Sebije Neloviç, një emigrante shqiptare dhe punëtore pastrimi në një nga godinat më luksoze të Nju Jorkut, 345 Park Avenue, përjetoi një nga momentet më të tmerrshme të jetës së saj, kur një burrë i armatosur me armë automatike hyri në ndërtesë dhe vrau katër persona. Për 27 vite, që nga viti 1998, ajo kishte ndjerë vetëm siguri brenda këtij rrokaqieli që strehon zyra të kompanive të mëdha, por të hënën e kaluar gjithçka ndryshoi.
Në orën 18:28 të pasdites, sulmuesi hapi zjarr në hollin e ndërtesës, duke vrarë tre persona. Më pas mori ashensorin dhe shkoi në katin e 33-të – pikërisht aty ku Sebije po pastronte.
“Isha duke mbledhur plehrat, si çdo turn. Dëgjova një zhurmë që m’u duk si fishekzjarrë,” rrëfen ajo për CNN. Kur u afrua për të parë, pa që dera prej xhami e zyrës nisi të dridhej dhe papritur u shemb me një “boom”
Në atë moment, ajo pa sulmuesin.
“Hyri në mes të derës dhe më drejtoi armën. Filloi të qëllonte rreth meje. I ngrita duart dhe thashë: ‘Jam pastruese, jam pastruese’. Por kuptova – ai kishte një armë automatike. Nuk do e dinte kush isha. Do qëllonte gjithsesi.”
65-vjeçarja vrapoi përgjatë korridorit dhe u fut në një dollap, të cilin e mbylli nga brenda.
“Fillova të lutesha. Dëgjova të bërtitura në korridor. Qëndrova aty për 5 ose ndoshta 10 minuta, kur e dëgjova të afrohej. Ai qëlloi drejt derës së dollapit, dhe u tmerrova. Por isha ende gjallë.”
Ndërsa fshihej, ajo mendoi për kolegen e saj, Julia Hyman, një 27-vjeçare që punonte në të njëjtin kat dhe shpesh qëndronte vonë. “Dija që ishte në tavolinën e saj. Thashë: Zot, ndihmoje.”
Zjarri pushoi dhe heshtja mbuloi katin. Sebije nuk dinte ku ndodhej vrasësi. Eprori i saj nisi ta telefononte dhe t’i dërgonte mesazhe, por ajo, nga frika, e fik telefonin dhe qëndroi në dollap për 2 ose 3 orë, duke u lutur në heshtje.
Më në fund, policia e gjeti dhe i tha se ishte e sigurt të dilte. Sulmuesi kishte vrarë veten.
“Nuk doja që t’i telefononin burrit apo djalit tim – nuk doja t’i frikësoja – ndaj njëri prej tyre më shoqëroi në shtëpi,” thotë ajo. Por kur mbërriti në shtëpi, djali e kishte parë lajmin dhe kishte qenë i tmerruar për fatin e saj. “I thashë, falë Zotit, jam mirë.”
Por trauma nuk kishte mbaruar.
“Çdo ditë ndjehem më e tronditur”
Sebije nuk u nda nga televizioni, duke kërkuar shpjegime për tragjedinë. Aty mësoi se Julia, kolegia e saj e re, ishte mes viktimave. Sulmuesi nuk kishte pasur si objektiv asnjërën nga gratë në katin e 33-të – hetuesit besojnë se ai kishte si shënjestër selinë e NFL në të njëjtën ndërtesë, por kishte marrë ashensorin e gabuar. Në xhepin e tij u gjet një letër ku pretendonte se vuante nga CTE, një sëmundje që lidhet me traumën cerebrale, shpesh te sportistët e futbollit amerikan.
Por kjo nuk e lehtëson dhimbjen e Sebijes. “Çdo ditë ndjehem më e stresuar dhe më e tronditur. Një grua u vra në katin tim – dhe mund të isha unë.”
Pavarësisht frikës që ndiente kur kthehej në shtëpi me tren natën, puna kishte qenë gjithmonë vendi i saj i sigurt. “Nuk kisha frikë të shkoja në punë. Ndihesha e sigurt atje, e lumtur – për 27 vite.”



