të mbyllura partish apo me keq të kushurinjve apo farefisnore. Meritokracia nuk garanton perfeksion, por garanton drejtësi, zhvillim dhe shpresë.
Misioni im
Prej dekadash, misioni im ka qenë të krijoj ndryshim pozitiv dhe të mbështes artistë dhe liderë krijues që të arrijnë potencialin e tyre të plotë – artistikisht dhe në biznes. Përmes qasjes sime “Theatre into Business”, unë punoj për të ndërtuar ura midis krijimtarisë, lidershipit dhe qëndrueshmërisë, duke ndihmuar individë dhe institucione të funksionojnë me integritet, vizion dhe influencë. Prandaj dhe, lufta kundër nepotizmit nuk është vetëm politike. Është kulturore. Është morale. Dhe është urgjente. Një shoqëri që zgjedh meritën, talentin dhe punën e ndershme mbi lidhjen, ndërton të ardhmen mbi themele të forta.
Titulli origjinal: Nepotizmi në art the kulturë: Një sëmundje e vjetër që vazhdon të dëmtojë artin, kulturen, demokracinë dhe brezat e ardhshëm
Nga Tomorr Kokona Konsulet Biznesi dhe Specialist i Industrisë Krijuese www.TomorrKokona.com



