Fotoreporti shqiptar në Greqi Aggelos Barai është një nga fituesit e Fllowship Program në Visual Arts, Moving Image, Dance, Curating të organizuar nga Institucioni Stavros Niarchos, në bashkëpunim me ARTWORK. Fituesi i dytë në Fellowship Program, është Andrea Rama, gjithashtu shqiptar, balerin në profesion.
ARTWORKS është një organizatë jofitimprurëse që synon të krijojë një mjedis të frytshëm dhe edukues për artistët grekë përmes financimit dhe mundësive të angazhimit publik. Me inaugurimin e vitit 2018 të Programit të Bursave të Artistëve të SNF, ARTWORKS u ka dhënë çmime monetare artistëve individualë në njohje të aftësive dhe kualifikimeve të tyre artistike.
Qëllimi i këtyre çmimeve është të fuqizojë artistët dhe t’i inkurajojë të reflektojnë, eksplorojnë dhe eksperimentojnë me praktikën e tyre artistike. Përveç mbështetjes financiare, Programi ofron seminare dhe vvorkshops për të stimuluar dialogun dhe kreativitetin.
Qëllimi afatgjatë është krijimi i një rrjeti dinamik alumni, një sistem mbështetës që do të promovojë bashkëveprimin midis artistëve, komuniteteve dhe institucioneve. ARTëORKS u themelua në vitin 2017 dhe mbështetet nga donatori i saj themelues, Fondacioni Stavros Niarchos.
Lexo edhe- Aggelos Barai, fotoreporteri shqiptar i krizës së refugjatëve në Greqi
KUSH ESHTE AGGELOS BARAI
I njohur me emrin artistik “Aggelos”, 26-vjeçari ka një portofol tepër të pasur me prezencë në median ndërkombëtare. Arkiva e të riut shqiptar është plot histori e mini-filma me ngjarjet që ka ndjekur nga afër, jo vetëm me syrin artistik të një fotoreporteri, por duke përjetuar e depërtuar në detaje, si një photojournalist (fotoreporter) që transmeton mijra fjalë përmes një blic të vetëm.
Aggelo (Angjelo Barai) ka lindur në Fier në vitin 1994, ku jetoi katër vitet e para me mamanë, ndërsa i ati punonte në Athinë. Në vitin 1998 familja u bashkua në Greqi, vogëlushi u pagëzua dhe kështu të tre filluan një jetë të re në emigracion.
Tashmë, edhe pse shumë i ri akoma, gëzon frytet e suksesit si fotograf – photojournalist, është anëtar i Unionit së Gazetarëve Korrespondentë në Greqi, ka shënuar një sërë bashkëpunimesh me agjenci të mëdha mediatike brenda dhe jashtë Greqisë si dhe trofetë e para në disa konkurse ndërkombëtare.
Por çfarë është më e rëndësishme, përmes fotografive të Barai opinioni publik është njohur me detaje të heshtura të krizës më të madhe humanitare të viteve të fundit, fatin e mijra refugjatëve të vendosur në Greqi. Madje, gjatë javëve të fundit ndodhej në Lesbos, duke përjetuar zjarrin e frikshëm në Moria, shpërnguljen e egër të familjeve e fëmijëve, trajtimin nga banorët vendas e policia si dhe vendosjen e pjesshme në kampin e ri në Kara Tepe. Të gjitha këto çaste udhëtuan anembanë botës, përmes fotove të tij.