Futbollisti nga Kosova, Mehmet Hetemaj ka shpëtuar një fëmijë nga mbytja në liqen. Kjo ka ndodhur të enjten në Finlandë derisa futbollisti i SJK-së ishte së bashku me nënën e tij në afërsi të një liqeni artificial.
Një fëmijë që po freskohej në liqe ka pasur vështirësi për të qëndruar në sipërfaqe. Fillimisht ka ndërhyrë nëna e futbollistit, por më pas ka pasur telashe edhe ajo. Në ujë është futur edhe Hetemaj.
“Nëna ime arriti shpejtë te fëmija. Por kuptova se të dy janë në telashe. Më pas u futa në ujë edhe unë. Arrita te vogëlushi dhe e ngrita atë mbi sipërfaqe të ujit. Më pas e kam dërguar deri në breg”, ka treguar ish futbollisti serisë A për mediat finlandeze.
Për gjestin e futbollistit shqiptar kanë shkruar ditën e sotme edhe shumë media në Itali, ku Hetemaj ka bërë karrierë në të kaluarën.
Hetemaj ka pasur idenë se nxjerrja e një fëmije nga uji është gjë e lehtë, por ka kuptuar se nuk është. Është raportuar se fëmija ishte rreth dhjetëvjeçar.
Hetemaj 32-vjeçar ka një ndeshje me Kosovën, ndërsa ka luajtur edhe për Finlandën. Është vëllai i Përparim Hetemajt. Në Itali ka luajtur për skuadra si Albinoleffe, Reggina e Monza. Ka luajtur edhe në Greqi dhe në disa skuadra në Finlandë.