Në 25 shtator e djathta italiane ka fituar thellë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Lideri simbol i triumfit është Giorgia Meloni, kryeministrja e ardhshme. Një nga arsyet e supertriumfit personal është ajo që zgjedhësit e përcaktojnë si koherenca e saj: ka qenë gjithnjë në anën e djathtë të arenës politike dhe prej themelimit të Vëllezërve të Italisë (FdI, partia drejtuar prej saj) në 2012 nuk ka marrë pjesë – në këtë pikë e vetmja mes partive kryesore italiane – në qeveritë e një vendi në krizë identiteti, i cili nga dekada në dekadë përkulet mbi veten dhe ka kthyer frikërat e tij përballë një bote të kërcënuar nga kriza ciklike në profeci që vetërealizohen.
Në kundërshtinë ndaj emigracionit Meloni ka qenë dhe pritet të vazhdojë të jetë edhe si drejtuese e ekzekutivit koherente me vizionin e saj nacionalist të një Italie që ka nevojë të sigurojë kufijtë e vet ndaj depërtimeve të huaja. Sovranistët, grupimi politik ku FdI bën pjesë, i bëjnë apel pjesëmarrjes politike së qytetarëve duke sugjeruar se zgjidhja ndaj problemeve globale qëndron në mbajtjen e sovranitetit brenda kufijsh të mbyllur e të mirëmbrojtur në mënyrë që një dimension territorial më i përmbajtur të ndihmojë banorët të kuptojnë e kontrollojnë më lehtë proceset vendimmarrëse. Në pikën 21 të programit elektoral të Vëllezërve të Italisë lexohet: “Emigracioni i paligjshëm kërcënon sigurinë e cilësinë e jetës së qytetarëve. Qytetet tona kanë degraduar në pajetueshmëri. Nevojitet një kthesë politike e fortë për të garantuar ligjshmërinë brenda kufijve tanë, rikualifikimin e territoreve tona dhe fuqizimin e rrjetit shoqëror dhe ekonomik kombëtar”.
45 vjeç, lindur e rritur në Romë, Meloni hyn në politikë në rradhët e Lëvizjes Sociale Italiane (parti postfashiste drejtuar atëherë nga Gianfranco Fini) në 1992. Partia fiton shikueshmëri kombëtare të theksuar kur Fini kandidon si kryebashkiak i kryeqytetit në 1993 dhe prej 1994 është aleate e partisë berluskoniane Forca Italia, me të cilën do të shkrihet në 2009. Meloni është një militante e zellshme, brenda partisë (që ka ndërruar emrin në Aleanca Kombëtare) kthehet në drejtuese kombëtare të seksionit rinor dhe hyn në Parlament (2006) para se të jetë për 3 vjet e gjysmë (2008-2011) Ministre e Rinisë në qeverinë e fundit drejtuar nga Berlusconi. Në 2012, ndihmuar nga një grup të pakënaqurish me drejtimin e Partisë së Lirisë së miliarderit, themelon Vëllezërit e Italisë. Rruga për tek triumfi i sotëm paraqitet e gjatë 10 vjet: FdI është partneri më pak i votuar i koalicionit të djathtë (që përfshin Forza Italia të Berlusconi-t e Ligën e Salvinit) në të gjitha zgjedhjet kombëtare italiane përveç këtyre të fundit të triumfit, por trendi rritës i mbështetjes elektorale nis në 2019-n. Në 25 shtator FdI merr vota shtesë nga ish-votues të dy partnerëve të koalicionit dhe nga Lëvizja 5 Yjet; është partia më e votuar në komunat italiane ku numri i të huajve është më i lartë.
Retorika antiemigracion përbën një kalë beteje fitues për të djathtën nacionaliste në gjithë Perëndimin dhe FdI është pjesë e kësaj tendence. Liderja e FdI shpall qëllimin e krijimit të qendrave për azilkërkuesit nga Afrika në vendet e atij kontinenti, ndaj të cilit kërkon patrullim nga BE të brigjeve nga ku nisen klandestinët.
Meloni në pushtet nuk mbart një lajm i mirë për të miturit e huaj në Itali që synojnë të marrin nënshtetësinë italiane para se të mbushin moshën 18-vjeçare. Tematika, promovuar nga Partia Demokratike (e majtë, humbëse e zgjedhjeve të fundit), është trajtuar në dy legjislaturat e fundit italiane por nuk është përmbyllur normativisht. Projekt reforme i ligjit mbi nënshtetësinë, “Ius Scholae” parashikon akordimin e saj bijve të emigrantëve lindur ose mbërritur në Itali para mbushjes së moshës 12 vjeçare që kanë rezidencën aty e kanë mbyllur një cikël shkollor 5-vjeçar. Numri i tyre konsiston afërsisht në 1 milionë dhe shpesh vuajnë pasoja sociale prej mospasjes së nënshtetësisë së vendit ku jetojnë. FdI e kundërshton projektin; Meloni ka deklaruar se nënshtetësia për këtë kategori mund të konsiderohet nëse do të përfshinte frekuentimin nga të miturit të 10 viteve të plota të ciklit shkollor të detyrueshëm. Sipas një sondazhi publikuar para një muaji në të përditshmen “La Repubblica” 66% e 1.000 italianëve të kampionuar janë shprehur në favor të “Ius Scholae”, por brenda votuesve të FdI përqindja e të favorshmëve është 44%.
Italia është në krizë demografike por FdI e sheh zgjidhjen e lindshmërisë në mbështetje ekonomike ndaj çifteve duke përfshirë në program rritje fondesh për çeqet e asistencës familjare dhe heqje të TVSH-së për produktet për fëmijët e sapolindur. Vizioni i Melonit është ai i Italisë etnike të italianëve, megjithëse në të njëjtin program mundësia e dekreteve periodike mbi hyrjet për motive pune në vend përmendet shprehimisht.