Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 2 gusht 2025 në Bënjë të Përmetit, ku një guidë turistike me shtetësi polake, Radoslaw Hołowczyc, është dhunuar brutalisht nga persona të lidhur me një agjenci turistike konkurrente.
Sipas dëshmisë së tij dhe procesverbalit të policisë, sulmi ndodhi në një zonë të izoluar pranë burimeve termale, larg syve të turistëve. Radoslaw kishte shoqëruar një grup vizitorësh dhe pasi i kishte çuar në pishina, ishte kthyer drejt autobusit. Në atë moment, Albi Miftari – bashkëpunëtor i agjencisë “Kaki Tours” – së bashku me dy punonjës shqiptarë, e sulmuan nga disa drejtime, duke e goditur me grushte në kokë e fytyrë, duke i përdredhur krahun dhe duke e rrëzuar përtokë. Më pas, e goditën me shkelma në kokë, kraharor, bark e brinjë, duke i shkaktuar dëmtime të shumta.
Agresorët i rrëmbyen telefonin, ia thyen, i hoqën vathët nga veshi dhe dyshohet se i morën një kapelë me vlerë sentimentale. Një punonjës tjetër i “Kaki Tours”, shtetasi polak Mateusz, ishte i pranishëm në vendngjarje por nuk ndërhyri për ta ndaluar dhunën apo për të thirrur ndihmë.
Sulmi u ndërpre vetëm falë ndërhyrjes së dy turistëve francezë, të cilët bërtitën dhe i detyruan autorët të largoheshin, duke e lënë viktimën të gjakosur në tokë. Pas ngjarjes, Radoslaw kaloi disa ditë në polici, në prokurori dhe në spitalet e Përmetit, Gjirokastrës e më pas në Tiranë, ku iu nënshtrua ekzaminimeve mjeko-ligjore. Ai ka pësuar dëmtime në kokë, sy, dorën e djathtë, këmbë, brinjë dhe veshë, si dhe probleme të përhershme në kryerjen e detyrave të punës.
Guidë turistike prej vitesh në Shqipëri, Radoslaw e konsideron sulmin të planifikuar, me motiv xhelozie dhe urrejtjeje, duke theksuar se autorët kishin dijeni të plotë për orarin dhe vendndodhjen e tij.
Policia dhe Prokuroria po hetojnë ngjarjen, ndërsa opinioni publik ka shprehur mbështetje të gjerë për viktimën, i cili ndodhet nën kujdes mjekësor dhe psikologjik.




