Themelues e administrator i shoqërisë MRG (akronim i cili përmban emrat e tre fëmijëve të tij Marvi, Reison e Greis), prej një dyqani në lokalitetin Borghesiana në Romë Zef Marku vepron si furnitor në tregun e pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake në rajonin italian të Lacios. Shpirti i sakrificës, përmirësimi i aftësive, synimi për t’i dhënë vetes e familjes një të tashme e të ardhme me perspektivë dhe përkushtimi në aktivitete ekonomike spikasin si përbërësit e historisë së tij në Itali.
Hapja e shoqërisë përbën pikë mbërritjeje të një historie nisur në fillim të viteve 2000 prej Vaut të Dejës, nga ku Marku largohet drejt Italisë në ndjekje të synimit për të përmirësuar gjendjen ekonomike personale e të familjes. Punësimi i parë në Romë konsiston pranë një dyqani shitjesh materialesh sportive në lagjen Centocelle.
“Përveçse në praktimin e gjuhës italiane në një vend të huaj, ajo punë më ka ndihmuar shumë në përmirësimin e komunikimit me personat, pa menduar ende atëherë se në një të ardhme do të ballafaqohesha me një klientelë në cilësinë e furnizuesit siç jam sot. Nën organizimin e dyqanit, merrja pjesë në kurset e formimit për praktika sportive edhe jashtë Romës” – na tregon Marku.
Kalimi në punësimin pranë një sipërmarrjeje shpërndarjeje pajisjesh elektroshtëpiake i mundëson administrim logjistik magazinash të tyre dhe i jep autonominë ekonomike të mbajë në jetë përkohësisht një dyqan familjar në Bërdicë të Shkodrës.
Specializimi në riparimin e elekroshtëpiakeve zgjeron mundësinë për aktivitet më të pavarur, materializuar në administrim magazinash dhe krijimin e shoqërisë MRG në 2019. “Në këtë periudhë u fokusova në rritjen e aftësive sipërmarrëse dhe zgjerova kapacitetin e ndërveprimit me klientët, duke krijuar taktika komunikimi e lidhjeje me ta e familjarët e tyre” – vazhdon rrëfimin e tij. – “Shtimi i klientëve ndodhi në periudhën e pandemisë Covid-19, gjatë së cilës nuk e ndërpreva aktivitetin e shpërndarjes.
Hapa dyqanin e MRG në Borghesiana, hap për të cilin fitova siguri ta kryej pasi kisha krijuar kontakte me një seri shoqërish të sektorit të elektroshtëpiakeve. Në bazë të një marrëveshjeje furnizimi, 68% të mallrave e marr prej Eurocom, që në Itali është një prej operatorëve kryesorë italianë të specializuar në shpërndarjen e materialeve në këtë sektor e atë të elektronikës së konsumit.”
Ndihmon sipërmarrësit si Marku të kenë klientelë të vazhdueshme dhe mundësi publicizimi të aktivitetit një tendencë zhvendosjeje demografike nga qendra e qyteteve të mëdha si Roma në lokalitete më periferike ku kostoja e jetës, qerave dhe e pasurive të paluajtshme janë më të përmbajtura. Në Borghesiana ai është një prej disa sipërmarrësve shqiptarë të lokalitetit. Bisedën me ne e mbyll duke na pohuar se titullariteti i një shoqërie i mundëson të projektojë më tej fuqizimin e saj dhe përfshirjen e fuqizuar në aktivitet të rrethit familjar për ta konsoliduar e zgjeruar në perspektivë.
Një analizë bërë publike pak javë më parë prej Infocamere, entitet specializuar në përpunimin e të dhënave nga dhomat italiane të tregtisë, fotografon në 38.665 numrin e sipërmarrjeve në vendin fqinj me titullar të lindur në Shqipëri dhe një raport studimor i 2022 informonte se në Lacio numri i tyre ishte 1.543.