Për personat shtetas të Bashkësisë evropiane (BE-së), çështja e lejes së punës dhe e qëndrimit është një formalitet i thjeshtë. Për fitimin e saj, mjafton të sigurohet një punë apo një kontratë pune e cila dëshmon arsyen e vendosjes së personave në fjalë në shtetin zviceran.
Duhet dëshmuar edhe gjetja e një banese dhe lidhja me sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Edhe disa kushte tjera shtesë nuk janë aspak vështirë të plotësohen, sidomos kur ekzistojnë garanci të mjaftueshme për fillimin e një veprimtarie profesionale.
Kuptohet se në mesin e shtetasve të BE-së, përfshihen edhe personat me origjinë nga vendet tona që posedojnë shtetësinë e ndonjërës prej shteteve evropiane anëtare të BE-së.
Ky rregull parimor zbatohet natyrisht edhe për personat të cilët janë të pajisur me pasaportën e Greqisë.
Sa i përket respektimit të procedurës deri te nxjerrja e lejes zvicerane të punës, veprimi i parë që kërkohet tw bëhet nga personat e interesuar, wshtw gjetja e njw pune (preferohet me kontratë, e jo vetëm një formë premtimi për punë), e më tej përcillen formalitetet tjera për marrjen e lejes së punës dhe të qëndrimit.
Gabim është pra nëse mendohet e kundërta (së pari leja e pastaj puna!).
Shpjegimet e dhëna këtu bazohen në marrëdhëniet që e lidhin Zvicrën me shtetet e BE-së, të karakterizuara me praninë e marrëveshjeve bilaterale (të dyanshme) dhe të cilat parashikojnë, në mes tjerash, që trajtimi në tregun e punës të jetë i barabartë dhe pa diskriminim në mes të shtetasve zviceranë dhe atyre që vijnë nga vendet e BE-së. Është pikërisht ky aspekt ligjor ai i cili i’u ka mundësuar shumë bashkatdhetarëve tanë – të cilët e posedojnë pasaportën e vendeve që na rrethojnë (veçanërisht nga Italia) – që të integrohen pa vështirësi të mëdha në tregun zviceran të punës. Pra, edhe për bartësit e pasaportës greke zbatohen po të njëjtat lehtësi. Mirëpo kuptohet se për shkaqe tashmë të njohura (posaçërisht gjuhësore, të largësisë gjeografike, mungesës së një rrjeti familjar ose shoqëror), personat e pajisur me një pasaportë greke e kanë pak më të vështirë me u integruar në tregun zviceran të punës, në krahasim, për shembull, me bashkëvendasit që vijnë nga Italia.
Në ditën e sotme, nuk ekziston asnjë kufizim në numër për punësimin e personave që vijnë nga shtetet e BE-së. Nuk zbatohet asnjë “sistem kuotash”.
Kurse për personat që vijnë nga shtetet jashtë BE-së, zbatohet ligji për të huajt, i cili përmban tejet pak rregulla të ngjashme me ato të marrëveshjeve bilaterale. Ligji i tillë historikisht karakterizohet me dispozitat e tija rigoroze. Prandaj, bashkatdhetarët tanë që punojnë në vendet që na rrethojnë dhe që nuk posedojnë shtetësinë e vendeve anëtare të BE-së (por vetëm një leje qëndrimi apo pune), i’u nënshtrohen rregullave të këtij ligji. Disa përjashtime ekzistojnë për personat që janë të vendosur në zonat gjeografike kufitare që e ndajnë Zvicrën me shtetet e BE-së. ©Diaspora Shqiptare