Çdo verë, rrugët europiane mbushen me karvanë shqiptarësh që nisen nga Londra e largët, nga zemra e Britanisë, drejt vendit të tyre të lindjes – Shqipërisë.
Jo me avion e komoditete, por me makinë, familjarisht, duke përshkuar mijëra kilometra, duke sfiduar lodhjen, trafikun, netët pa gjumë dhe kufijtë.
Ky nuk është thjesht një udhëtim pushimesh. Është një rrugëtim zemre. Një kthim në identitet. Një dëshmi se dashuria për atdheun nuk shuhet me kalimin e kohës, nuk venitet nga kilometrat, nuk zëvendësohet dot nga asnjë komoditet perëndimor.
Ata janë heronjtë e heshtur të diasporës – njerëz që kanë ndërtuar jetën në emigrim, por që nuk harrojnë kurrë vendin prej nga vijnë.
Shqiptarët e Londres janë heronj të përditshmërisë – punojnë fort, rrisin fëmijët me dy kultura dhe nuk harrojnë kurrë nga vijnë. Por kur nis vera, ata kthehen në heronj të një udhëtimi të shenjtë. Në autostrada të huaja, me fëmijë që pyesin “kur do të mbërrijmë”, me flamurin kuqezi që valon në xhamin e pasëm, ata tregojnë se dashuria për atdheun nuk matet me kilometra.
Në çdo ndalesë rrugore, në çdo hotel pranë një kufiri, sheh fytyrat e lodhura por të lumtura të bashkatdhetarëve tanë. Në çdo pasaportë shqiptare të skanuar në kufijtë e Ballkanit fshihet një histori e veçantë – e një familjeje që kthehet për të parë prindërit, për të ndjerë erën e detit shqiptar, për të përqafuar gjyshërit dhe për t’u rikthyer për pak javë në zemrën e atdheut.
Sepse Shqipëria nuk është vetëm një vend në hartë për ta – është një ndjenjë që s’ka kufij. Është aroma e bukës së nënës, zëri i fqinjit që të thërret nga rruga, shija e frutave të kopështit, zhurma e detit në jug apo freskia e maleve në veri. Është vendi që gjithmonë të mungon dhe gjithmonë të pret.
Kjo është diaspora shqiptare – krenaria jonë. Një popull që nuk harron rrënjët, që e mban gjallë lidhjen me vendin amë jo vetëm në fjalë, por në vepra, sakrifica dhe udhëtime të tilla që meritojnë të quhen heroike.
Në emër të gjithë shqiptarëve që presin me mall e dashuri, ju themi: Mirë se vini në shtëpi tuaj!
Nga Esat Braçe



