Dhoma e Biznesit të Diasporës (DHBD) , në kuadër të zbatimit të Projektit “Angazhimi i Diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqipëri”, mbështetur financiarisht nga IOM Albania, ka prezantuar ditën e sotme platformën online diasporanameson.
Një platformë online që i dedikohet sipërmarrësve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në sektorin e bujqësisë, të rinjve që synojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në këtë sektor, investitorëve potencialë që kanë interes të investojnë në krijimin e ndërmarrjeve të reja në këtë sektor si edhe amatorëve të bujqësisë.
Platforma diasporanameson.al pasqyron informacion të kategorizuar dhe në pasurim të vazhdueshëm nga realizimi i aktiviteteve të shumta të aksesueshme në çdo kohë online ku veçojmë trajnime online, takime për shkëmbim informacioni, demonstrime në terren, panair virtual etj. Informacioni në platformë është produkt i bashkëpunimit me Shoqatën e Kultivuesve Italianë (AIC) e cila ofron ekspertizë profesionale dhe të përparuar rreth teknikave, procedurave, normativave, këshillimeve nga metodat dhe praktikat e kultivimit të produkteve bujqësore, teknologjitë e përpunimit e deri prezantime të detajuara të standardeve të Bashkimit Evropian që rregullojnë tërësinë e marrëdhënieve dhe kushteve të prodhimit, përpunimit, transformimit dhe ruajtjes së produkteve bujqësore. Në platformë jepen informacione edhe rreth prirjeve të reja të zhvillimit ekologjik në bujqësi me synim ruajtjen e ekuilibrit natyror dhe mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu, një nga rubrikat më praktike dhe efikase të platformës është Pyesni ekspertin e Diasporës ku çdo i interesuar mund të marrë përgjigje rreth çështjeve specifike të sektorit të bujqësisë.
Vizitoni platformën https://diasporanameson.al/ për më shumë informacion.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.