Në fillim të vitit shkollor 2024/25, arrita, bashkë me disa nxënës të shkëlqyeshëm të klasave ku punoj në kuadër të shkollave shqipe në Zvicër, të krijoj një klasë të veçantë. Me këta nxënës, në orë të posaçme, u përkushtuam në trajtimin e botës arbëreshe – kësaj rrënje të fortë të gjuhës shqipe që ka sfiduar dallgët e asimilimit për gati gjashtë shekuj.
Në vizitën e realizuar në maj të vitit 2024 në disa prej katundeve arbëreshe, u dakorduam që të binjakëzojmë “Shkollën Shqipe” në Zvicër me shkollën në Ungra, përkatësisht me klasën arbëreshe atje. Kësaj nisme i prinë figura të njohura të botës arbëreshe si Ornela Radovicka, gazetari Rexhep Rifati, aktivistët Tommaso Ferrari dhe Tommaso Belusci, si dhe drejtori i përgjithshëm i shkollës fillore në Ungra, Ing. Prof. Gianfranco Maletta. Iniciativa u mbështet gjithashtu nga krijuesit e Lidhjes së Krijuesve në Mërgatë, shoqata “Hora e Skënderbeut”, si dhe nga shoqata të tjera, veprimtarë e mësues në Zvicër dhe në katundet arbëreshe.
Gjatë këtij viti shkollor, me nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Zvicër arritëm, në mënyrë të thjeshtësuar dhe të përshtatshme për moshën e tyre, të prezantojmë historinë e popullit shqiptar, përfshirë fiset ilire, kohën e perandorive dhe pushtimeve, emrat e trashëguar ilirë, si dhe përpjekjet e pareshtura për ruajtjen e gjuhës shqipe ndër shekuj. Një fokus të veçantë ia kushtuam botës arbëreshe, e cila është një nga dëshmitë më të gjalla të qëndresës gjuhësore dhe kulturore shqiptare.
Pas shumë konsultimeve, morëm një ftesë nga shkolla në Ungra dhe nga katundet e tjera arbëreshe për një vizitë katërditore në gjashtë vendbanime arbëreshe. Aty u pritëm me një mikpritje të jashtëzakonshme, që fjalët nuk mjaftojnë për ta përshkruar. Ishin ditë të veçanta, të përgatitura me kujdes të jashtëzakonshëm: nga takimet me drejtues lokalë, vizitat në shkolla, programet e përbashkëta kulturore, vallet, këngët dhe prezantimet, te ushqimet tradicionale, dhuratat dhe mbi të gjitha fjalët e ngrohta që buronin nga shpirti i këtyre katundeve, të cilat prej shekujsh ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Nga 29 maj deri më 1 qershor 2025, përjetuam një mikpritje të paharrueshme në katundet arbëreshe: Shën Vasili, Firmozë, Ungro, Çifti, Firmo dhe Frasnitë. Secili vend kishte përgatitur diçka unike, më të veçantë se tjetri. Takimi i parë mes nxënësve të shkollës shqipe dhe atyre arbëreshe ishte aq frymëzues, saqë dukej sikur ata njiheshin prej vitesh. Këndonin, vallëzonin, recitonin dhe komunikonin së bashku me një natyrshmëri që na emocionoi të gjithëve.
Flamuri kombëtar, kostumet tradicionale arbëreshe që mbanin nxënësit, përkushtimi i mësuesve dhe veprimtarëve të komunitetit, si dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve lokalë, krijuan një atmosferë që nuk mund të përshkruhet me fjalë.
Nxënësit nga Zvicra – Tana Limoni, Melisa Selimi, Rina Kelmendi, Arianita Kryeziu, Nora Nocaj, Gent Mortina, Shera Dakaj, Lina Limoni dhe Era Kelmendi – bashkë me prindërit e tyre dhe mësueset Qefsere Sejdiu dhe Minire Azemi, u pritën dhe u përcollën me nderime që rrallë përjetohen. Fjalët që dëgjuam, emocionet që ndamë dhe vlerat që shkëmbyem janë dëshmi e gjallë e gjakut të përbashkët, e shpirtit të pathyeshëm të një populli që ka ruajtur me përkushtim kulturën dhe gjuhën e vet.
Në këtë udhëtim, ne, mësuesit shqiptarë në Zvicër, ofruam modelin tonë: ashtu siç mërgimtarët shqiptarë i dërgojnë fëmijët në klasat e gjuhës amtare për të ruajtur gjuhën shqipe, edhe komuniteti arbëresh mund të bëjë të njëjtën gjë. Në Ungra, tashmë kanë filluar dy klasa me mësueset e përkushtuara Maria Tolisano dhe Nicoletta Buono, dhe ne i inkurajuam që kjo nismë të zgjerohet edhe në katundet e tjera. Në këmbim, morëm shembullin arbëresh: sakrificën shumëvjeçare për ta ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar.
Ky këmbim i ndërsjellë i vlerave është një përpjekje që frymëzon të dyja palët – shqiptarët e Zvicrës dhe arbëreshët e Italisë – dhe në këtë rrugëtim të përbashkët u bashkuam nën hijen e flamurit kombëtar.
I vetëdijshëm që ky artikull nuk mund t’i përmbledhë të gjitha çastet e mrekullueshme që përjetuam në katundet arbëreshe, do të mundohem që përjetimet e secilit vend t’i ndaj në shkrime të veçanta. Dhe në vend të një falënderimi formal, po e themi me gjithë zemër: do të vazhdojmë të bashkëpunojmë e të bashkëveprojmë, për ta ruajtur gjuhën dhe vlerat tona kombëtare, me të cilat na njeh e na respekton bota.
E kam thënë dhe do ta them gjithmonë:
“Gjaku i Arbërit rron!”