Do të shfaqet në premierë botërore në “Notti Veneziane”, seksion i realizuar nga “Giornate degli Autori” në bashkëpunim me “Isola Edipo”, dokumentari i ri “Film di Stato” i Roland Sejkos (Anija – La nave, çmimi David di Donatello për dokumentarin më të mirë; La macchina delle immagini di Alfredo C., çmimi Nastro d’argento për dokufilmin më të mirë), prodhuar dhe shpërndarë nga Luce Cinecittà.
Filmi është një zhytje vizuale brenda një diktature, asaj shqiptare nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990. Një vend dhe një kohë që janë ndërlidhur me jetën dhe emrin e një njeriu të vetëm: kreut të regjimit Enver Hoxha. Ashtu si rrallëherë ndodh, “Film di Stato” na bën të shohim, dëgjojmë, ndiejmë një kohë historike. Me ritet e saj, pritjet, fjalimet dhe ato që nuk thuhen; me turmat dhe vetmitë, ngjarjet e mëdha dhe hapësirat e pritjes. Makineria gjigande dhe e zhurmshme e konsensusit dhe heshtja e mbyllur e një udhëheqësi. Nëpërmjet një kërkimi të fuqishëm në imazhe shpesh të papublikuara, të prodhuara nga vetë regjimi, dhe me një punë rigoroze dhe krijuese në montazh dhe tinguj, filmi i Sejkos propozon një “kolonë zanore të pushtetit”, duke na treguar jo vetëm kurbën epokale të një autokracie, por edhe një imazh të përgjithshëm të pushtetit, përmes të cilit na bën të shohim verbërinë e tij shkruan Diaspora Shqiptare.
Me këtë vepër të re arkivore, Sejko konfirmohet ndër autorët më të mirë në Itali për transformimin e materialeve arkivore në poema vizuale. Me një film mbi mënyrën se si pushteti e sheh veten dhe si ta shohësh pushtetin. Duke zbuluar se si kinemaja, nga një mjet vetëpërfaqësimi dhe lavdërimi, mund të bëhet në mënyrë të heshtur forma më vdekjeprurëse e vetëdenoncimit.
Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe për më shumë se dyzet vjet, historia e Shqipërisë lidhet pazgjidhshmërisht me atë të një njeriu të vetëm: Enver Hoxha, i cili e udhëhoqi vendin përmes aleancave të përkohshme dhe ndarjeve radikale, derisa e çoi në izolim total, shkruan Diaspora Shqiptare.
“Film di Stato” rrëfen ato dyzet vjet të regjimit komunist shqiptar përmes imazheve që pushteti prodhoi për të treguar vetveten. I ndërtuar tërësisht me materiale arkivore shpesh të papublikuara – filma zyrtarë propagandistikë, xhirime nga fondet e rezervuara ose private të nomenklaturës – filmi është një udhëtim me imazhe dhe tinguj brenda një regjimi që e bëri kinemanë një mjet pushteti.
Çfarë janë në gjendje të tregojnë sot ato të njëjtat imazhe?
“Film di Stato – deklaron autori – është bërë vetëm me imazhe ekzistuese, por që përpiqet – përmes montazhit, tingullit, ritmit – të ndërtojë një rrëfim ndryshe nga ai që ato imazhe donin të impononin. Qëllimi nuk është thjesht të tregosh, por të transformosh, të nxjerrësh në pah, brenda ndërtimit propagandistik, çarjet, boshllëqet, sinjalet e një leximi tjetër të mundshëm të imazheve. Dhe ndoshta edhe të realitetit.”
***
Giornate degli Autori ose Notti Veneziane janë një seancë e pavarur brenda Festivalit të Filmit në Venecia që synon të promovojë kinematografinë autorale, inovative dhe origjinale, duke i dhënë zë zhanreve eksperimentale dhe filmave dokumentarë me një qasje të lirë dhe krijuese – në stilin e “Directors’ Fortnight” në Kanë dhe sekcionit “Panorama” në Berlin
Krijuar më 2004 nga ANAC dhe 100autori, Giornate organizohet përgjatë fundit të gushtit dhe fillimit të shtatorit në Lido të Venecias, duke përfshirë 10 filma në konkurrim, filmi mbyllës jashtë konkurrimit, evente të veçanta dhe masterclass-e në “Casa degli Autori” Është një forum informal dhe gjithëpërfshirës, i hapur për krijues, producentë, distributore e gazetarë, që synon të krijojë dialog-intime ndërmjet autorëve dhe audiencës.



