Më 28 janar, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së kardinalit Mikel Koliqi ( 28 janar 1997), një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare.
Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t’i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos.
Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës “Kumbona e së Dieles”. Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.
Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan.
Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin “Pishtar i demokracisë”, më pas me titullin “Nënë Tereza” dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”. Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.
E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi ishte dhe është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetët një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore e, kulturore e kombëtare.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.