Një tragjedi e rëndë ka tronditur zonën e Filikurit në Himarë, ku një turiste holandeze 23-vjeçare humbi jetën dhe një tjetër franceze 18-vjeçare mbeti e plagosur rëndë pas një rrëzimi dramatik nga lartësitë shkëmbore. Ngjarja ndodhi teksa grupi i turistëve po zbriste drejt plazhit përmes të vetes rrugë tokësore që të con në plazh nëpërmjet një terreni të thepisur.
Sipas të dhënave paraprake nga Policia e Himarës, turistja holandeze, M.B., kishte nisur zbritjen me litar nga një lartësi rreth 30 metrash kur rrëshqiti dhe ra në zonën shkëmbore, pavarësisht përpjekjeve të një prej miqve të saj për ta mbajtur. E reja pësoi dëmtime të rënda që rezultuan fatale, ndërsa një gur i rënë goditi dhe plagosi rëndë turisten franceze J.L., e cila ndodhej pranë vendngjarjes.
Autoritetet vendore, përfshirë Policinë Kufitare, zjarrfikësit dhe shërbimin e ambulancës, ndërhynë për të nxjerrë trupin e pajetë dhe për të transportuar të plagosurit. 18-vjeçarja franceze u evakua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ky incident tragjik tregon për kontrastin mes fushatave madhore të marketingut që promovojnë Shqipërinë si “thesarin e pazbuluar të Evropës” dhe realitetin në terren, ku mungesa e infrastrukturës bazë shpesh rezulton fatale.
Miliona euro janë investuar kohët e fundit në promovimin ndërkombëtar të vendit, në panaire, e artikuj në media botërore dhe reklama që e portretizojnë Shqipërinë si një destinacion të virgjër, mikpritës dhe të sigurt për turistët aventurierë.
Por, ndërsa shifrat zyrtare të vizitorëve rriten dhe autoritetet deklarojnë se vendi është gati të presë edhe më shumë, infrastruktura dhe shërbimet nuk ndjekin të njëjtin ritëm. Në shumë prej destinacioneve më të promovuara si Filikuri apo Gjiri i Gramës, mungojnë rrugët e sigurta, sinjalistika orientuese, shërbimi mjekësor në kohë dhe ekipi i shpëtimit për situata emergjente.
Në rastin konkret, mungesa e qasjes së shpejtë në terrene të vështira dhe vonesa në ndërhyrje mund të kenë ndikuar në humbjen e jetës së turistes. Po aq shqetësues është edhe fakti se shumë prej turistëve zgjedhin të eksplorojnë plazhe të izoluara në mënyrë të pavarur, pa ndonjë informacion zyrtar mbi rreziqet që i kanosen, duke ekspozuar veten ndaj fatkeqësive të parandalueshme.
Ngjarja e Filikurit është një kambanë alarmi që nuk duhet të injorohet. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm turistik, por për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe për të mos rrezikuar jetë njerëzish, promovimi duhet të shoqërohet me investime serioze në siguri, infrastrukturë dhe trajnimin e stafit lokal.
Në vend që të prezantohet vetëm si “parajsa e fundit e pashkelur”, Shqipëria duhet të angazhohet realisht për të qenë një destinacion ku natyra e egër nuk kthehet në rrezik vdekjeprurës për vizitorët. Fushatat e marketingut janë të nevojshme, por nuk mund të mbulojnë boshllëqet që çdo verë, për fat të keq, i kushtojnë shumë shtrenjtë vendit.




