Buzëqeshja është arma jonë më e fortë, por për ta mbajtur gjatë dhe të shëndetshme, puna e profesionistit është e domozdoshme dhe e pazëvendësueshme. Këtë filozofi pune ka edhe dr. Ernest Llaka, stomatologu shqiptar që pas më shumë se 14 viteve studime, specializime dhe përvojë pune në Rusi – një nga vendet me traditë të fortë dhe shkollë të avancuar në këtë fushë – zgjodhi të rikthehej në atdhe. Nga auditorët e Moskës, ku përveçse student ai ishte edhe pedagog, deri te klinikat moderne ku punoi si kirurg dhe drejtues, Llaka sjell në Shqipëri jo vetëm një bagazh të jashtëzakonshëm dijesh, por edhe bindjen e fortë se standardet më të larta europiane dhe botërore mund të bëhen realitet edhe këtu.
Në Tiranë ai ka ngritur “Art Smile Clinic”, një klinikë që tashmë dallohet për qasjen inovative dhe veçantinë e saj: ruajtjen e dhëmbëve natyralë përmes autotransplantimit dentar – një procedurë komplekse, e rrallë dhe shumë efektive, e cila zëvendëson implantet artificiale duke përdorur dhëmbin origjinal të pacientit. Kjo metodë, e përhapur në klinikat më prestigjoze të Europës dhe Amerikës, është tashmë pjesë e realitetit shqiptar falë vizionit dhe përvojës së tij.
Përveç kësaj, klinika ofron një gamë të plotë trajtimesh moderne: nga implantologjia, kirurgjia orale, kurorat estetike dhe zbardhimi i dhëmbëve, deri te trajtimet më të avancuara me mikroskop. Pajisjet e teknologjisë së fundit – si skanerët 3D dhe sistemet digjitale për diagnoza të sakta – e kthejnë çdo vizitë në një përvojë të sigurt, efikase dhe të personalizuar.
Por përtej teknologjisë dhe inovacionit, ajo që e bën historinë e dr. Ernest Llakës të veçantë është vendimi i tij për t’u kthyer në Shqipëri në kulmin e karrierës, pas doktoraturës në stomatologji dhe një eksperience solide në Moskë. Ai zgjodhi të vendosë dijen, përvojën dhe pasionin e tij në shërbim të pacientëve shqiptarë, duke dëshmuar se dashuria për vendin dhe për profesionin mund të sjellin ndryshime reale.
Në këtë intervistë ekskluzive për Diaspora Shqiptare, dr. Llaka flet për rrugëtimin e tij nga auditorët e Rusisë në klinikën e tij në Tiranë, për teknikat që po revolucionarizojnë stomatologjinë shqiptare, për emocionet që ndan me pacientët, por edhe për vizionin e së ardhmes: një Shqipëri ku buzëqeshjet do të jenë jo vetëm më të shëndetshme, por edhe më të lumtura.
Si nisi rrugëtimi yt drejt profesionit të stomatologjisë? Patur parasysh që nuk është një profesion i trashëguar në familjen tënde? Dhe përse Rusia ?
Vëllai im ka studiuar në Rusi në një qytet tjetër, dhe ai ishte shtysa kryesore që më njohu me universitetin atje dhe mënyrën sesi bëhej mësimi. Kam studiuar 14 vite në total, ku 5 prej tyre i kalova edhe në rolin e pedagogut. Gjatë këtyre viteve nuk kam pasur asnjëherë orë bosh, ndryshe nga çfarë ndodh në Shqipëri, ku shpesh mungojnë orët për arsye të ndryshme.
Eksperienca në Rusi më dha mundësinë të përvetësoj njohuri të thelluara dhe praktika të avancuara. Gjatë viteve si student dhe më pas si profesionist, kam punuar si asistent dhe pastaj si doktor kryesor në klinika të ndryshme në Moskë. Kjo periudhë më përgatiti shumë profesionalisht dhe më hapi horizonte të reja.
Si ndikoi puna në Moskë në formimin tënd profesional? Cilat janë disa nga mësimet më të vlefshme që more nga ajo përvojë?
Në vitin 2018, pas përfundimit të specializimit në kirurgji, vendosa të vazhdoj doktoraturën në katedrën e protezimit. Kjo më dha mundësinë të punoj si pedagog për 5 vite dhe të shoh stomatologjinë nga një këndvështrim më kompleks dhe më përgjegjës. Puna në Moskë më mësoi se përveç dijes, duhet organizim, etikë dhe profesionalizëm maksimal. Mësova rëndësinë e teknologjive moderne dhe punës në ekipe multidisiplinare, gjë që më bëri të ndihem më i sigurt profesionalisht.
Pas disa vitesh përvoje në Moskë, vendose të kthehesh në Shqipëri? Ishte vetëm çështja e luftës Rusi-Ukrainë apo…?
Kur vendosa të kthehesha, kisha përfunduar të gjitha shkollat dhe specializimet e mundshme, dhe në tetor 2023 mora titullin PhD, doktor shkencash në stomatologji. Kisha grumbulluar eksperiencat e duhura dhe ishte koha që t’i përdorja ato për vendin tim. Dëshira ime kryesore ishte të kontribuoja në zhvillimin e stomatologjisë në Shqipëri dhe të sjell standarde moderne e cilësi të lartë shërbimi.
Ideja për të hapur një klinikë tënden në Tiranë ishte një vendim i lehtë apo i vështirë?
Vendimi nuk ishte i lehtë, pasi kërkonte investim të madh dhe përgjegjësi të madhe për cilësinë e shërbimeve që do të ofroja. Por dëshira për të sjellë një standard të ri në stomatologjinë shqiptare dhe për të ofruar trajtime me teknologji moderne më motivoi shumë. Sot ndihem krenar për atë që kemi arritur me “Art Smile Clinic”.
Çfarë e bën klinikën tënde të veçantë dhe ndryshe nga të tjerat?
“Art Smile Clinic” ka fokus kryesor ruajtjen e dhëmbëve natyralë përmes autotransplantimit, duke qenë klinika e vetme në Shqipëri që ofron këtë procedurë inovative dhe komplekse. Besoj fuqishëm se ruajtja e dhëmbëve natyralë është zgjidhja më e mirë, duke shmangur ndërhyrjet më të mëdha si implantet. Gjithashtu, në klinikë kemi krijuar ambiente të posaçme që garantojnë sterilitet maksimal dhe privatësi të plotë për çdo pacient, ndryshe nga klinikat që përdorin perde për të ndarë poltronat.
Çfarë lloj procedurash ofron klinika jote? A kryeni edhe ndërhyrje të ndërlikuara?
Ofrojmë shërbime të ndryshme: kujdes bazë dentar, higjienë, zbardhje, implantologji, All-on-4, All-on-6, kirurgji orale, kurora zirkoni, faseta estetike dhe trajtime endodontike me mikroskop. Përdorim metoda të avancuara për rritjen e nivelit të kockës, duke përdorur edhe kockën natyrale të pacientit – një praktikë e rrallë në Shqipëri, por shumë e zhvilluar në klinikat prestigjoze europiane dhe amerikane. Po, kryejmë edhe ndërhyrje komplekse dhe jemi të specializuar në zgjidhje multidisiplinare.
Cilat janë teknologjitë më moderne që përdorni në trajtimin e pacientëve?
Përdorim skaner 3D Orthophos XG 3D nga Sirona, skaner intraoral Medit i700 për masa digjitale të sakta, dhe Ai Ray, pajisje portative rreze X me dozë minimale. Kemi dixhitalizuar procese si rikujtimi automatik i takimeve dhe pastrimit të gurzave, përdorim skanera për diagnoza të sakta dhe grafi portative me rreze X me dozë të ulët, që garanton trajtim të sigurt dhe të shpejtë.
A punoni me pacientë që kanë frikë nga dentisti? Si i ndihmoni të ndihen të sigurt dhe të qetë gjatë procedurave?
Po, e kuptojmë shumë mirë frikën e pacientëve. Marrim kohë të shpjegojmë çdo hap, jemi shumë të kujdesshëm me menaxhimin e dhimbjes dhe, kur është e nevojshme, përdorim sedacion (anestezi) koshient që i ndihmon të relaksohen. Prioriteti ynë është që pacienti të ndihet i sigurt dhe i qetë gjatë gjithë procedurës.
Cilat janë problemet më të shpeshta dentare që sheh sot te shqiptarët?
Problemet më të shpeshta janë kariesi i pazbuluar në kohë, humbja e dhëmbëve pa zëvendësim, dhe sëmundjet periodontale që shpesh nuk trajtohen me kohë. Në shumë raste, pacientët kanë neglizhuar higjienën orale dhe kontrollet rregullisht, çka çon në komplikime të shumta.
Çfarë këshillash do t’u jepje lexuesve tanë për kujdesin e përditshëm ndaj shëndetit të dhëmbëve?
Lani dhëmbët dy herë në ditë me pastë që përmban fluor dhe herë pas here me pastë me kalcium për forcimin e smaltit. Përdorni fillin dentar ose brushat ndërdentare çdo ditë, dhe bëni kontrolle çdo 6 muaj, edhe pa dhimbje. Ushqehuni shëndetshëm dhe shmangni produktet industriale që dëmtojnë dhëmbët. Kujdesi oral është pjesë e rëndësishme e shëndetit të përgjithshëm.
Ka një grupmoshë apo profil pacientësh që kërkon më shpesh shërbimet tuaja?
Grupmosha mbi 45 vjeç kërkon trajtime për probleme më të rënda, shpesh të lidhura me mos mirëmbajtje apo neglizhencë, që sjellin karies dhe humbje dhëmbësh të pa zëvendësuar. Situata përkeqësohet me kalimin e viteve. Pacientët 25-40 vjeç vijnë kryesisht për trajtime estetike dhe probleme të vogla si kariesi apo devitalizimi.
Çfarë ndjesie ke kur sheh ndryshimin që u sjell pacientëve të tu?
Është një ndjesi shumë e veçantë dhe e kënaqshme të shohësh pacientët që fitojnë jo vetëm shëndet, por edhe vetëbesim përmes buzëqeshjes së tyre. Për mua, ky është qëllimi kryesor i punës sonë – të ndikojmë pozitivisht në jetën e tyre.
A ka ndonjë histori të veçantë nga puna jote që të ka prekur emocionalisht?
Po, më kujtohet një histori që më ka prekur shumë. Një vajzë që sapo kishte kryer shërbimet dentare estetike në një klinikë tjetër, ku kishte vendosur faseta dhe ishte bërë një punë shumë estetike. Ajo po përgatitej për dasmën e saj dhe, për shkak të stresit dhe urisë, në orën 9 të darkës i ra fikët dhe u përplas me dhëmbët e parë në shkallët e pallatit, duke humbur tre dhëmbët e para. Ne kryem ritransplantimin e të tre dhëmbëve dhe lotët e gëzimit të pacientes, kur pa buzëqeshjen e saj të rikthyer, kanë mbetur gjatë në kujtesën time. Kjo më kujtoi rëndësinë dhe ndikimin që ka puna jonë në jetën e njerëzve.
Ku e sheh veten dhe klinikën tënde pas 5 vitesh? Çfarë synon të ndërtosh në të ardhmen?
E shoh “Art Smile Clinic” si një klinikë udhëheqëse në rajon, që ofron trajtime inovative dhe me standarde europiane, duke zgjeruar gamën e shërbimeve dhe duke sjellë teknologji të reja. Personalisht, dua të vazhdoj të zhvillohem profesionalisht dhe të kontribuoj në edukimin e brezave të rinj të stomatologëve.
Si mund të lidhen me ty lexuesit tanë? A ofron klinika konsulta paraprake apo vizita informative?
Po, ne ofrojmë konsultë paraprake dhe vizita informative, ku pacientët mund të njoftohen me diagnozën dhe planin e trajtimit pa asnjë angazhim. Mund të kontaktojnë klinikën përmes telefonit, emailit ose rrjeteve sociale për të caktuar një takim.
Në fund, çfarë mesazhi do t’u dërgoje të rinjve shqiptarë që duan të studiojnë jashtë, por që kanë në mendje rikthimin në atdhe?
I këshilloj të jenë të duruar dhe të përkushtuar ndaj studimeve të tyre, sepse suksesi kërkon shumë punë dhe disiplinë. Studimi jashtë është një mundësi e madhe për t’u përgatitur profesionalisht dhe për të marrë eksperienca të vlefshme. Por më e rëndësishmja është të mos harrojnë atdheun dhe të planifikojnë rikthimin, ku mund të përdorin njohuritë dhe aftësitë për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Shqipëria ka nevojë për profesionistë të mirë dhe çdo investim në veten tuaj është një investim edhe për të ardhmen e vendit.
Klinika “Art Smile Clinic” gjendet në Tiranë (pranë Pediatrisë në QSUT) në rrugën: Ali Baushi, Tirana, Albania



