Programi didaktik vjetor është hartuar nga mësueset, duke u bazuar në Kurrikulën e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë, aprovuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, Ministria e Arsimit, Sportit dhe e Rinisë e Shqipërisë, ndërthurur me tekstet e “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”, të botuara nga QBD.
Të mësosh gjuhën shqipe në Itali (në një vend të huaj) mund të duket një sfidë, sidomos për fëmijët që janë rritur në një mjedis ku gjuha italiane (e huaj) është mbizotëruese. Megjithatë, një nga mënyrat më të suksesshme për të kapërcyer këtë sfidë është përdorimi i lojës si një metodë kreative dhe argëtuese për të mësuar.
Lojërat ndihmojnë në zhvillimin e aftësive gjuhësore në mënyrë të natyrshme dhe spontane. Përmes tyre, fëmijët nuk ndihen të ngarkuar nga procesi i të mësuarit, por përfshihen në një përvojë që i argëton, duke bërë që fjala shqipe të depërtojë në mënyrë të pandërgjegjshme në mendjen e tyre.
Lojërat e fjalëve, për shembull, mund të ndihmojnë në pasurimin e fjalorit, ndërsa lojërat me role mund të inkurajojnë komunikimin dhe të zhvillojnë aftësitë e të folurit.
Një lojë e zakonshme mund të jetë “Kush e thotë më shpejt?”, ku fëmijët ndahen në grupe dhe duhet të përmendin sa më shpejt fjalët shqipe që lidhen me një kategori të caktuar, si p.sh., frutat, kafshët ose objektet e shtëpisë. Kjo jo vetëm që krijon një atmosferë gare dhe argëtimi, por ndihmon në përforcimin e fjalëve dhe kuptimit të tyre.
Një tjetër lojë interesante mund të jetë “Tregimi i përbashkët”, ku secili fëmijë shton një fjali në shqip për të krijuar një histori të përbashkët. Kjo metodë ndihmon jo vetëm në praktikën e të folurit, por edhe në zhvillimin e imagjinatës dhe bashkëpunimit midis nxënësve.
Lojëra të tjera të njohura si “Kriporja” ose “Telefoni i prishur” ndihmojnë në pasurimin e fjalorit të gjuhës shqipe në një mënyrë argëtuese dhe të thjeshtë.
Përdorimi i lojës krijon një lidhje të fortë mes mësimit të gjuhës shqipe dhe kënaqësisë që ndjejnë fëmijët kur luajnë. Kjo është një mënyrë ideale për t’i mësuar fëmijët të mos e shohin gjuhën e tyre amtare si një detyrë, por si një pasuri kulturore që mund të përvetësohet me kënaqësi dhe dashuri.
Përveç lojërave tradicionale, përdorimi i teknologjisë është gjithashtu një mjet i fuqishëm për të ndihmuar fëmijët të përforcojnë njohuritë e tyre gjuhësore. Aplikacione si Kahoot i përdorim për të krijuar kuizze interaktive dhe sfida në gjuhën shqipe, duke bërë procesin e të mësuarit më tërheqës dhe argëtues. Përmes Kahoot-it, fëmijët mund të praktikojnë fjalorin, gramatikën dhe njohuritë kulturore në një mënyrë konkurruese dhe bashkëpunuese, duke nxitur përfshirjen dhe entuziazmin në mësimin e gjuhës shqipe. Në këtë mënyrë, loja dhe teknologjia kombinohen për të krijuar një qasje efektive dhe argëtuese për të ruajtur dhe forcuar identitetin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve. Mbroni Shqipen o Shqiptarë, Gjuha dhe Kombi një e të pandarë!
Nga Valbona Marku
Mësuese e Gjuhës Shqipe
Shkolla “Migjeni” Fano, Itali