Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 50-të të konstituohet, duke thelluar edhe më tej krizën institucionale që ka përfshirë vendin që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca e së hënës, e thirrur për të votuar krijimin e komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit – një kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje – dështoi pasi vetëm 53 deputetë votuan në favor të saj, larg kuorumit të nevojshëm.
Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së Avni Dehari, nuk lejoi as këtë herë debat në foltore, duke nxitur kritika nga partitë opozitare për mbyllje të hapësirës së diskutimit parlamentar. Seanca e radhës është caktuar për të mërkurën, më 23 korrik, në orën 11:00, ndërsa vendi ndodhet në prag të përfundimit të afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese – deri më 26 korrik – për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së nëntë.
Ngërçi institucional lidhet me mosarritjen e konsensusit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, po tenton të zgjedhë Albulena Haxhiun në këtë post, por nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme. Propozimi për votim të fshehtë dhe vetë kandidatura e Haxhiut janë kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare, duke bllokuar vazhdimisht procesin.
Në përpjekje për të dalë nga kriza, të shtunën më 19 korrik, kreu i VV-së Albin Kurti u takua me liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, por takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve të reja.
Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të partive politike, si bashkë, ashtu edhe veçmas, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, por pa sukses të dukshëm deri tani.
Thirrje të përsëritura për formimin e institucioneve të reja kanë ardhur edhe nga ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, të cilët kanë theksuar nevojën për funksionim demokratik të institucioneve dhe respektim të afateve kushtetuese.



