Inflacioni në Eurozonë ka kërcyer në 5% në dhjetor, në rritje në krahasim me 4.9% që ishte në nëntor, sipas vlerësimeve paraprake të Eurostat.
Duke parë përbërësit kryesorë të inflacionit të Eurozonës, energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore në dhjetor (26.0%, krahasuar me 27.5% në nëntor), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (3.2%, krahasuar me 2.2% në nëntor), mallrat industriale joenergjetike (2,9%, krahasuar me 2,4% në nëntor) dhe shërbimet (2,4%, krahasuar me 2,7% në nëntor).
Ndikimi në Shqipëri
Në Itali, që është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, inflacioni vlerësohet paraprakisht se ka arritur në 4.2% në dhjetor 2021, nga -0.3% që ishte në dhjetor 2020.
Në Greqi, inflacioni ka kërcyer në 4.4%, në Gjermani zbrit në 5.7%, nga 6% që ishte muajin e mëparshëm.
Për shkak të lidhjeve të forta tregtare, rritja e çmimeve në vendet e Europës pritet të transmetohet dhe në Shqipëri. Banka e Shqipërisë vlerësoi më herë se pesha e inflacionit të importuar në rritjen totale të çmimeve në Shqipëri u rrit ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit 2021.
Banka e Shqipërisë llogarit se kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin total rezultoi 54%, kundrejt një mesatareje prej 40% të dy tremujorëve të mëparshëm të vitit.
Banka qendrore parashikon se, në një perspektivë të afërt, presionet e shtuara inflacioniste nga çmimet e huaja parashikohet të jenë të pranishme në inflacionin mesatar në Shqipëri edhe gjatë 2-3 tremujorëve në vijim, për t’u qetësuar gradualisht gjatë vitit të ardhshëm.
Në Shqipëri, sipas matjeve me metodën e Eurostat Niveli i Përgjithshëm i Çmimeve (Inflacioni) është rritur gjatë muajit nëntor 2021 me 3,3%. Rezultati është 0,2% më i lartë se matjet kombëtare. Rritja më e madhe e çmimeve prej 5,6% vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 5,0%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,2%, “Komunikimi” me 3,1%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,5%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,1%, “Shëndeti” me 1,0%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,8% secili dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%.
Ndërsa inflacioni i matur sipas INSTAT në nëntor 2021 arriti në 3.1%, që është niveli m ëi lartë në një dekadë. / Monitor/
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.