Ester Deçolli është një nga mijra nxënësit e shkollave shqipe në diasporë. Njësoj si ata ajo studion gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare me shumë dëshirë dhe pasion bashkë me shokët e saj. Ester është 10 vjeçe dhe ka lindur në Bari, ndërsa prindërit e saj kanë emigruar në Itali vite më parë. Pra shtëpia e saj është Italia, Shqipëria është diçka tjetër, më e madhe, më e magjishme, më misterioze.
Ester shpeshherë shkruan, e ka pasion, një nga dëshirat e saj është në të ardhmen të bëhet shkrimtare. Në shkollën ku mëson (në Bari), kanë një gazetë të përmuajshme, ku nxënësit shkruajnë artikuj për tema të ndryshme. Muaj më parë, tema për Emigracionin tërhoqi vëmendjen e Ester, ku ajo shkruajti diçka mbi Emigracionin shqiptar, për këtë pati ndihmën e prindërve të saj.
Por si e sheh Ester emigracionin?
Sipas saj, dy motivet kryesore të emigracionit janë: gjetja e një vendi të sigurtë, larg luftërave dhe të rinjtë duhet të studiojnë në vende ku mund të kenë mundësi edhe të punojnë. Edhe pse vetëm 10 vjeç reflekton ndjeshëm, kur flet mbi historinë e migracionit shqiptar, tregon se ndjen trishtim dhe keqardhje, ndërkohë që dëgjonte histori nga prindërit rreth kësaj teme. Ester bashkëjeton mes dy kulturave e qetë dhe flet me krenari për kulturën dhe historinë e vendit të prindërve, por njëkohësisht edhe për Italinë. Me botën e saj fëmijërore mendon se mes dy kulturave mund të jetohet pa konflikte dhe pa ndryshueshmëri, në fund të fundit, jemi njerëzorë.
Prindërit e Ester, ia kanë dalë të integrohen në jetën dhe kulturën italiane, duke mbajtur thellë rrënjët dhe dashurinë për vendin amë. Në kohët e sotme, gjithçka ka ndryshuar, ajo thotë se ka shumë studentë që shkojnë për studime në Shqipëri, për këtë ajo ndjehet krenare kur dëgjon gjëra pozitive për Shqipërinë. Ndjehem e lumtur që jam pjesë e shkollës shqipe SHQIPONJAT E MËNDAFSHTA në Bari, thotë ajo, më kujtohet vite më parë me abetaren nga A tek Zh, ndërsa sot ja të tjera projekte mësimore, do me pëlqente një ditë të jap mësim në shkollën shqipe, t’u mësoj gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, gjeografi dhe histori të Shqipërisë, gjithashtu Ester ka dëshirë në të ardhmen, të bëhet përkthyese e librave në shqip.
Por ka edhe më shumë. Ester tregon edhe për një pasion tjetër të saj, aktrimi. Mbi historinë e babait të saj, është realizuar një film me metrazh të shkurtër vitin e kaluar. Historia flet mbi Emigracionin shqiptar në vitin 1997. Ajo është pjesë e trupës së teatrit të shkollës dhe interpreton me pasion pjesët teatrale: “Rozafati”, “Nëntori i Dytë”, “Nusja nga Kosova”. Shqipëria për Ester është një vend krejt i veçantë nga vendet e tjera, me kulturë të pasur dhe histori të lashtë. Shqipëria për të është një derë e hapur, ku ndjen dashurinë e gjyshërve e të parëve të saj.
Botuar fillimisht në revistën “Flasim Shqip” të Qendrës së Botimeve për Diasporën.




