Të dashur nxënës,
mësimdhënës, këshilla të prindërve dhe prindër, që jetoni dhe veproni në Republikën e Bavarisë, ju dëshirojmë një vit të mbarë shkollor 2023/24, në mësimin plotësues në gjuhën shqipe!
Bashkëkombës, kudo që jeni, biznese e shoqata, të gjithë së bashku në interes të shkollës shqipe, në ruajtjen e gjuhës amtare dhe të kulturës, të kësaj vlerë sublime, e cila na identifikon qenien tonë kombëtare. Ne, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari (LAPSH), të cilët kemi marrë mbi supe një mision të shenjtë, ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë shqiptarë, për këtë kërkojmë që së bashku të angazhohemi në rritjen e numrit të nxënësve në shkollat shqipe në Republikën e Bavarisë. Kjo rritje e numrit të nxënësve dhe hapja e klasave të reja, jo vetëm që na nderon si komunitet shqiptar, por mbi të gjitha i ruajmë fëmijët nga asimilimi, humbja e vlerave kombëtare e ato kulturore.
Jemi angazhuar dhe angazhohemi , ne, si kryesi e LAPSH-it, që çdo fëmijë shqiptar të jetë i pranishëm në shkollën shqipe, por fatkeqësisht numri i atyre fëmijëve që duhet ta vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe është tepër i vogël! Pra, për këtë na duhet një angazhim i madh i bashkëkombësve, prindërve, shoqatave dhe bizneseve për të pasur sukses në rritjen e numrit të nxënësve, gjithnjë në bashkëpunim me institucionet tona, konkretisht me konsullatat që veprojnë në Mynih.
Prandaj, nëse e duam dhe e respektojmë gjuhën e atdheut – gjuhën shqipe, së bashku të përkushtohemi në ruajtjen e saj, te fëmijët tanë. E sotmja nuk na falet, nëse ne e injorojmë me apo pa qëllim të bukurën gjuhë, gjuhën shqipe!
Mësimi në Bavari do të fillojë në shtator dhe për këtë kërkojmë të nderuar bashkëkombës që të mos hezitoni, por dërgoni fëmijët e juaj në shkollën shqipe, sepse përpos që është në interesin e tuaj, ruajtja e gjuhës nënë, është edhe në interes të atdheut ( formularin mund ta gjeni në faqen tonë zyrtare “shkolla-shqipe.de”).
Kryesi e LAPSH-it i njofton mësimdhënësit dhe prindërit se është përgatitur për fillimin e vitit shkollor, 2023/24 dhe mirëpret nxënës e mësimdhënës të rinj, ku është e angazhuar në gjirin e saj të ketë profesionistë, mësimdhënës adekuatë, të mbështetur në korrikulën e përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Uroj që thirrjes sonë, të LAPSH-it, t’i përgjigjeni sa më shumë!
Në emër të LAPSH-it
Koordinatori-Mustafë Krasniqi